Do t’i mbrojmë me gjak!”/ Banorët e Bërxullës vijojnë protestën, përplasen me policinë

0
130

Banorët e zonës së Bërxullës kanë protestuar mëngjesin e sotëm për projektin e aksit rrugor Thumanë-Kashar, ndërsa për të qetësuar protestuesit kanë qenë prezente në zonën përreth edhe forcat e policisë duke formuar një barrikadë

Kjo nuk është protesta e parë që ndodh nga banorët e kësaj zonë lidhur me këtë shqetësim, pasi mësohet se ata nuk janë dakord me skemën e shpronësimit të pronave të tyre që preken nga projekti i rrugës.


Sipas tyre çmimi i tregut për pronat e tyre është rreth 50 euro për metër katror, ndërsa atyre u është ofruar një kompensim me rreth 4 euro për metër katror, gjë që ata e kanë refuzuar kategorikisht.

Një prej banorëve ka bërë thirrje se kjo rrugë do ketë fatin e kalasë së Shkodrës, duke thënë se “rruga do ndërtohet ditën e do shembet natën”, ndërsa të tjerë banorë të zonës kanë deklaruar në kor se “do t’i mbrojnë pronat me gjak”.

Sakaq, banorët kanë tentuar më tej të kalojnë në rrugë, ku janë përplasur edhe me kordonin e forcave policore të cilët nuk kanë mundur të ndalojnë banorët e zonës të bllokojnë rrugën që të dërgon drejt aeroportit të Rinasit.

“Nuk kemi pasur kontakt me instancat shtetërore. Nuk ka asnjë lloj komunikimi me ne si banorë, vijnë individë të veçantë të firmës, specialistë të rrugës për të bërë ndonjë kontakt me ne, por ata janë njerëz që nuk luajnë rol në kërkesat tona. Kërkesa e parë është vlerësimi i pronës sipas tregut ose të gjejmë një marrëveshje. E dyta është certifikimi i pronave sepse ka prona pa certifikata, dokumentet ndodhen në hipotekë.

Rruga ndan parcelat në mënyrë tërthore dhe nuk ka projekt si do jetë e aksesueshme toka në anën tjetër të rrugës sepse nuk ka publikim nëse do ketë mbikalime apo diçka të ngjashme. Kërkesat tona janë të panegociueshme në këto pika. Fshati rrezikon të zhduket i tëri, do ndahet në tre pjesë. Në shenjë proteste ne do tubojmë paqësisht për të sensibilizuar pushtetarët. Janë bllokuar punimet e parlamentit për një agjent të FBI-së, neve nuk na hyn në punë. Parlamenti është për të zgjidhur punët tona, jo të Amerikës. Edi Rama po e ka bërë le të shkojë i pandehur, kolltukun nuk e ka asnjëri pronë. Kemi 4 muaj që protestojmë. Janë 97 kryefamiljarë që preken, janë 40 hektarë tokë që preken.

Beteja jonë mos të duket çudi, vetëm të vdekur i lëmë, nuk ka shans të merren pa marrëveshjen me ne. Kjo rrugë do ketë lapidar pa fillimin e ndërtimit. Do ndërtohet ditën e do shembet natën ,do ketë fatin e kalasë së Shkodrës. Ligji thotë që 1 vit përpara duhet bërë inventarizimi i pronave. Do vijojmë me masat ekstreme, kemi 4 muaj që bëjmë thirrje”, tha ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here