Zëra të pakënaqur midis aleatëve të Amerikës në Evropë dhe Japoni, po krijojnë një narrativë rreth SHBA-së dhe tregtisë globale, e cila po përforcohet edhe nga kundërshtarët e Amerikës sikurse është Kina.
Narrativa është me pak fjalë kjo:Shtetet e Bashkuara synojnë në mënyrë cinike që të përmbysin ekonominë botërore me subvencione që e deformojnë tregun. Po ashtu ajo synon që të degradojë një institucion si Organizata Botërore të Tregtisë dhe të përdorë kontrollet e eksporteve për të ndjekur politika të jashtme agresive, nga të cilat përfitojnë kryesisht vetëm kompanitë amerikane.Nëse teprohet me këto veprime, atëherë këto janë kritika legjitime. Megjithatë mbetet një kundërvënie themelore ndaj këtij pretendimi. Ndërsa aftësia e qeverive për ta përdorur tregtinë si një mjet strategjik mbetet e paprovuar, nuk është e tillë nevoja për përdorimin me raste të fuqisë së ashpër ushtarake për të siguruar paqen e nevojshme për tregtinë.
Në këtë aspekt të globalizimit, SHBA-ja mbetet guri i themelit mbi të cilin ngrihet pjesa më e madhe e superstrukturës së tregtisë botërore. Dekada e fundit para pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin, tregoi nevojën për përdorimin e fuqisë së fortë për të krijuar kushtet për të pasur një qasje më të butë. përballur me një diktator gjithnjë e më luftarak në Moskë, Bashkimi Evropian u përpoq që ta tërheqë Ukrainën në orbitën e saj në të vetmen mënyrë që di:nëpërmjet integrimit të saj ekonomik. Për këtë arsye në vitin 2014 u nënshkrua midis Brukselit dhe Kievit “Marrëveshja e Thellë dhe Gjithëpërfshirëse e Tregtisë së Lirë”.
Por edhe pas aneksimit të mëpasshëm të Krimesë nga Rusia, politika e Bashkimit Evropian e “autonominë strategjike”, e nisur që në vitin 2020, mbështetej kryesisht në ushtrimin e ndikimit nëpërmjet tregtisë, rregullimit dhe vlerave së saj themeltare.
Paralajmërimet nga shtetet anëtare të Evropës Qendrore dhe Lindore për kërcënimin e vazhdueshëm nga Rusia, në përgjithësi u shpërfillën. SHBA-ja nuk ishte e vetme në armatosjen dhe stërvitjen e ushtrisë ukrainase pas vitit 2014, por sigurisht që ajo luajti një rol udhëheqës.
Pa mbështetjen amerikane, me shumë gjasa Kievi do të ishte sot Putingrad, Bashkimi Evropian do të ishte zhytur në krizë, me elementët e saj në rritje pro-rusë, që do të kërkonin me siguri një qasje tolerante ndaj Moskës, në një kohë që zgjerimi i tregut të tij të përbashkët, do të ishte bllokuar përgjithmonë në kufirin e saj lindor.
Për më tepër, një Kinë e inkurajuar nga këto zhvillime, do të ishte akoma më e sigurt për suksesin e aneksimit të ishullit të Tajvanit, me të gjitha pasojat katastrofike për tregtinë në rajonin me rritjen më të shpejtë ekonomike të botës dhe në tregun global të disa elementëve shumë jetikë për zhvillim aktual të teknologjisë, sikurse janë gjysmëpërçuesit.