Paradoksi/ Shqipëria nën ujë, por 3.7 milionë euro shkojnë për oborrin e Ramës në kryeministri

0
124

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka rikthyer sërish tenderin për ndërtimin e instalacionit të drurit në oborrin e selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.

Në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurorimit Publik është hequr statusi “i pezulluar” i procedurës “Instalacion me strukturë druri në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë, “Parku Eden”, me fond limit 431.403.183 lekë të reja.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i drejtuar nga Dritan Agolli, e pezulloi përkohësisht procedurën e hapur për ndërtimin e instalacionit, por nuk e anuloi atë. Siç duken në dokumentet e mëposhtme i vetmi ndryshim është është data e mbylljes së tenderit që është shtyrë më datë 27 janar 2023.

Image

VKM e këshillit të Ministrave

Një Vendim i Këshillit të Ministrave (VKM) i datës 27 korrik bëri të ditur për herë të parë një ndryshim rrënjësor në godinën e kryeministrisë. Qeveria shqiptare i ngarkoi Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), një institucion që u krijua në vitin 1993 me mision zbutjen e varfërisë në zonat rurale, zbatimin e një projekti të quajtur “Parku Eden” me vlerë 431 milionë lekë.

“Parku Eden” është një projekt i studios “Precht”, e themeluar nga arkitekti austriak Chris Precht, e specializuar në përdorimin e materialeve natyrale me ndikim të pakët në mjedis.

Dokumentet standarde të tenderit prej 431 milionë lekësh specifikojnë kriteret që duhet të plotësojnë zbatuesit e kësaj “pune publike”, por nuk specifikojnë si do të paguhet studio “Precht” për këtë projekt.

Image

Rama tha për mediat se qeveria nuk do shpenzojë asnjë qindarkë, e vërteta?

‘Së pari njëherë qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për asnjë lloj isntalacioni në mjediset e Këshillit të  Ministrave. Qeveria ka ndërmarë një program të energjisë së rinovueshme diellore që do të shtrihet në të gjitha institucionet, duke filluar nga Kryeministria dhe nga të gjitha ministritë, dhe nuk bëhet fjalë për një vepër arti, bëhet fjalë për një projekt energjie të rinovueshme të kombinuar me krijimin e një mikroklime dhe të mjediseve të reja të punës për të cilat ka nevojë aty’, shprehej Rama për gazetarët.

Projektbuxheti i vitit 2023 që hedh poshtë deklaratën e Kryeministrit Rama

Projektbuxheti i vitit 2023 hedh poshtë deklaratën e Kryeministrit Rama se qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për asnjë lloj instalacioni në mjediset e Këshillit të Ministrave.

E vërteta është se në programin e projekteve që klasifikohen si investime publike, Fondi Shqiptar i Zhvillimit merr nga buxheti i shtetit 407 milionë lekë për ndërtimin e instalacionit të drurit për vitin e ardhshëm si dhe 7 milionë lekë të tjera në vitin 2024.

Po ashtu, ndryshe nga sa pretendon kreu i qeverisë, tabelat e projektbuxhetit tregojnë se këtë vit janë paguar 103.5 milionë lekë. E thënë ndryshe, Fondit Shqiptar të Zhvillimit i është vënë në dispozicion 20% e shumës totale të projektit nisur nga detyrimi ligjor që dikton ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.”

Çfarë thotë ligji i investimeve publike

“Për angazhimet buxhetore shumëvjeçare, që lidhen me projekte të reja investimesh publike, gjatë vitit të parë të zbatimit të tyre nuk lejohet që në buxhetin e njësisë përkatëse të qeverisjes së përgjithshme të shpërndahen më pak se 20 për qind e vlerës së plotë të projektit përkatës.”

Ndërhyrjet artistike në Kryeministri gjatë 3 mandateve të Ramës në monumentin e kategorisë së dytë 

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri transformon apo krijon hapësira me funksione të reja në Kryeministri, kujtojmë këtu Qendrën për Hapje dhe Dialog, COD, e cila u hap për herë të parë më 8 korrik 2015.

Gjithashtu e krijuar posaçërisht për Kryeministrinë në atë periudhë ishte dhe vepra “The triple Giant Mushroom“ nga Carten Holler, shkruante Citizens Channel.

E modeluar sipas tre llojeve të ndryshme të kërpudhave të egra – varietete helmuese dhe të ngrënshme – skulptura, shpjegon artisti, është një koment për politikën shqiptare, ndërsa ngjyrat e saj mund të shihen si një dremitje ndaj trashëgimisë së politikës së diskutueshme vizuale të kryeministrit Edi Rama në kryeqytetin shqiptar.

Image

Ndërsa në hyrje godina ndriçohet nga një tjetër vepër artistike me dritë e quajtur “Marquee” nga Philippe Parreno, edhe ky një tjetër “donacion artistik“ për Kryeministrinë. Sipas artistit Parreno, skulptura e pezulluar vepron si një pikë takimi midis kulturës dhe politikës politike, njohurive dhe mendimit kritik, jashtë dhe brenda.

Image

Edhe pse “Marque“ është konsideruar një ndërhyrje e paligjshme në fasadën e një monumenti të kategorisë së dytë siç është Kryeministria.

Çfarë thotë ligji për monument kulture siç është godina e Kryeministrisë

Neni 27 i Ligjit për “Trashëgiminë Kulturore” thotë shprehimisht: “Monumente kulture të kategorisë II janë të gjitha ndërtimet në zonat-muze dhe në ato zona të mbrojtura të qyteteve-muze në qendrat historike, të pacilësuara monumente të kategorisë I. Ato ruhen vetëm në vëllime dhe përbërje arkitektonike të pamjeve të tyre të jashtme”./ Marrë nga Vox News

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here