Një në katër shqiptarë jetojnë në mospasje deri në mjerim. Kjo do të thotë se ata e kanë të pamundur të ushqehen mirë, të ngrohen, duke mos mundur madje as të kurojnë as sëmundjet më të lehta. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në vitin 2021 ishin 622 mijë shqiptarë nga rreth 621 mijë në 2020 që jetuan nën kufirin e varfërisë. Harta e të varfërve është zgjeruar kështu me mbi 1 mijë individë.
Ndërkohë është gati gjysma e popullsisë që rrezikon të rrëshqasë në varfëri këtë vit. Ky tregues është sa 2-fishi i mesatares së Bashkimit Europian dhe ndjeshëm më i lartë se në vendet e Rajonit.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gati 44 për qind e shqiptarëve marrin të ardhura mujore sa për të plotësuar nevojat më bazike, ekuilibër që rrezikon të prishet nga rritja e çmimeve.
“Rritja e vrullshme e çmimeve e përkeqëson menjëherë situatën ekonomike të shqiptarëve. Duhet theksuar se po rriten çmimet e elementeve jetike”, vijon sociologu.
Për sociologët, niveli i lartë i varfërisë është përgjigjja e pyetjes: Pse largohen Shqiptarët?
“Më kujtohet një shprehje e Heinrich Heine, një poeti të madh gjerman i cili e ka përjetuar vetë emigracionin. Ai thoshte: Ç’më duhet një Atdhe që më katandis si një luftëtar të rreckosur?”, përgjigjet Dervishi.
Të dhënat nga INSTAT nga matja e të ardhurave dhe niveli të jetesës për vitin 2021 tregojnë gjithashtu se gati 26 për qind e familjeve që kanë fëmijë rrezikojnë varfërinë, duke mos mundur t’u ofrojnë këtyre të fundit një jetesë të denjë.
A2CNN