Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka denoncuar sot një rast “standardi të dyfishtë” të dënimit të një qytetari me 8 muaj burg vetëm se po rregullonte banesën e tij pa leje.
Në postimin e tij ai shkruan se patronazhistët kanë zbuluar se 63 vjeçari, baba i 4 fëmijëve po rregullonte banesën e tij pa leje ndërkohë që nuk shohin kullat pa leje të oligarkëve, në mes të Tiranës.
Fshati i thellë malor Skroskë ndodhet 2 orë larg Librazhdit, por syri vigjilent i patronazhistëve të Edi Ramës, që nuk sheh kullat pa leje në mes të Tiranës, zbuloi se 63-vjeçari Sami O., baba i 4 fëmijëve të mitur, po rregullonte pa leje banesën e tij.
Ndërkohë që oligarkët dhe klientët e Edi Ramës të kapur në flagrancë në zemër të kryeqytetit në shkelje të ligjit për kate, pallate dhe kulla pa leje amnistohen dhe nuk penalizohen, madje shpallen edhe fitues të tenderave dhjetëra milion euro, prindi i katër vogëlushëve Sami O. nga Skroska dënohet me 8 muaj burg në prag të festave të fundvitit.
Ky është standardi i dyfishtë dhe modeli qeverisës shtypës i Edi Ramës: Favorizim, legalizim, liri dhe pasuri për oligarkët dhe të fortët. Ndëshkim, arrestim, burg dhe mjerim për më të varfërit dhe më të dobtët.
Ky shtet që po degradon përditë në një regjim fashist do të shembet përpara vullnetit të qytetarëve të lirë!” shkroi Tedi Blushi ne faqen e tij ne Facebook.