Rama shtrëngon radhët e SHISH me largimin e Bendos nga detyra

0
154

Përcjellja e Helidon Bendos për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u njoftua përmes një takimi kortezie që pati në kryeministri, ku Rama i lidhi edhe një rrogë si këshilltar. Dorëheqjen nga Shërbimi Informativ Shtetëror, Rama e arsyetoi me faktin se Bendo do të vazhdojë studimet në SHBA.

Vendimi për ta larguar Helidon Bendon nga detyra nuk vjen surprizë. Prej disa muajsh në krye të institucionit ishte emëruar Oljan Kanushi, një prurje direkte e strukturave të Partisë Socialiste në detyrat shtetërore. Katapultimi në SHISH  u bë nga zyrat e kryeministrisë.


Propozimi i Bendos nga Rama në 2017

Helidon Bendo u propozua drejtues i Shërbimit Informativ Shtetëror në vitin 2017 nga Edi Rama.
Bendo nuk u prit mirë nga presidentit i atëhershëm Ilir Meta, i cili ia vonoi dekretin e emërimit për thuajse një vit.

Meta e vonoi, por nuk e refuzoi dot Bendon.

Në media u raportua se në ditën e parë në detyrë të shefit të SHISH, në hyrjen e institucionit u panë makinat me targa diplomatike, që i përkisnin ambasadës amerikane.

Goditja nga hakerat iranianë

Nën drejtimin e Helidon Bendos, reputacioni i Shërbimit Informativ Shtetëror kapi pikën më të ulët që ka pasur ndonjëherë. Lista e plotë të punonjësve të këtij institucioni u publikua nga hakerat iranianë.

Hakerat kishin pasur akses në sistemet kibernetike të shtetit shqiptar për gati një vit, duke kryer një “plaçkitje” të paprecedentë të informacioneve sekrete.

Kulmi arriti me publikimin e postës elektronike të dy drejtorëve, Helidon Bendos të SHISH dhe Gledis Nanos te Policisë së Shtetit. Këta të dy ishin në majë të institucioneve që duhej të garantonin sigurinë në vend. Të dyve iu publikuan të dhënat personale dhe profesionale.

Marrëdhënia me ambasadën amerikane

Shërbimi Informativ Shtetëror tradicionalisht ka pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë me ambasadën amerikane në Tiranë. Dhe largimi i Helidon Bendos vjen në një atmosfere aspak miqësore mes qeverisë dhe ambasadës amerikane.

Mesazhi i Ministrisë së Jashtme për largimin e Yuri Kim nga detyra, përplasja për kreun e SPAK Altin Dumani, refuzimi i socialistëve për të votuar Dvoranin në Gjykatën Kushtetuese janë dëshmi se qeveria dhe ambasada nuk po kalojnë një muaj mjalti.

Në këtë linjë ishte edhe shpjegimi që i bëri kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha largimit të Helidon Bendos nga detyra. Një javë më parë, Berisha i parapriu kësaj që do të ndodhte. Sipas tij Ramës i duhet informacion i plotë mbi operacionet e shërbimeve partnere në vendin tonë dhe Bendo nuk e jepte këtë garanci.

“Në qoftë se Edi Rama e konsideron atë spiun të amerikanëve, francezëve, apo gjermanëve ai duhet të bëjë transparencë para shqiptarëve” u shpreh Berisha, sipas të cilit Oljan Kanushi është thjesht një militant i verbër nga enturazhi i ngushtë i Ramës./Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here