Sistemi i dështuar i menaxhimit i përmbyt lumenjtë nga mbetjet

0
115

Në grykëderdhjen e lumit Ishëm, peshkatari amator, Viktor Saka del nga deti me çizme të lagura dhe pasi kërkon për 30 sekonda mes mbeturinave, i zëvendëson ato me dy shapka në ngjyra të ndryshme.

Bregdeti në veri të kepit të Rodonit i ngjan një landfilli të madh plastike, ndërsa e gjithë rëra është e mbuluar nga mbeturinat. Mbetjet mbërrijnë aty nga lumi Ishëm, i cili kalon përmes zonës më të populluar të Shqipërisë në Tiranë, Kamzë, Krujë dhe Fushë-Krujë.

“Tashi nuk të merr malli me ardh me gjujt mo këtu, arsyeja është sepse shihe. Këto mbetje vijnë direkt, nga fillo lumi nga Tirana e deri gjithë. Këtu vijnë mbetje spitalore, mbetje supermaketi me etiketa nga Tirana,” tha Saka, 63 vjeç për BIRN.

Specialistët e mjedisit thonë se ndotja e grykëderdhjes së Ishmit dhe një sërë lumenjsh të tjerë në Shqipëri, është pasojë e keqmenaxhimit të trajtimit të mbetjeve në të gjithë vendin. Situata vazhdon të mbetet shqetësuese edhe pasi qeveria ka harxhuar me dhjetra miliona euro në projekte si ato të inceneratorëve për menaxhimin e mbetjeve.

Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore “Eco Albania” thotë se ndotja është pasojë e mungesës së një sistemi efikas të menaxhimit të mbetjeve.

“Njësitë administrative që janë pjesë e pellgut të Ishmit, nuk e kanë një sistem të tillë efektiv, çka i detyron qytetarët, duke mos e përjashtuar pjesën e kulturës, t’i hedhin mbetjet pranë përroskave pranë linjave të ujit dhe ato pastaj aty do të grumbullohen në atë pellgun e madh,” tha Nika.

Pasojat e ndotjes nuk janë të pranishme vetëm në shkatërrimin e peizazhit. Plastika e mbetjeve, të cilën toka nuk arrin ta shkatërrojë, shpërbëhet gradualisht në grimca të vogla, që për shkak të pamjes së tyre, gëlltitet nga peshqit e përfundon më pas si ushqim për njerëzit.

Një studim i vitit 2016, i bërë në një sërë vendesh të Ballkanit, gjeti mbetje të plastikës në peshq të vegjël dhe të mëdhenj në zonën e Ishmit.

“Në të gjithë peshqit, pa përjashtim, në peshqit me përmasa mbi 30 centimetra kishte mikroplastika në stomakun e peshkut dhe në zorrët. Në peshqit më të vegjël, açuge, sardele, kishte prezencë, por jo në të gjithë individët,” tha Jerina Kolitari nga departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Mjedisorët shpjegojnë se plastika që përfundon në det nuk shkatërrohet, por mbetet në trupin e njeriut dhe bëhet burim sëmundjesh.

“Këto bëhen shkak për një sërë sëmundjesh, duke filluar nga tumoret e kancerët,” shtoi Nika.

Një dokument i Ministrisë së Mjedisit i vitit 2020, në të cilin bëhet Vlerësimi Strategjik Mjedisor i grykëderdhjes së Ishmit, thotë se situata në zonë është urgjente dhe se vetëm “një plan i mirëfilltë menaxhimi” për mbetjet e bashkive dhe më pas pastrimi i mbetjeve të vjetra mund të japë zgjidhje.

Megjithatë, të vetmet masa të ndërmarra në këtë zonë janë disa aksione vullnetare, suksesi i të cilave mbetet kryesisht tek sensibilizimi.

Për ish-zv.ministren e Mjedisit, Ornela Çuçi, aksionet vullnetare nuk konsiderohen zgjidhje për problemin.

“Shqipëria nuk mund të pastrohet me fshesë shqope dhe as me aksione vullnetare dhe as me aksion, ka nevojë patjetër për sistem,” tha ajo.

Ekspertët shtojnë se problemi historik i derdhjes së mbetjeve në lumenj po u faturohet edhe vendeve të tjera, pasi rrymat detare e përcjellin shumicën e mbetjeve drejt Veriut të Adriatikut në Mal të Zi dhe në Kroaci./BIRN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here