Aktori Edmond Budina deklaroi nga inceneratori i Tiranës ku po mbahet protesta e thirrur nga Partia e Lirisë se në Shqipëri drejton mafia dhe nuk ekziston qeveria.
Aktori bëri thirrje që protestat të mos ndalen kundër mafies në pushtet ndërsa shtoi se inceneratori inekzistent i Tiranës është skenë krimi, dhe paratë e qytetarëve janë vjedhur.
Ai hodhi akuza të forta teksa tha se mafia në pushtet vrau Ardit Gjoklajn për interesat e veta dhe theksoi se në të njëjtën mënyrë veproi edhe me Teatrin Kombëtar, të cilën e shembën me njerëz brenda.
“Mafia bën ligjin në këtë vend. Kjo është fatkeqësia më e madhe e këtij vendi që nuk i ka ndodhur asnjëherë. Bandat bëjnë ligjin. Fakti, ja ku është krimi, inceneratori i Tiranës që nuk ekziston.
Paratë tuaja të vjedhura. Ja ku është skena tjetër e krimit, Teatri Kombëtar. E shembën në mënyrë të jashtligjshme me njerëz brenda, mafia nuk pyet për jetën e njerëzve, këta janë kriminelë, mafia është gati të vrasë, siç vrau dhe Ardit Gjoklajn për interesat e veta.
Nuk duhet të ndalemi asnjëherë. Çdo protestë duhet të ketë rezultat. Jo më protesta për të shtuar radhën. Kemi protestuar 2 vjet në Teatrin Kombëtar në mënyrën më paqësore të mundshme.
Përgjigja e shtetit ishte dhuna, deshi të na vriste. Nuk ju intereson teatri, por trualli për të ndërtuar kulla dhe për të pastruar paratë e pista të krimit.”-tha Budina.