Tensione në protestë, teksa qytetarët janë përplasur me policinë ka sjellë dhe frikë te fëmijët e pranishëm që kanë nisur të qajnë.
Përplasja ka zgjatur pak minuta, teksa policia është vendosur gardh për të mos lejuar avancimin e protestuesve.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur para godinës së Ministrisë së Brendshme, duke protestuar për vdekjen e 7-vjeçares dy ditë më parë në Himarë, e cila u përplas nga një skaf.
Disa prej tyre kishin marrë edhe fëmijët në protestë, për të treguar se kjo protestë po bëhet për ta.
Ata thanë se faji në lidhje me ngjarjen e rëndë, është i shtetit dhe se nuk kanë sigurinë për jetët e tyre, por edhe të fëmijëve.
“Pikërisht për këtë gjë, na duket sikur nuk ka lëvizur asgjë që kur ka ndodhur kjo fatkeqësi. E kam përjetuar shumë keq. Duket që është faji i shtetit. Pse mos ta merrja fëmijën? Ta kuptojnë që kjo është diçka ndryshe.
Unë kam ardhur për atë fëmijën 7-vjeçar, më ka ardhur shumë keq. Nuk e di çfarë shteti është ky. Në mes të rërës të dalë skafi me dy motorë. Kemi ardhur të protestojmë, këta janë të çmendur. Nuk besoj se nuk do ketë ndërgjegjësim. Është diçka shumë e rëndë, i njihja familjarët e saj, janë njerëz të urtë”, u shprehën disa protestues.