Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili e konsideroi atë dhe rivalet e tjerë si “vampirë politikë”.
Sipas ish-Presidentit Meta, Ramës po i afrohet koha për mjekim.
Nga Fieri, Meta u shpreh se për shkak të një kryeministri diletant, shteti ka falimentuar dhe në vend nuk ka siguri dhe rend.
“Lidhur me zotërinë, ju e dini që të gjithë ata që kanë probleme si ai, në këtë stinë pak të ngrohtë u rëndohen problemet e shëndeti, koha e mjekimit po afron. Ajo që mund të them është se Shqipëria është në një gjendje emergjence, shteti ka rënë në çdo aspekt, ka falimentuar për shkak të një kryeministri diletant që bën eksperimente kundër shtetit dhe ka falimentuar gjithçka, që nga siguria dhe rendi publike, deri tek bujqësia që është në një gjendje zie”.
“Një njeri që nuk ndalet se vjedhuri në kohë pandemie, që falsifikon numrin e të vdekurve në pandemi, një njeri që përdor dhe tërmetin për të vjedhur, bën çdo akuzë”, tha Meta.
“Rama punon çdo ditë kundër të gjithë shqiptarëve. Shikoni rrogat më të ulëta, pensionet më të ulëta, çmimet më të larta. Shikoni vetëm një njeri që do të shfajësohet pas 10 vitesh në pushtet kur kontrollon të gjitha pushtetet në vend. Nuk ka lënë njeri në Shqipëri pa gjobitur për t’i mbajtur nën presion dhe shantazh. Sot kërkon të bëjë viktimën, se autori i vrasjeve me arrogancën e tij, është ai. Është ai që u jep siguri politike dhe garanci për pandëshkueshmëri. Siç e kemi parë dje, siç e kemi parë në rastin e të ndjerit Rasha. Këta bëjnë si të fortë me popullin se kanë atë, por e patë në Elbasan si rrinin para të fortëve, rrinin sus”.