FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA, NË KONFERENCËN PËR MEDIAT
Tmerri i protestës e ka detyruar Edi Ramën të shpallë ‘Sali-dependencën’, ka caktuar konferencë shtypi në të njëjtën orë me ne. Por natyrisht sytë, mendjet, zemrat e qytetarëve janë tek protesta mbarë popullore dhe zëri i saj sot në këtë tryezë.
Ndaj dhe unë jam këtu për të drejtuar thirrjen në emër të Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë, mbarë qytetarëve shqiptarë të bashkohen në datën 7 korrik, në orën 7 të darkës, në Bulevardin para Kryeministrisë, në protestën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë.
Motivet e kësaj proteste janë të jashtëzakonshme. Kurrë ndonjëherë 1 orë, 2 orë, 3 orë dhe më shumë të harxhuara në një protestë nuk kanë patur mision më të madh se sa protesta e datës 7 korrik.
Ky popull po injorohet nga regjimi autokratik i Edi Ramës. Njëlloj si një diktaturë e vërtetë. Akti i djeshëm në Parlament tejkalonte edhe imagjinatën. Dje Edi Rama me ligj vendosi që qindra milionë euro të fituara duke pirë gjakun e shqiptarëve me borde shushunja, duke rritur çmimet, qindra milionë euro që u fituan nga shtimi i të ardhurave të taksës së vlerës së shtuar për shkak të rritjes së çmimeve, në vend që t’u riktheheshin atyre që kanë problem kafshatën e gojës, në vend që t’u riktheheshin atyre që nuk blejnë dot ilaçet për shkak të çmimeve, në vend që t’u riktheheshin atyre që po u falimentojnë bizneset dhe fermat, Edi Rama i shpërndau me klientelën e tij, ua dha një grupi kompanish ndërtimi të cilat kanë fituar tendera sipas ligjit të ri të korrupsionit me 99.99% të vlerës, si kurrë ndonjëherë.
Ata të cilët kanë fituar tenderat, pra me çmimet më maksimale, ata po marrin bonusin e ri. Natyrisht për ta ndarë me Ramën dhe qeveritarët e tij. Nuk ka akt më cinik, më çnjerëzor se ky. Si mund të bëhet kjo? Si mund të ndodhë kjo? Ti këto para që dolën nga rritja e çmimeve, të cilat janë në vetvete dhimbje, djersë dhe sakrificë e madhe e njerëzve që punojnë, duhet të bëje gjithçka që t’ua riktheje një pjesë të madhe atyre, dhe jo klientelës.
Pra, një dekret qeveritar i pashembullt në histori. Çdo vend në periudhë krize të tillë bën dekrete, vetëm për të lehtësuar njerëzit në nevojë, për të rritur ndihmën ekonomike ndaj njerëzve. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Ndaj dhe e dënova dje në Parlament, e dënoj edhe këtu para jush.
Ju bëj thirrje qytetarëve këtë qëndrim cinik, këtë shpërfillje të dënueshme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij ndaj tyre ta shndërrojnë në një revoltë të fuqishme qytetare, të bashkohen në datën 7, i 7-ti, në orën 7 për një protestë të fuqishme qytetare. Të bëjmë që zëri i qytetarëve të dridhë nga themelet këtë regjim autokratik, kleptokratik të bazuar mbi vjedhjet, drogën dhe krimin. Qytetarët shqiptarë janë të ftuar me datën 7, i 7-ti, në orën 7 të protestojnë për ndryshimin e këtij vendi. Sot Shqipëria është vendi që rrit fëmijë për emigracion. Pavarësisht nga potencialet e saj mahnitëse, të rinjtë largohen nga ky vend njëlloj sikur të ishin në konflikt civil. Dhe kjo për shkak të politikave të spastrimit etnik që ndjek Edi Rama.
Në të gjitha takimet unë gjej një thirrje që buron nga thellësitë e shpirtit të qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë, për t’u bashkuar në këtë protestë si sipari i një rruge që do të çojë në përmbysjen e pushtetit autokratik të Edi Ramës dhe rivendosjen e demokracisë në Shqipëri. Edi Rama ka vendosur pushtetin e tij monist të plotë. U rikthye tërësisht në modelin e etërve të tij sa i përket kontrollit të pushtetit. Ai sot, si askush tjetër përveç Lukashenkos, kontrollon të gjitha pushtetet.
Çdo ditë që kalon në këtë gjendje, është një ditë jo e mirë, një ditë jo e mbarë, për të gjithë shqiptarët që besojnë në lirinë dhe vlerat e saj. Ndaj dhe thirrja ime është sot, e përsëritur për qytetarët, për fermerët, për biznesmenët, për profesionistët, mjekët, inxhinierët, avoketërit, inxhinierët, arkitektët, noterët, zonjat, vajzat, burrat, gratë, që të gjithë, të bashkohemi në këtë protestë për të shpëtuar Shqipërinë.
Ka vetëm një rrugë të sigurt, kjo është protesta qytetare!
Dhe unë kam besim të plotë se kjo rrugë do të sjellë fitoren e merituar të popullit opozitar i cili nuk kërkon asgjë tjetër, veçse pushtetin me votën e tij të lirë.