Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi në konferencën “Të rikthejmë Shqipërinë në rrugën evropiane” se Edi Rama po na rreshton në anën e kundërt të historisë.
“Një ambiguitet në kundërshtim me vokacionin e tij, ka shoqëruar në kohëra udhëtimi
Në fundin e Luftës së Dytë Botërore, ne u rreshtuam në krahun e zi të historisë, në krahun e kundërt të vokacionit tonë si komb, identitetit tonë si komb. Vazhduam atë rrugë për 46 vite me radhë.
Këto 30 vite ishin vitet kur motoja e rilindësve tanë u bë një moto udhëheqëse për vendin me synimin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane të kombeve të zhvilluara, aty ku e kishin parashikuar rilindësit tanë në doktrinën e tyre.
Ky udhëtim nuk ka qenë i lehtë për shqiptarët, të cilët vërtet jetonin në një vend evropian, por në shumë aspekte jetonin në një territor ndër më të skajuarit e planetit.
Megjithatë, në këtë rrugë u arrit jo pa vështirësi, anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO. U arrit, në përputhje me standardet e kërkuara, marrja e statusit kandidat të vendit. Gjithçka ndaloi pas marrjes së këtij statusi gjatë këtyre viteve të qeverisjes së Edi Ramës. Standardet e arritura u shpërbënë dhe e vërteta është se në mënyrë të përsëritur, mendoje se ky njeri, nuk ka asnjë interes për integrimin e Shqipërisë në BE.
Megjithatë, ky proces është një proces me fuqi të madhe shtytëse. Por, çfarë qëndrimi mbajtëm ne shqiptarët ndaj këtij procesi? Ne mbajtëm ndaj këtij procesi një qëndrim shumë të mefshtë. Nëse u referohemi debateve në shoqërinë tonë, nëse u referohemi editorialeve, opinioneve, ato në fakt janë shumë larg atij niveli që duhet të ishin në përputhje me rëndësinë jetike të këtij procesi.
Pra, në këto tetë vite, jo vetëm që nuk u rrit ndërgjegjësimi për rëndësinë jetike të këtij procesi, por më shumë u propagandua nga qeveria një Europë që ka problemet e veta të mëdha, që ato probleme i pasqyron te ne. U kalua në vulgaritete absurde që ne jemi gati për martesë, por nusja nuk po na vjen. Të gjitha banalitete për konsum në shoqërinë tonë,” tha Berisha.
“Kjo që po ndodh këto ditë, është në një formë, përsëritje e asaj që ndodhi në vitet 44-45. Në ç’kuptim? Në kuptim të rreshtimit. Në ato vite, ne u rreshtuam në anën e kundërt të historisë. Këto vite përsëri po rreshtohemi nga një njeri, në anën e kundërt të historisë.
Kjo ndodhi para syve tanë. Ballkani i Hapur i themeluar në Novisad, sipas Aleksandër Vuçiç, u shpall se kjo është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipëri. Edi Rama pranoi hegjemoninë serbe në rajon.
Në këtë proces u konsoliduan lidhjet me Beogradin dhe Moskën dhe ne jemi dëshmitarë të këtyre. Ky proces solli një përçarje dhe luftë të ftohtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky proces solli atë që asnjë shqiptar që sheh si të ardhmen më të mirë BE-në, nuk mund ta imagjinonte. Ndodhi që një aventurier, një vasal, një apatrid, pa interesa vendi dhe interesa kombëtare, të deklarojë dje se refuzoj ftesën, nuk kam pse shkoj në Bruksel. Ky vendim merret absolutisht përpara në Beograd, shpallet nga padroni i tij. Ai të paktën me njëfarë etike, se thotë do mbledh qeverinë. Kurse ky i bindet padronit”.