Shkoi për të vrarë, por ra në pritë. Kush e tradhtoi Nuredin Dumanin në Papër të Elbasanit?

0
328

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet e SPAK pas mega operacionit të zhvilluar pak ditë më parë që çoi në arrestimin e disa personave që lidhen me krime të rëndë të ndodhur kohët e fundit.

Referuar të dhënave hetimore nga SPAK, ABC mëson se në ngjarjen e ndodhur më 29 Mars, Nuredin Dumani dyshohet se është tradhtuar dhe nxjerrë në pritë. Rezulton që i vetmi që ka pasur dijeni për lëvizjet e Nuredin Dumanit, ka qenë bashkëpunëtori i tij Henrik Hoxhaj po ashtu i arrestuar pas ngjarjes së ndodhur në Papër të Elbasanit. Burime për ABC bëjnë të ditur se nga të dhënat hetimore të SPAK, rezulton se Henrik Hoxhaj të ketë nxjerrë Nuredin Duamanin në pritë. Nga të dhënat rezulton se Henrik Hoxhaj është kontaktuar nga anëtarë të grupit kriminal të Talo Çelës, për të nxjerrë në pritë Nuredin Dumanin në Papër të Elbasanit.

I pyetur në SPAK për ngjarjen e 29 marsit ku Nuredin Dumani, mbeti i plagosur, Henrik Hoxhaj ka ngritur alibinë se bashkë me Dumanin kishin shkuar në Elbasan për të vrarë biznesmenin Elton Kila. Dumani fillimisht ka kontaktuar Henrik Hoxhajn për të vrarë Elton Kilan (Otin e Elbasanit), por duke qenë se Henriku nuk po e gjente “porosinë” Nuredini ka ardhur vetë nga Kosova.

Të njëjtar burime, bëjnë të ditur për ABC se Henrik Hoxhaj ka dhënë koordinatat e sakta të Nuredin Dumanit tek atentatorët, të cilët dyshohet se u porositën nga Talo Çela për të vrarë Dumanin. Lidhur me atentatin Nuredin Dumani, është shprehur se i kanë qëlluar tre persona me maska të cilët lëviznin me një makinë “Benz” me targat e vjetëra të Elbasanit. Njëri prej personave me maska, dyshohet të ketë qenë shtetasi Fatos Gosa.

Nga atentati Nuredin Dumani mori një plumb në kurriz duke u plagosur rëndë. Ai ka telefonuar Henrik Hoxhajn duke i thënë se është plagosur. Më pas Henrik Hoxhaj ka shkuar tek vendi ku u plagos Dumani dhe më pas janë transferuar në Fier në banesën ku edhe u kapën nga policia. Dumani i plagosur pasi ka marrë mjekime paraprake ka ngritur dyshime tek miku dhe bashkëpunëtori i tij Henrik Hoxhaj, pasi sipas tij vetëm ai kishte dijeni për vendndodhjen. Dumani ka ngritur dyshime se u tradhtua nga Henrik Hoxhaj dhe këto dyshime i ka kthyer në bindje. Në bashkëpunim me të dashurën e tij nga Kosova, Nuredin Dumani duke qenë edhe në gjendje të rëndë shëndetësore, rezulton që e ka telefonuar vetë policinë duke treguar vendndodhjen dhe duke mundësuar arrestimin e tij por edhe të mikut që dyshohet se e tradhtoj, Henrik Hoxhaj.

Si u arrestua Dumani?

Nuredin Dumanit, i dyshuar si autor i shumë vrasjeve të ndodhura në vitet e fundit, u kap në një apartament në lagjen “Apollonia” në Fier ku po merrte ndihmë mjekësore, pasi më parë ishte plagosur gjatë ngjarjes së ndodhur pasditen e 29 marsit, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në afërsi të fshatit Papër. Në vendin e ngjarjes u gjet vetëm kjo fuoristradë tip BMË me shenja plumbash dhe e braktisur. Makina rezultoi me targa të vjedhura në Durrës në Prill të 2021, ndërsa brenda saj u sekuestrua një armë tip kallashnikov dhe një bidon me 5 litra benzinë. Këto të dhëna çuan hetuesit në dyshimet se mjeti do të përdorej në atentat. Ndërkohë nga këqyrja e vendit të ngjarjes u sekuestruan rreth 20 gëzhoja. Në banesën ku fshihej Nuredin Dumani, u gjet edhe një armë zjarri kallashnikov. Fqinjët e Dumanit tregojnë ai jetonte në këtë apartament prej pak kohësh. Pas arrestimit, Dumani u dërgua fillimisht për ndihmë në Spitalin e Fierit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë. Emri i tij del në pjesën më të madhe te dosjeve për vrasjet e kryera në Elbasan, Peqin e Durrës në 2 vitet e fundit. Dosja kryesore në të cilën Dumani akuzohet si bashkëpunëtor i Talo Çelës, është ajo e vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në Pranverën e 2020-ës. Pas kësaj vrasje, dyshohet se marrëdhënia e tyre u prish, e kjo për shkak se Prokuroria e Elbasanit beson se Dumani është ekzekutor i Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.

Çfarë ka deklaruar Nuredin Dumani për ngjarjen në Papër:

Nuredin Dumani në lidhje me këtë ngjarje ndër të tjera ka shpjeguar se ka qenë Suel Çela që i ka kërkuar që të vrasë shtetasin e thirrur Oti. Sueli i çonte foton e Otit në telefon. Duke qenë se Henriku nuk po e gjente Otin Nuredini ka ardhur vetë nga Kosova. Në deklarimet e tij shtetasi Nuredin Dumani ka shpjeguar hollësisht rrethanat lidhur me këtë fakt penal dhe personat e përfshirë në kryerjen e këtij akti.

Çfarë ka deklaruar Hnerik Hoxhaj për ngjarjen në Papër:

“Nuredinin e kam njohur tek ditëlindja e një mikut tonë të përbashkët. Njohja ime me Nuredinin ka qenë graduale dhe me kalimin e kohës unë e kam forcuar lidhjen time me të. Gjatë periudhës 3-4 vjeçare kontaktet nuk i kemi pasur të shpeshta me përjashtim të rasteve kur Nuredini më kërkonte ta ndihmoja për të bërë ndonjë punë periudha në të cilat i kemi shpeshtuar kontaktet dhe lidhjet me njëri tjetri.

Nuredini ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë për të cilën e kishte porositur më parë. Konkretisht rreth 15-20 ditë para se të vinte Nuredini më ka shkruar mesazh në telefon duke më dërguar foton e një personi në Elbasan emrin e të cilit nuk e di, por më ka treguar se ai kishte një pikë shitje automjetesh e cila ndodhet përpara Restorant “Zykollari” në krah të një karburanti dhe mobilierie” – rrëfen Henrik Hoxha.

Më tej Henriku ka shpjeguar se ka vajtur disa herë në Elbasan që të vriste personin foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredini me foto. Nuredini i ka premtuar se do të paguhej 70 000 Euro. Pasi ka studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredini që ta kryenin bashkë vrasjen.

Sipas SPAK, më datë 26.03.2022 kanë vajtur me Nuredinin për të vrarë personin në fjalë por nuk e kanë parë. Më tej Henriku shpjegon se kanë vendosur të shkojnë në Elbasan në datën 29.03.2022 për të mbaruar punën.

“Ne jemi nisur nga Fieri rreth orës 09.15, unë dhe Nuredini, ai me BMV X5 me targa AA…. dhe unë me automjetin Benz me targa AA…. Unë isha para BMV për të hapur rrugën dhe Nuredini pas meje. Para se të niseshim, Nuredini ka futur në automjetin BMV X5 dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta. Unë kam ndaluar për t’i hedhur benzit tim karburant në një karburant që nuk kishte kamera para se te shkosh te Jet Oil në Rrapëz.

Kam hedhur 30 mijë lekë naftë ndërsa Nuredini në këtë kohë ka parkuar në rrugë para karburantit tek një xhep rruge. Pasi hodha naftën unë jam nisur për destinacion dhe rreth orës 11.30 kam arritur në Elbasan. Unë vazhdoj për në qytet duke marre unazën dhe jam kthyer tek karburant “Feleqi” ndërsa Nuredini me BMV e tij ka qëndruar tek vendi ku rrinte zakonisht tek kryqëzimi Cërrikut.

Nuredini do të qëndronte aty derisa unë ta njoftoja që kisha në sy personin qe do të vrisnim. Në ikje e sipër kam kaluar para vendit ku shet makina personi qe do vrisnim dhe nuk e kam parë të ishte aty dhe për këtë arsye kam futur makinën time për ta larë tek një lavazho që është përballë me servis “Kadiun” dhe vetë jam ulur në lokal për të pirë një birë.

Kam qëndruar tek lokali rreth një orë e gjysmë dhe më pas bëra një xhiro me makinë duke kaluar para pikës së shitjes së makinave të personit që do të vrisnim me qëllim për të parë nëse personi ishte aty por nuk e kam parë personin aty dhe kam vazhduar rrugën për qytet dhe më pas jam kthyer dhe kam shkuar për të ngrënë diçka tek lokali “Eurodriza” tek Rotondo në hyrje të Elbasanit.

Gjatë kësaj kohe unë i thashë Nuredinit se nuk e kisha parë personin që do vrisnim, por kam fiksuar një Benz të parkuar aty jashtë dhe e kam pyetur Nuredinin nëse personi që ne kërkonim kishte apo jo Benz por ai më tha që donte parë ai mjet.

Unë e pashë mjetin por nuk fiksova persona dhe kam njoftuar Nuredinin për faktin. Duke parë këtë gjë mosgjetjen e personit që ne kërkonim unë jam ulur për të ngrënë buke tek “Eurodriza” siç thashë ku kam qëndruar për një kohë të gjatë, dhe më pas jam çuar dhe kam ikur me mjetin Benz përsëri tek lavazho te “Kadiu”.

Qëndrova tek lavazhi dhe e lava përsëri mjetin nga jashtë për të shtyrë kohën dhe ndërkohë që automjeti po lahej vazhdoja komunikimin me mesazhe me Nuredinin. Ai më ka thënë se vazhdonte të qëndronte aty ku e kisha lënë në fillim tek kryqëzimi Cerrikut.

Në një moment Nuredini më pyeti me SMS duke më thënë që edhe kjo ditë na iku bosh. Pas këtij mesazhi unë kam qëndruar edhe rreth 10 minuta dhe jam nisur drejt Nuredinit, vendit ku ai kishte parkuar automjetin. Rrugës për aty më ka ndaluar policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë policët nga Nuredini më ka ardhur SMS ku më ka njoftuar të shkoja ta merrja se e kishin plagosur.

Unë nuk kam arritur ta pyes se çfarë ndodhi por kam ecur drejt tij. Unë kam konstatuar mjetin BMV X5 me targa AA801 të dëmtuar anash rrugës në krahun e majtë timin me drejtim Elbasan Peqin anash një restoranti. Ndalova tek mjeti duke marrë kthesën dhe kam shkuar direkt paralel me mjetin BMV.

Aty kam parë se mjeti BMV i kishte gomat dhe disqet e dëmtuara pashë shishen e benzinës së hapur dhe kam spërkatur pak me të me qëllim djegien e mjetit BMV por nuk kam mundur ta ndez. Gjithashtu kam fiksuar Nuredinin i ulur tek sedilja e parë e pasagjerit të mjetit BMV me këmbën e djathtë të zbritur poshtë dhe po lëvizte me vështirësi, por unë e kam kapur nga sqetullat për ta lëvizur pasi kishte dhimbje sepse më tha se ishte plagosur në kurriz.

Unë e kam futur Nuredinin në makinën Benz tek sedilja prapa nga ana pasagjerit dhe kur po e fusja në makinë kam parë se ai në xhepin e djathtë kishte një armë zjarri pistoletë model izraelit Boll-5 si dhe në sediljen e parë të pasagjerit ku ai ishte ulur gjendjen pistoleta model TT të cilën unë e kam futur në brezin tim.

Unë nuk kam fiksuar brenda mjetit BMV dy automatikët kallashnikov që kishte vendosur tek makina BMË Nuredini para se të niseshim. Mora TT e futa në brez, mora dhe armën Izraelite e lashë në makinë. Pasi hipa Nuredinin në makinë me shpejtësi jam nisur drejt Fierit pa ndaluar në asnjë vend.

Rrugës e kam pyetur Nuredinin se kush i kishte shtënë me armë dhe ai më ka thënë se një mjet Benz me targa të Elbasanit të vjetra ku ndodheshin tre persona me maska i kishin shtëne me armë në befasi. Direkt nga Elbasani kam shkuar tek shtëpia në Fier dhe me vështirësi e kam futur Nuredinin në ashensor dhe më pas tek shtëpia ku ishte e dashura e tij.

Kur e futa në shtëpi e kam zhveshur Nuredinin dhe pasi u zhvesh ai filloi të villte. Menjëherë duke parë gjendjen e Nuredinit kam dalë dhe kam kërkuar për ndihmë mjekësore ku kam gjetur shtetasit Bledar Berdalli, dhe dy tjerët nuk i njoh me emër të cilët i kam të njohur në qytet dhe janë me profesion mjek e infermier.

Të 3 ata kanë ardhur tek shtëpia dhe i kanë dhënë ndihmën mjekësore Nuredinit për sa kishin mundësi dhe më pas janë larguar. Rreth orëve të mbrëmjes orën e saktë nuk e di mua më ka kapur policia në trotuarin para pallatit ku ishte Nuredini dhe në brez më ka gjetur armën TT që kisha marrë nga makina e Nuredinit. Më pas kam parë që policia u fut edhe te hyrja e pallatit ku ishte Nuredini. Unë jam shoqëruar në polici dhe nuk fiksova gjë tjetër se çfarë ndodhi aty” – thuhet në dëshminë e Henrik Hoxhajt.

SPAK thotë në dosje se Nuredin Dumani në lidhje me këtë ngjarje ndër të tjera ka shpjeguar se ka qenë Suel Çela që i ka kërkuar që të vrasë shtetasin e thirrur Oti.

“Sueli i çonte foton e Otit në telefon. Duke qenë se Henriku nuk po e gjente Otin Nuredini ka ardhur vetë nga Kosova. Në deklarimet e tij Dumani ka shpjeguar hollësisht rrethanat lidhur me këtë fakt penal dhe personat e përfshirë në kryerjen e këtij akti” – shkruan SPAK.

 

14 të akuzuarit që janë në arrati:
Ervis Martinaj
Florenc Çapja
Talo Çela
Eljo (Ervis) Bitri
Festim Qoli
Alban Bengasi
Elvin Merlika
Alket Xhixha
Marjus (Suel) Lulaj (Çela)
Agron (Kamber) Mehja
Aleks Çela alias (Tom Qorri)
Agim Gjini
Mikael Qosja (Kamami) (Stefo)
Abedin Mama (Dine Çami)

GJKKO lë në burg 18 të arrestuarit :
1.    Nuredin Dumani, 35 vjeç
2.    Henrik Hoxhaj, 40 vjeç
3.    Altin Ndoci, 35 vjeç
4.    Erion (Andrea) Alibej, 36 vjeç
5.    Skerdi Tasi, 31 vjeç
6.    Elvis Koçi (Çaushllari), 30 vjeç
7.    Ilirian Feci, 47 vjeç
8.    Enver Diva, 43 vjeç
9.    Besjan Xhixha, 31 vjeç
10.    Ardjan Uzuni, 56 vjeç
11.    Leonard Palushi, 41 vjeç
12.    Gentian Sharra, 48 vjeç
13.    Fatos Gosa, 54 vjeç
14.    Florenc Çekrezi, 35 vjeç
15.    Petrit Qoli, 51 vjeç
16.    Agron Qoli, 52 vjeç
17.    Agron Qafa, 48 vjeç

/abcnews.al/ 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here