Nga Tritan Shehu
Përkeqësimi epidemik serioz në shumë vende, si në Kinë etj, është këmbanë alarmi për Shqipërinë, sepse realitetet teknike ngjasin! Tashmë është vështirë të parashikohet, veçanërisht vjeshta.
Ndërsa edhe në shumë vende të tjera alarmi po rritet, në vendin tonë vazhdohet të fshihen shifrat reale pa vepruar e përgatitur.
Kjo ndodh te ne që prej janarit 2020, duke humbur 24 mijë jetë njerëzish, mbi 50 mjekë, shumë shëndet, 190 milionë euro të paguara nga xhepi i qytetarëve etj.
Dhe sot vazhdohet të manipulohet me “zero” vdekje Covid me nën 40 raste të reja në ditë, pozitivitet testimi 2-3%.
Qesharake këto, kur Italia deklaron mesatarisht për një milion banorë, 2 vdekje dhe 350 raste të reja ditën, me një pozivitet të testimeve rreth 14%.
Ajo është me popullsi në tërësi të vaksinuar 85%, me dozën e tretë rreth 66%, me 33% të vaksinimit të moshës 5-11 vjeç, në fillim të dozës së katërt dhe vaksinimit prej 1 vjeç.
Asnjë profesionist nuk mund të gjejë ndonjë arsye tjetër të këtyre mega diferencave, përveç fshehjes së shifrave apo të një gjendjeje jashtë kontrollit.
Veçanërisht kur akoma ne nuk kemi vaksinuar me dy doza as 50% të popullsisë, me tre doza as 9%, shumë pak 11-18 vjeç e aspak më poshtë.
Ndërkaq, institucionet tona nuk deklarojnë asnjë strategji, as për ata që përdorën ato miliona doza të vaksinave të paçertifikuara kineze.
Ngjarjet e tanishme të rënda Covid në Kinë mund të ndodhin edhe në Shqipëri se, shume nga shkaqet e atjeshme janë edhe në vendin tonë:
1 – Në Shanghai ku ka probleme madhore, raportohet se vetëm 40% e popullsisë mbi 60 vjeç është vaksinuar me dy doza, për të tretën nuk flitet. Pra nivel vaksinimi është shumë i ulët, gjë që haset dhe në Shqipëri.
2 – Vaksinimi është bërë me vaksinat kineze, me efikasitet të përgjithshëm të ulët e veçanërisht ineficient ndaj varianteve Omicron.
Në Shqipëri gjithashtu, në mënyrën më të papërgjegjshme, kjo qeveri ka përdorur miliona doza të tilla vaksinash të paçertifikuara dhe tashti hesht.
Një gjendje epidemiologjike e ngjashme takohet edhe në Afrikën e Jugut me nivel vaksinimi 36%, konfuzion llojesh vaksinash, kur aty ka filluar vjeshta.
Ndërsa dhe vendet me nivel vaksinimi shumë të lartë duke komunikuar te dhënat reale, shqetësohen për muajt që do të vijnë e po shpalosin strategji.
Në Tirane dhe atij “komiteti” që pilotohej, i ka “humbur vula”, shterpësi!
Fatkeqësisht siç duket, akoma nuk e kanë kuptuar se metoda e strucit për të fshehur realitetin paguhet shumë rëndë, por e vërteta tragjike del më tej.
Në Itali prokuroria ka filluar hetime të plota për tragjedinë e muajve të parë të epidemisë, ndërsa në Shqipëri…