Pas arrestimit të bujshëm të Eduart Dautit, i cili edhe pse ishte në kërkim ndërkombëtar, pinte kafe i qetë në Tiranë, SPAK ka urdhëruar grupet e hetimit të nisin verifikimin e pasurisë së tij.
Fillimisht mësohet se në sitën e hetimit janë pasuritë e njohura, të cilat lidhen me prona të patundshme, por sipas të dhënave, po kërkohen edhe një sërë llogarish bankare, nga ku pretendohet se bosi i firmës së importit të frutave ekzotike në vendin tonë, dyshohet se ka strehuar paratë, që për hetimin, janë të ardhura nga trafiku i kokainës.
Eduart Dauti u arrestua pak ditë më parë në Tiranë, nën akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Para Policisë dhe më pas para gjykatës, biznesmeni i mohoi të gjitha akuzat, ndërkohë që ai pretendon se nuk ka asnjë lidhje me episodet për të cilat ai akuzohet.
Mësohet të ketë kundërshtuar akuzat me pretekstin se drogën në mjetet e transportit të bananeve ia kishin futur grupet kriminale gjatë rrugës, pasi ai nuk ka asnjë lidhje me eksponentët e trafikut të drogës nga vendet latine.
Sipas të dhënave zyrtare, bëhet me dije se pas arrestimit të Eduard Dautit, pronarit të një kompanie private, në kontejnerët e së cilës u sekuestruan sasi kokaine, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetim pasuror.
Mësohet se grupi hetimor, deri më tani, ka identifikuar disa pasuri të Dautit, që dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal. Në pronësi të 51-vjeçarit rezulton një automjet i “Mercedes-Benz”, një motor, 6 sipërfaqe toke, një apartament dhe dy garazhe.
Po kështu, janë siguruar informacione në rrugë operative që Dauti disponon edhe shuma të mëdha parash në disa banka të nivelit të dytë në emër të familjarëve dhe persona të lidhur me të.
Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme e ka lënë në burg Eduard Dautin të arrestuar për trafik kokaine në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sipas prokurorisë, në kontejnerët me banane që vinin nga Amerika Latine në portin e Durrësit, të porositura nga kompania e Dautit, u gjetën sasi kokaine në gjashtë raste të ndryshme.
51-vjeçari ka mohuar akuzat përballë gjykatës, ndërsa për avokatin Baftjar Rusi, sasitë e kokainës janë futur në kontejnerët e kompanisë nga grupet kriminale, për të goditur biznesin e ligjshëm të klientit të tij.