Teksa ekonomia e vendit në vitin 2021 u rrit me rimet të larta të dy dekadave të fundit me mbi 8,5%, bujqësia sektori më i madh i ekonomisë shënoi rritjen më të ulët në krahasim me sektorët e tjetër me vetëm 0.28%.
Sipas të dhënave të INSTAT, ritmet e rritjes në sektorin e bujqësisë ishin më të ulëtat në 24 vite (që nga viti 1997).
Dobësitë në bujqësi u reflektuan edhe në eksportet e prodhimeve të fushës perime dhe zarzavate, të cilat gjatë vitit të kaluar shënuan 8,8 miliardë lekë me rënie me 0.4 për qind në raport me vitin 2020.
Zarzavatet janë produkti më i eksportuar nga grupi i ushqimeve me një rritje të shpejtë vitet e fundit si rrjedhojë e investimeve në sera dhe shtimit të sipërfaqes se mbjellë. Nga viti 2010 në vitin 2021 eksportet e zarzavateve u shumëfishuan, duke arritur një vlerë prej 8,8 miliardë lekësh nga 464 milionë lekë më 2010.
Por tre vitet e fundit sektori bujqësisë dhe prodhuesit në sera po kalojnë në vështirësi për shkak të ndryshimit të shpeshtë të skemës kombëtare të mbështetjes financiarë, rritjes së kostos së lëndëve të para dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Gjatë këtij viti prodhimi bujqësor pritet të tkurrjet më tej duke shkuar drejt vlerave negative pasi, bujqit në zonat më prodhuese të vendit, Fier, Lushnje, Berat kanë reduktuar mbjelljet si rezultat i kostove të larta dhe çmimeve të ulëta të shitjes.
Të dhënat e tregtisë së jashtme për muajt janar-shkurt 2022, treguan se eksportet e plehëruesve për bujqësinë shënuan rritje me mbi 1400 për qind, në një kohë që importet kishin pësuar rënie drastike, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Monitor/