Shtrenjtimi i produkteve bazë ka nxitur qeveritë e disa vendeve të heqin TVSH për ushqimet ose reduktojnë nivelin e saj. Por nga qeveria shqiptare, nuk ka një vendim të tillë edhe pse vendi ynë ka përqindjen të lartë të TVSH së për ushqime në Europë dhe rajonin e Ballkanit.
Pas nisjes së luftës në Ukraine, e cila po shkakton një rritje të shpejtë të çmimeve të karburanteve dhe mallrave të konsumit, qeveritë e disa vendeve reaguan me një paketë masash ku përfshihej dhe reduktimi i nivelit të TVSH ose heqja për produktet bazë.
Disa aplikuan norma të reduktuara të TVSH që pas pandemisë, por nga qeveria shqiptare nuk është ndërmarrë asnjë masë në këtë drejtim, edhe pse është kërkuar vazhdimisht nga opozita.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut vendosi heqjen e TVSH për produktet bazë, uljen e akcizës dhe TVSH për karburantet.
Kosova vendosi një marzh fitimi për kompanitë dhe çmim tavan për karburantet, ndërsa Kroacia reduktoi nivelin e TVSH dhe hoqi akcizën për karburantet.
Të njëjtat masa mori dhe qeveria serbe. Por përtej krizës, shtetet aplikojnë në mënyrë konstante apo të përkohshme edhe tatim në masë të reduktuar për grupin e mallrave ushqimore. Shqipëria është nga pak vende që nuk e aplikojnë.
Duke mos reduktuar tarifen për ushqimet, ne klasifikohemi në vendet me përqindjen të lartë të TVSH së për ushqime në Europë dhe rajonin e Ballkanit.
Ndërkohe, në një faturë të publikuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, shihet se kostoja e disa produkteve bazë pa TVSH është rreth 1 mijë lekë, kësaj shume i shtohet dhe TVSH për çdo produkt duke e rënduar xhepin e konsumatorëve me mbi 200 lekë më shumë.
Për produktet ushqimore norma mesatare e TVSH që aplikohet në vende të BE dhe Ballkanit Perëndimor rezulton 9%, ndërkohë që në Shqipëri mallrat e konsumit të përditshëm tatohen 20 %.
Referuar të dhënave të platformës PëC, në artikujt bazë Serbia aplikon TVSH 10 %, Kosova 8 %, Mali i Zi 7 %, Maqedonia e Veriut 5 %.
Edhe Bosnjë Hercegovinë që nuk aplikon normë të reduktuar, ka një barrë fiskale më të ulët, pasi norma standarde është 17 %.