Kriza vetëm për popullin!? Administrata mbeti në avion: 37 fluturime në një ditë, harxhohen mijëra euro për bileta

0
139

Vetëm në një ditë Qeveria shqiptare duhet të paguajë mijëra euro për fluturimet e administratës. Roma dhe Dubai mbeten më të frekuentuara nga punonjësit e shtetit, ndërsa  regjistrohen vetëm pak raste të pezulluara. Edhe pse Qeveria ka shpallur krizën nga lufta në Ukrainë, duket se në këto raste nuk ka asnjë kursim.

Edhe pse prej disa javësh Qeveria deklaron se jemi në krizë për shkak të luftës në Ukrainë, administrata shtetërore nuk heq dorë nga udhëtimet jashtë vendit.

Vetëm në datën 18 mars institucionet shtetërore kanë blerë bileta avioni me destinacione të ndryshme që kapin vlerën e 2 milionë e 337 mijë lekëve ose e thënë ndryshe 20 mijë euro. Këtu nuk përfshihen dietat e ushqimit apo hotelet.

Janë 21 fluturime, ku 6 prej tyre janë me itinerar Tiranë-Romë-Tiranë. Nga këto 3 udhëtime janë zhvilluar nga punonjësit e Bashkisë Tiranë dhe 3 të tjera nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.

Destinacioni i dytë më i preferuar nga autoritetet shtetërore është Dubai, ku rezulton se Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka kryer 3 fluturime me një kosto prej 308 mijë lekësh vetëm më 18 mars.

Arabia Saudite duket se është vendi i përzgjedhur nga Qeveria për këtë muaj pasi sipas APP fluturime të tjera janë zhvilluar në Riad nga Kuvendi, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës.

Udhëtimet e tjera të institucioneve shtetërore në po këtë datë janë zhvilluar në Berlin, Nju Jork, Athinë, Ankara dhe Londër.

Ajo që vihet re është se në një procedurë është shpallur fituese kompania që ka ofruar një vlerë më të madhe se fondi limit i përcaktuar nga autoriteti kontraktor.

Konkretisht, Muzeu Historik Kombëtar ka zhvilluar tenderin me objekt blerje biletash udhëtimi për në Budapest ku fondi limit ishte 40 mijë lekë. Ndërkohë oferta fituese është shpallur ajo me vlerë 41.4 mijë lekë.

Ndërkohë sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik po në këtë datë janë hapur dhe 16 procedura të tjera me objekt blerje biletash udhëtimi. Por për këtë kategori nuk ka të dhëna për koston, pasi përllogaritet vetëm pas ofertave.

Por nëse i referohemi të dhënave të para janë dhe 20 mijë euro të tjera që do të digjen në fluturime.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here