Kampusi i shumëpërfolur i universiteteve në Tiranë nuk do të realizohet. Në dokumetet zyrtare thuhet se Bashkia e kryeqyteti nuk ka më aftësi paguese. Vendimi vjen në kohën kur opozita akuzoi Veliajn për miliona euro të paguara për incineratorin.
Tirane- Bashkia e Tiranës ka anuluar tenderin për projektimin dhe ndërtimin e kampusit të Universitetit të Tiranës me fond limit 408.5 milionë lekë.
Në objekt të kësaj procedure është dhe projektimi për ndërtimin e Universitetit të Arteve dhe ndërtimi i Akademisë së Policisë Tiranë, por duket se buxheti i Bashkisë është tkurrur dhe Veliaj ka hequr dorë nga zhvillimi i këtij tenderi.
Sipas dokumenteve zyrtare të APP, Bashkia e ka anuluar procedurën me argumentin se aftësia paguese e autoritetit kontraktor ka ndryshuar. Nuk dihet se cilat janë rrethanat që kanë çuar në ndryshimin e aftësisë paguese të Bashkisë Tiranë, pasi kjo nuk specifikohet në njoftimin zyrtar.
Kjo situatë ka ardhur në një kohë kur kryebashkiaku Erion Veliaj është akuzuar për një sërë shkeljesh për inceneratorin e Tiranës. Madje opozita ka akuzuar se janë paguar 30 milionë euro për incinerimin e mbetjeve, kur në fakt në landfillin e kryeqytetit ende nuk është vendosur impianti.
Anulimi i kësaj procedure është zyrtarizuar në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Tenderi është hapur më 31 dhjetor të vitit 2021 dhe kishte si afat për dorëzimin e ofertave datën 26 janar.