Nga Agim Nesho
Gjithmonë e më tepër opinioni publik Shqiptar është i fokusuar në ngritjen e opozitës dhe mundësinë e saj të rritjes, forcimit për të kontrolluar pushtetin dhe për të qenë një alternativë për të. Kjo nevojë për ndryshim vjen si rezultat i fuqizimit të një regjimi kleptokratik, autoritar, të korruptuar dhe jo transparent që ka kapur shtetin, ka prishur balancat e pushteteve dhe po e drejton vendin drejt interesave të një grupi klientelist.
Pavarësisht mos përkrahjes popullore, largimit në masë të shqiptarëve dhe të brezit të ri, regjimi po mbijeton me një politikë klienteliste ndaj më të fortit dhe forcën e lobimit politik duke blerë influencë në botën perëndimore. Mos vëmendja ndaj rajonit si dhe naiviteti politik i Perëndimit për të pranuar si stabilitet të qëndrueshëm ekzistencën e regjimeve hibride në Ballkan, kanë favorizuar regjimin e Ramës.
Duke mos legjitimuar institucionet e shtetit nëpërmjet zgjedhjeve problematike të garantuara nga makineria e shtetit patronazhist, blerja e votës, regjimi kërkon të zgjasë sundimin e tij duke asfiksuar dhe përçarë opozitën.
Kjo ishte strategjia e Ramës dhe atyre grupeve të interesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët shikonin Ramën si një faktor në zgjidhjen e konflikteve rajonale ose të një marrëveshje të qëndrueshme me Vuccicc. Opozita Shqiptare u godit para dhe pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.
Përpara duke luftuar LSI-në me forcën e pushtetit për tu tkurrur në numër, dhe pas zgjedhjeve për të goditur liderin historik të PD-së, gjë që solli si rezultat ndarjen e saj. Rama kërkonte të nxirrte nga skena politike dy liderët e fortë të tranzicionit demokratik Shqiptar, Berisha dhe Meta, për ta pasur më të lehtë sundimin e tij.
Goditja e Berishës krijoi krizën e thellë në PD, jo vetëm nga goditja por nga reagimi i trembur i lidershipit të PD-së, i cili nuk arriti të kuptojë që po binte në lojën e krijuar nga vetë Rama. Pyetja shtrohet nëse ky lidership ishte pjesë e lojës për ndarjen e pushtetit apo ishte një dëm kolateral i përdorur nga pushteti.
Por PD gjeti forca për t’u ngritur nga aksioni për rithemelimin e partisë në baza më demokratike. Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit, provuan më tej se cila pjesë kishte përkrahjen popullore dhe të militantëve të saj. Bashkimi i dy pjesëve të ndara, gjë që është një nevojë dhe domosdoshmëri për PD-në, duhet të fillojë pikërisht atje ku u krijua kriza, pikërisht në goditjen e liderit të saj.
Me të drejtë Lubonja ka thënë se ‘një parti që nuk mbron liderin historik të saj, çfarë garancie mund të japë për të gjithë të tjerët’. Pra partia duhet të jetë e qartë dhe e vendosur në mbrojtjen e vlerave të saj, përfaqësimin e interesave të elektoratit, dhe pa e kompromentuar veten me interesat e ngushta të lidershipit për pushtet.
Nga ana tjetër aksioni për Rithemelimin e PD-së solli një lëvizje të re pozitive, e mbështetur në ‘pluralizëm, sovranizëm dhe votë të lirë’ duke i dhënë një goditje sistemit partitokratik të instaluar në Shqipëri, sistem i cili prodhonte nepotizëm, liderë të pakontrolluar dhe korrupsion. Berisha, si pjesë e sistemit të vjetër, u ngrit mbi vetveten duke krijuar një platformë të re demokratike, që e thyen sistemin e vjetër partitokratik. Kjo e bën atë një lider që inspiron shpresë dhe ndryshim.
Ky bashkim i PD-së nuk mund të jetë një bashkim numrash dhe interesash por duhet të reflektojë mbi një bazë të re parimesh. Prandaj ky bashkim nuk duhet të fillojë nga emrat, për më tepër nga përjashtimi i tyre, por në përkrahjen e ideve të reja. Liderët nuk mund të emërohen dhe as të zgjidhen nga përfaqësuesit e interesave të grupeve. Ata lindin nga ngjarjet dhe nevoja për ti zgjidhur ato. Ata kanë betejën e tyre që i krijon përkrahësve besim, shprehin karakterin e fortë dhe vendosmërinë, eksperiencën, vizionin për të ardhmen.
Kjo betejë krijon ato figura që janë më të besueshme dhe më të pranueshme me aksionin e tyre politik ndaj atyre që pretendojnë se si do të jenë në të ardhmen. Kryeministri Britanik Macmillan iu përgjigj pyetjes se cilat janë sfidat më të mëdha për një lider: “Ngjarjet, ngjarjet bijtë e mi”! Dhe ngjarja sot në Shqipëri është më se e dukshme: Instalimi i një pushteti personal, autokratik me karakteristika të një regjimi putinesk, që po shkatërron demokracinë Shqiptare ku populli i dëshpëruar nuk ka mundësi dhe hapësirë për ta shporrur atë.
Dy rrugë janë për të na nxjerrë nga kjo krizë. E para, një lëvizje jashtë sistemit dhe kundër tij, që do të materializojë urrejtjen popullore ndaj vjedhjes së pronës publike, arrogances, korrupsionit, papunësisë, cmimeve, varfërisë, etj., lëvizje që do të ishte pozitive por edhe e rrezikshme për pasojat që mund të sillte dhe kthimin e vendit në një anarki. Për më tepër që këto lëvizje dështojnë nga presioni i pushtetit në kushtet kur shteti është i kapur.
E dyta, riorganizim të opozitës në një front të gjerë, të hapur, jo ideologjik për të marrë pushtetin dhe kthyer normalitetin. Shtëpia e Lirisë është një alternativë, ndoshta e vetmja në kohën tonë për disa arsye:
Së pari, fitoren nuk ta sjell vetëm lideri, por nevoja për ndryshim, qëllimi dhe realizimi i aspiratave popullore. Ajo arrihet vetëm nga bashkimi i shumicës kundër së keqes. Në Shqipëri nuk votohet për atë që vjen, por është votë kundër atij që ka abuzuar me pushtetin.
Së dyti, në Shqipëri opozita gjithmonë ka shërbyer si ekuilibrues i pushtetit në mungesë të institucioneve të pavarura dhe balancave të pushteteve. Platforma e luftës së Ramës është mallkimi i opozitës dhe asfiksimi i cdo lëvizje të re opozitare. Asgjë nuk fillon nga hici dhe në pritje të Godosë. Në këtë situatë Berisha dhe Meta si liderë të tranzicionit Shqiptar kanë patur rolin e garantuesve të sistemit dhe si rrjedhojë mund të drejtojnë më mirë opozitën në kushtet e sotme.
Por a është Shtëpia e Lirisë alternativa më e mirë? Sigurisht mund të mos jetë idealja, por më e pranueshmja që mund të sjellë në fitore, dhe e vetmja lëvizje brenda opozitës. Suksesi i saj hap rrugën që standarde të reja të vendosen në demokracinë Shqiptare, si dhe dalja e një grupimi politikanësh të rinj për të cilët interesat e vendit do t’u paraprijnë interesave individuale ose të grupit. Dhe kjo vjen vetëm me ushtrimin e demokracisë direkte dhe votës së lirë. Kjo nuk është një luftë thjesht dhe vetëm për pushtet, por një luftë për pluralizëm dhe demokraci. Është një luftë kundër autoritarizmit dhe regjimeve jo-demokratike, për të ndaluar vazhdimësinë e Partisë-shtet në pushtet.