I ftuar në emisionin “Skaner” në MCN TV, Armand Duka, pas rizgjedhjes si president i FSHF, u shpreh se familja e tij ka kaluar stres gjatë fushatës zgjedhore.
Duka tha se nuk ishte e lehtë për familjarët, të dëgjonin fraza që u përdorën nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, të cilin e quajti si “gjoja të pushtetshëm dhe me gjëra hekuri”.
“Tritoli dhe sulmet? I qetë apo jo, atë e di unë si kam qenë. Familja ime gjatë kësaj periudhe ka kaluar momente të vështira.
Nuk është e lehtë që të dëgjosh në televizion një njeri gjoja të pushtetshëm me gjëra hekuri, që thotë llumi, familja, nuk është kollaj, që të dëgjosh këto për babain, prindin apo edhe bashkëshortin. Ata kanë kaluar stres më shumë se unë.
Dua t’i falënderoj që më kanë mbështetur për të mos u dorëzuar. Faktikisht unë nuk e kam vazhduar këtë vetëm për vete. Dorëzimi dhe tërheqja, do të ishte tradhti për ata që më mbështesin.
Realisht ndihem i obliguar për familjen e futbollit. Nuk dua të quaj asnjë kundërshtar. Dua të jemi të bashkuar. Nga kampi kundërshtar kam dëgjuar: ‘Ore çfarë iu keni bërë këtyre njerëzve që thonë jemi me Federatën?!”-tha Duka.