Përballë rritjes së fortë të çmimeve të energjisë për shkak të luftës në Ukrainë, qeveria federale dëshiron të ulë shpejt kostot në rritje për konsumatorët me masa shtesë lehtësuese – por forma e saktë e këtyre masave është ende në diskutim.
Zëvendëszëdhënësi i qeverisë Wolfgang Büchner njoftoi se një “paketë eficiente dhe efektive” pritet të votohet në një kohë shumë të shkurtër. Sekretari i Përgjithshëm i SPD, Kevin Kühnert njoftoi gjithashtu një vendim të shpejtë.
“Unë shoh marrëveshje të plotë midis partive të koalicionit qeveritar që vendime konkrete, të matshme dhe të dallueshme të merren përsëri këtë javë se si të arrihet lehtësimi,” tha ai pas diskutimeve të kryesisë së SPD. Për marrëveshjet e nevojshme ka “një mundësi ideale këtë javë”, përkatësisht në takimin e kabinetit federal, shtoi Kühnert. Vendimet do të merren “më e vonta të mërkurën në mbledhjen e kabinetit”.
Për SPD-në, është thelbësore që qytetarët të lehtësohen efektivisht, veçanërisht familjet të cilat, për shkak të çmimeve të larta të energjisë, “janë të mbingarkuara financiarisht pa qenë përgjegjëse për këtë”. Nga ana tjetër, nuk duhet të ketë “program ciklik të mbështetjes për industrinë e naftës”, nënvizoi Kühnert.
Habeck: “Rritjet e çmimeve janë dërrmuese”
Zëvendëskancelari Robert Habeck kishte njoftuar më parë një paketë të re masash. Rritjet e çmimeve në të gjithë sektorin e energjisë janë dërrmuese për shumë njerëz, tha Ministri për Çështjet Ekonomike dhe Mbrojtjen e Klimës për agjencinë e lajmeve dpa në Berlin. Ai shpalli tre kritere për masat e reja. Së pari, duhet të ketë lehtësim për energjinë elektrike, ngrohjen dhe lëvizshmërinë, tha ministri.
Së dyti, efikasiteti i energjisë dhe kursimet janë gjithashtu të nevojshme, për shembull një reduktim i konsumit në automjete ose një zëvendësim i ngrohësve me gaz, tha Habeck.
Së treti, duhet të vazhdojmë t’i japim shtysë ekonomisë së tregut në mënyrë që “sa më e madh të jetë eficienca, aq më e ulët është kostoja”.
Siç raporton gazeta “Bild”, flitet edhe për ndihma kalimtare për kompanitë që nuk mund të përballojnë më rritjen e madhe të çmimeve të mallrave.
Përveç kësaj, është në shqyrtim një zgjatje e rregulloreve të papunësisë së pjesshme përtej 30 qershorit, si dhe një rritje e mëtejshme e shumës mbështetëse afrofe për udhëtarët vajtje-ardhje.
FDP planifikon një subvencion në pikat e furnizimit me karburant
Ministri i Financave Christian Lindner dëshiron të vendosë një subvencion publik në pikat e furnizimit me karburant. Politikani liberal parashikon që shuma të zbritet kur paguhet karburanti.
Operatori i pikës së furnizimit me karburant më vonë duhet ta paraqesë faturën pranë organeve tatimore. Mjetet për këtë mund të vihen në dispozicion në buxhet, tha Lindner. Një ulje prej dhjetë cent për litër naftë dhe benzinë do t’i kushtonte shtetit 550 milionë euro në muaj.
“Do të jetë, po të varet nga unë, më shumë se dhjetë cent dhe do të zgjasë më shumë se një muaj”.
Një subvencion në karburant do të ishte më efektiv se ulja e taksës së karburantit, gjithashtu në diskutim. Do të ishte më e shpejtë për ta zbatuar dhe për të arritur ulje më të mëdha të çmimit, tha Lindneri. Qytetarët dhe tregtarët që kanë nevojë për makinën e tyre do të mbështeteshin shumë shpejt.
Për një ulje të çmimit të karburantit përmes uljes së taksave, njerëzit duhet të presin javë ose muaj më shumë, sepse duhet të ndryshohet legjislacioni në Gjermani dhe, nëse është e nevojshme, ligji evropian. Subvencioni i karburantit mund të zbatohet pa shumë burokraci, tha Lindneri. Qytetarët dhe ekonomia nuk duhet të lihen vetëm të përballen me rritjen e çmimeve, shtoi ai.
Kreu i grupit parlamentar të FDP, Christian Dürr, tha për kanalet RTL dhe ntv se qëllimi duhet të jetë një çmim i benzinës nën dy euro.
“Kjo është ajo që u duhet udhëtarëve…, në mënyrë që zinxhirët e furnizimit të mos ndërpriten në fund. Jemi në një situatë krize dhe shteti duhet të veprojë shpejt. “Partitë unioniste dëshirojnë masa më të forta,” tha kreu i CSU, Alexander Dobrindt, i cili e kritikoi propozimin e Lindner si të pamjaftueshëm. Dobrindti i tha agjencisë së lajmeve dpa: “Gjermania po përjeton një rritje masive çmimesh në karburante. E gjithë shoqëria jonë – familjet, udhëtarët, shtresa e mesme – po vuajnë nga rritja./ Marrë nga DW