Ish-Kryeministri Sali Berisha ka mbrojtur sërish sot kauzën e banorëve të rrugës “5 Maji” në Tiranë, të cilëve qeveria po u shemb banesat pa i dëmshpërblyer.
Nga njësia Ana e Malit në Shkodër, ku shkoi sot për të mbështetur kandidatin për kryetar bashkie, Bardh Spahinë, Berisha theksoi se ata banorë janë plotësisht të ligjshëm.
“Ju e shihni se çfarë trajtimesh njerëzve po u bën Rama qytetarëve. Ata vëllezër e motra tuaja që janë në protesta dhe terror në rrugët e Tiranë, janë absolutisht të gjithë të ligjshëm. Jua them me përgjegjësi të plotë. Jo vetëm me ligjet tona, por me ligjet e çdo vendi demokratik, dhe trajtohen si me qenë armiq.
Po të prisha shtëpinë, do të të përgjigjem një për një. Nuk do të them ty se je i paligjshëm!!! Po pse qenke i paligjshëm ti?! Energjinë e ke paguar, ujin e ke paguar. Kujt ia ke paguar ato?! Shtetit ia ke paguar! Ti je i ligjshëm aty! Po më intereson mua tani si shtet që nuk pyes se kush je ti dhe del e them se je i paligjshëm!!!
Pra, e prura këtë shembull për të thënë se kemi të bëjmë me një shtet arrogant, me njerëz arrogantë, që nuk kanë njerëzi, nuk kanë ligje në bazë ndaj qytetarit. Situata e fermerit këtu dhe e fermerëve shqiptarë po shkon drejt falimentimit se naftën e blini më shtrenjtë se në Zvicër, ndërkohë që ai i shet prodhimet 5-6 herë më shtrenjtë se ju, se ju plehrat kimike i blini 4 herë më shtrenjtë se tetë vite më parë. Jetesa juaj me gjithë mundin e djersën që derdhni, ju shkoni drejt falimentimit, drejt asaj që të lëshoni tokën tuaj të merrni dheun.
Në vitin 2013, të ardhurat ose rrogat dhe pensionet në Shqipëri ishin më të larta në rajon. Sot, rroga mesatare në Malin e Zi është dy herë më e lartë se tek ne. Po kjo është një …Mali i Zi të jetë më i pasur se ne?! Kurrën e kurrës! Kanë bregun, po dhe ne kemi bregun. Po në Malin e Zi s’gjen fusha, toka si tonat s’gjen dhe njerëz punëtorë. Problemi është se ne i varfërojmë vetë, nuk i zhvillojmë, nuk i mbështesim,“ nënvizoi Berisha.