Shenja të një Lufte të Ftohtë u ndjenë përsëri mbi Evropën Lindore të premten, me manovrat dhe stërvitjet ushtarake ruse pranë Ukrainës dhe paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës brenda disa ditësh.
Diplomatët dhe udhëheqës të qeverive, ndërkohë, u ndeshën me vështirësi në përpjekjet për të rifilluar bisedimet e bllokuara për të shmangur fillimin e një lufte të hapur.
Ja një vështrim mbi arsyet që kanë rritur frikën e fillimit të një lufte:
PARALAJMËRIME TË FORTA NGA SHTËPIA E BARDHË
Shtëpia e Bardhë tha se ende nuk e dinte nëse presidenti rus Vladimir Putin kishte marrë një vendim për të pushtuar, por tha se Putini ka grumbulluar të gjithë elementët për ta bërë këtë shpejt dhe u kërkoi amerikanëve në Ukrainë që të largoheshin brenda 48 orëve të ardhshme.
Shumë analistë besonin se një pushtim i Ukrainës nuk kishte gjasa të fillonte deri më 20 shkurt, pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore që po zhvillohen në Kinë.
Retorika e shtuar e Shteteve të Bashkuarae pasoi informacionet e reja të inteligjencës që tregojnë një rritje tjetër të numrit të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.
“Ne nuk mund ta përcaktojmë tani ditën dhe orën e fillimit të një sulmi, por kjo është shumë më e mundur të ndodh në çdo moment”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan.
Sipas një zyrtari amerikan të njohur me gjetjet, Shtetet e Bashkuara morën informacione të inteligjencës, sipas të cilave Rusia po e shikon të mërkurën si një datë të mundshme të fillimit të një sulmi. Zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe e bëri këtë vetëm në kushte anonimiteti, nuk pranoi të thoshte se sa përfundimtare ishin informacionet e inteligjencës.
Në një demonstrim të përkushtimit amerikan ndaj aleatëve të NATO-s, Pentagoni njoftoi dërgimin e 3,000 trupave të tjera luftarake në Poloni për t’u bashkuar me 1,700 ushtarët amerikanë që tashmë ndodhen atje, tha të premten një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Mbrojtjes.