Për herë të parë, pas 18 vitesh, numri i përdoruesve aktivë ditorë në Facebook ka pësuar rënie. Kompania mëmë e Facebook, Meta, tha se numri i përdoruesve aktivë ditorë ra në 1,929 miliardë në tre muajt e fundit të vitit 2021, ndërkohë që në tremujorin e tretë kjo shifër ishte 1,930 miliardë.
Një ditë më parë, vlera e aksioneve të Meta-s ra me më shumë se 20% në bursën e Nju-Jorkut, duke “fshirë” rreth 200 miliardë dollarë nga vlera e kompanisë në treg. Rënie pësuan edhe vlerat e aksioneve të kompanive të tjera të rrjeteve sociale, si Twitter, Snap dhe Pinterest.
Shefi Ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg, tha se goditjet që ka pësuar kompania vijnë si pasojë e largimit të përdoruesve, sidomos atyre më të rinj, për platforma të tjera, por edhe nga ndryshimet mbi privatësinë të aktivizuara nga sistemi operativ i Apple, që e bën më të vështirë matjen e audiencës në Facebook dhe Instagram.
Të ardhurat e Meta-s në tremujorin e fundit të vitit 2021 ishin 33,67 miliardë dollarë, ndërsa parashikimi për tremujorin e parë të vitit 2022 është 27-29 miliardë dollarë.