Nga Pranvera Shehaj*/
Të flesh e të zgjohesh mes kartmonedhave, pak të mbetet zell për të gjetur motiv tjetër vec tyre, e aq më pak arrin të imagjinosh se cfarë i zgjon, i motivon …, cfarë i mban me frymë ata që kartmonedhat i kanë kacidhe për të ushqyer dhëmbët e frymës. E kur nuk arrin të imagjinosh as kaq, nuk mundesh kurrsesi të besosh se „këta të kacidheve“, në fakt, ushqejnë brenda vetes kulte ideologjike, besime fetare, shoqërore e më së shumti politike. Në urinë e tyre ka aq shumë vend për fanatizëm ideologjik, dëshirë për sakrifica në emër të dhimbjeve të së shkuarës, besim të fortifikuar në premtime për një shoqëri të orientuar sipas bindjeve të tyre, e më së shumti, forcë, forcë që nuk e shter as uria, as pesimizmi, as vetmia familjare, as kujtimi i një jete të brezave të tërë që shkoi duke pritur për më mirë. Këta, nuk njohin frikë, e më kujtojnë një shprehje që shpesh citonte im atë „Kam në kokën time një mal me mendime, ato nuk m’i sekuestron dot kush!“ A ka dicka tjetër që mund t’u marrësh vec mendimit, bindjeve dhe idealit?
Vandalizëm, mungesë civilizimi, shfrenim cnjerëzor? Po pres…! Cfarë emri do t’i vendosni betejës fizike të demokratëve më 8 janar për t’i komunikuar për të disajtën herë „atyre të kartomonedhave“, se Partia demokratike i përket së pari idealit të djathtë, e për rrjedhojë i përet moralit, parimit, votës, shumicës, demokracisë, anëtarësisë, cdo demokrati e demokrateje të lidhur pas saj parimisht, ideologjikisht dhe historikisht. Ju dukën tepër të guximshëm anëtarët, delegatët, simpatizantët, mbështëtëist demokratë më 8 janar? Kështu? S’keni faj! Vajti kohë pa kujtuar se cdo të thotë të udhëhiqesh nga instikte që i zgjon ideali. Vajtën vite ku filozofia majtiste pragmatiste ka pllakosur si gur i rëndë varri mbi breza të vjetër e të rinj. Vajti kohë, shumë kohë, pa kujtuar se filozofia politike e djathtë nuk lufton për kacidhe dhe nuk ka në themel të saj interesa ekonomike. E djathta lufton për dinjitet moral, lufton për parime, lufton për lirinë si kusht themelor dhe unik për konsolidimin e rolit të individit në shoqëri. E djathta nuk i mban sytë tek luga, as tek letra, por tek liria, në dimensionin absolut dhe primar të saj. E djathta nuk shet, nuk blen, e djathta zgjedh, e lirë, me dinjitet, pa klering, pa pengje morale, e djathta zgjedh.
Hekurat dhe blindat vetëm fizikisht murosën në kalanë e vetmisë një grup individësh. Moralisht, këta individë, janë murosur prej vitesh në një projekt që ka patur dhe ka për qëllim shfarrosjen e partisë së vetme që personifikon, edhe pse me shumë anomali, filozofinë e djathtë në Shqipëri. Hekurat dhe blindat i murosën fizikisht duke iu dhënë një barrierë të përkohshme, e cila rezultoi të ishte perde e tejdukshme që grisej sekondë pas sekondi nga mllefi, adrenalina, shfrenimi dhe dëshira e pakontrollueshme e mijëra demokratëve. Perdja grisej ngadalë, deri kur u shfaq „Leviathan-i“ i Hobbes, bisha me shumë koka që të shtyp, të vret, të nënshtron, të përpin, të shfarros me të gjitha fuqitë që shoqëritë e udhëhequra nga filozofia majtiste i kanë dhënë. Deri kur u shfaq shteti. Shteti, kjo mostër që ha dhe përpin padronin e vet, individin. Mostra u tregoi dhëmbët atyre që aty kishin ardhur për të cliruar muret që simbolikisht përfaqësojnë idealet e tyre. E prapë pyes veten, mllefin, revoltën, ndjenjat e forta idealiste, ndjesinë e hakmarrjes ndaj kaq viteve pafuqi për t’i dalë në krye ideologjisë së tyre, a ua vret dot mostra?
Ata që patë dje, ushqim e kishin gazin e mostrave brenda dhe jashtë godinës, ushqim që nuk e ndjenin, përsa kohë ndjesia e nëpërkëmbjes së besimit dhe sakrificës, nuk të lejon të ndjesh asgjë. I shihje nga mijëra kilometra larg vendit. Telefonoje familjarë mes tyre dhe me ankthin që vec idealistët besojnë, shpresoje verbërisht tek ata breza demokratësh që nuk kanë asnjë arsye pragmatiste për te jetuar atë që dje jetuan. I shihje se nuk ndaleshin në të vetmin qëllim, asgjësimin moral dhe politik të një klani që ka guxuar të shesë sakrificat e tyre. I shihje dhe habiteshe se c’mund të bëjë ideali, ky besim që lidh trurin dhe formimin me ndjenjat, duke ushqyer instikte deri në flijim. Ideali, kjo fe intelektuale që s’ka trup, por ka emër, frymë dhe shpirt. A e vret dot Leviathan-i? Ju e dini, kushdo qe beson në ZOT e di, shpirti nuk vdes. A ka barrikadë që ndalon ecjen e shpirtit? Ju e dini, ai depërton hekurat e të burgosurve humanë e vjen e të godet në më të errëtën skutë ku meskiniteti dhe burracakëria të ka futur. Ju e dini, Leviathan-i u krijua nga njerëzit, andaj të mbështjell në lëkurën e tij e të mbron prej njerëzve. Po prej shpirtit të idealistit? Ju duhet ta dini, nuk ka forcë që ndal idealin, përsa kohë ai buron nga lidhja e trurit me shpirtin.
Ishin idealistë ata dje, idealistë që gazetarë e reporterë i fokusonin, i pyesnin aq gjakftohtësisht, e ata, të gjithë aq të lodhur, të skamur fizikisht, me pamjen e trishtë që sot Shqipëria refletkon po njësoj si dikur, përcillnin pa filtër televiziv pasurinë e idealit, forcën për të rimarrë në dorë lirinë. Me krenarinë që vetëm idealistët njohin, numëronin vitet e sakrificave në Partinë demokratike. “Ju të kartmonedhave”, besoni dhe binduni se nuk ka Leviathan që ndal idealistin, i cili vec idealit, nuk ka asgjë për të humbur! Ju e dini, ideali jeton edhe pas trupit, si shpirti, …ju e dini!
*Politologe