Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka cilësuar bashkëpunëtorë Sali Berishën dhe Edi Ramën. Në një dalje nga selia e PD, Basha tha se dhuna eksiton vetëm Ramën dhe Berishën, por ka pezmatuar shqiptarët.
Ai theksoi se qëllimi i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij është ringritja e PD mbi rrënojat e dhunës së Sali Berishës.
“Nuk mund të marrë peng shpresat dhe aspiratat e qindra mijëra votuesve tanë. Ndaj sot unë nuk kam dhe nuk mund të kem buzëqeshje në fytyrë. Për fat të mirë dje nuk u derdh gjak, ashtu siç dëshironte Sali Berisha me një grusht kriminelësh duke abuzuar me ata qindra demokratë të cilët i thirri për t’i përdorur si fasadë. Për fatin e mirë të shqiptarëve dje nuk u derdh gjak. Unë e di se eksitimi përballë kësaj skene dhune, eksitimi që nuk fshihte dje e ka shoqëruar dhe sot siç ka shoqëruar dhe një bashkudhëtar tjetër të tijin Edi Ramën në skena si ato të 21 janarit. Këtu janë të dy njësoj, të ngjashëm dhe këtu ndahem me të dy.
Sali Berisha ndonëse dështoi me turp ta përdorte shtëpinë e demokratëve si bunkerin e tij, nuk e fsheh eksitimin.
I dyti, përfituesit i vetëm Edi Rama dhe sot e tregoi me daljen e tij të turpshme. Njeriu që po bën gjithçka për të mbuluar skandalin e inceneratorëve. Njeriu që kanabizoi Shqipërinë, njeriu i 1001 skandaleve doli sot dhe na shiste moral dhe këtë ia mundësoi vetëm Sali Berisha. Të lidhur në një binom, njëri i shpallur non grata dhe tjetri me të gjitha rekordet për t’u shpallur non grata. Qëllimi im dhe i bashkëpunëtorëve të mi është diçka tjetër, që nga këto rrënoja, nga të cilat eksitohet ai dhe Edi Rama të fillojmë të ringremë një PD siç e kanë ëndërruar themeluesit, siç e kanë dëshiruar qindra mijëra shqiptarë, qytetarë të zakonshëm”, deklaroi Basha.