Skandalet nuk kanë të sosur në vendin tonë.
Dhe kësaj radhe ka të bëjë me radhët e forcave blu në Tiranë.
Ata të cilët duhet të jenë të parët që luftojnë prostitucionin, duket se po i dalin në mbrojtje një aktitiviteti të paligjshëm.
Rasti më i fundit ka ndodhur në një lokal në Tiranë, ku një efektive policie ka ndihmuar vjehrrën e kolegut të saj që ta ushtrojë aktivitetin e prostitucionit në lokalin e saj “pa ferrrë në këmbë”.
SHÇBA ka pezulluar nga detyra dy efektivët e përfshirë në këtë skemë.
Bëhet fjalë për N/Komisar F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë dhe Inspektoren O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë.
Detaje:
SHÇBA Tiranë ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësit e policisë:
– N/Komisar F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë.
– Inspektore O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë.
Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës u krye në funksion të procedimit penal Nr. 5023, të kryer nga SHÇBA Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Tiranë, me hetime proaktive disa mujore, për akuzat “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i prostitucionit”.
Në zbatim të vendimit datë 23.12.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe shtetasja S.K, 53 vjeçe, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliajt, u gjetën:
– 2 armë gjahu gjysëmautomatike;
– sasi fishekësh, që mbaheshin pa leje.
Gjithashtu, shtetasve të mësipërm iu sekuestruan edhe 4 telefona celularë në interes të thellimit të hetimeve për veprat penale të sipërcituara.
Nga hetimet e SHÇBA Tiranë ka rezultuar se oficeri i policisë F.M., duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh.
Gjithashtu, dyshohet se në lokalin e vjehrrës së tij, shtetases S.K. ushtrohej prostitucion, por oficerja e Sallës Operative informonte 53-vjeçaren për aksionet që organizonte Policia.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.