Makiazhi për Veliajn, mbi 200 mijë euro në vit nga buxheti për këshilltarët e kryebashkiakut

0
108

Plot 216 mijë euro në vit i kushton taksapaguesve shqiptarë flota e këshilltarëve të Erion Veliajt. Ndërsa atyre që i publikojnë këto të dhëna i kushton mbyllja e faqes në Facebook.

Erion Veliaj ka më shumë këshilltarë se çdo institucion tjetër. Me titullin këshilltar i kryetarit të bashkisë janë plot 17 persona dhe tre të tjerë vetëm me emërtimin këshilltar. Shpenzimet për këta persona shkojnë në 2.2 milionë lekë të reja, ose e përkthyer 18 mijë euro në muaj. Plot 216 mijë euro në vit. Në këtë faturë nuk është përfshirë zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës dhe as këshilltarët ligjorë dhe zyrat e marrëdhënies me publikun.

Pagat e këshilltarëve të Erion Veliajt:

As Edi Rama nuk ka kaq shpenzime sa kryebashkiaku Erion Veliaj. Nga një vëzhgim i databazës e rrjedhur në media, Rama shpenzon 911 mijë lekë në muaj për 6 këshilltarët, ose 7 mijë e 500 euro në muaj.

Situata që ka kapluar vendin ditët e fundit në pamje të parë të ngjan surreale. Si ka mundësi që çdo e dhënë qytetari, nga preferenca politike, paga mujore, e së fundmi edhe targa e makinës po rrjedh turpërisht në publik? Si ka mundësi që kryeministrit i ka plasur një granatë poshtë këmbëve, dhe ai nuk di të thotë se nga ia kanë hedhur? Dhe e fundit, si shpjegohet që mes drejtuesve të mazhorancës së sotme, fytyrave të një shteti të rënë përtokë, Erion Veliaj e ka me merak të madh të mos merren vesh kujt personave i çohen 216 mijë euro për ta këshilluar?

Në stilin e tij, Veliaj nuk ka humbur kohë ti hakërrehet Genc Sekjos, i njohur si njeri memesh në Facebook. Sekjos i është bllokuar faqja e Facebook sapo ai publikoi në profilin e tij një foto të pagave të këshilltarëve të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, foto të cilën e shoqëron edhe me statusin: Për çfarë i duhen kryetarit të Bashkisë 20 këshilltarë, kur në fund do bëjë atë që i thotë Rama?

Sejko u njoftua pas postimit se në llogarinë e tij as nuk mund të postohet apo të komentohet për shtatë ditët në vijim. Arsyeja: Ka thyer standardet e sigurisë së komunitetit.

Në fakt nuk është për tu habitur. Veliaj domosdoshmërisht nuk do të donte që flota e këshilltarëve të tij të zbërthehej imtësisht në media. Një flotë tjetër njerëzish që i përgjigjen Lalit raportuan Genc Sejkon në Facebook, çka u bë dhe shkak që profili i tij të dalë jashtë loje për një javë. Tragjikomikja në këtë situatë ku është kapur Lali është se, ndonëse mund të raportojë këdo i publikon të dhënat e administratës së tij publikisht, thuajse të gjithë njerëzit e kanë dokumentin e pagave në telefonat e tyre. Mjafton një kërkim “Këshilltar i Bashkisë”, dhe makiazhit të Veliajt i ikën shkëlqimi diçka më shumë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here