Për 8 vitet e dështimit me dashje dhe rizgjimi sot që po ngjall shpresë

0
240

Nga GËZIM SALIU

Nëse do më pohonin vite më parë, madje muaj më parë, se PD do ishte në situatën aktuale ku ndodhet sot, bashkëbiseduesin do e kisha cilësuar si me probleme të theksuara në raport me logjikën standarde të një individi normal.

Kush do e mendonte se pas 8 vitesh masakër rilindase me paranë publike, nga PPP-të e famshme e deri te vjedhja e shekullit që mban emrin e incineratorëve, ai që do të shpallej non grata nga SHBA për korrupsion do të ishte ish-kryeministri Berisha, pa asnjë pushtet politik, krahas atij të deputetit?
Cili do e kishte menduar që Lulzim Basha pas humbjes së dytë radhazi të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe të katërtën si kryetar opozite, do të vendoste të rizgjidhej e mos dorëhiqej, duke dalë sërish me fabulën : “zgjedhjet mi vodhën bandat e Edi Ramës”?
Kush do e kishte menduar që pikërisht ai që çdo post e karrige në jetën e tij politike e mori vetëm prej hatrit të Sali Berishës, do të deklaronte se ky i fundit kishte qeverinë (2005-2013), përfshirë autorin e akuzës pjesë të saj, të mbushur me të korruptuar?
Cili do ishte ai shqiptar, demokrat po të doni, që do ta besonte se Lulzim Basha do të inisinuonte se ishte Berisha urdhëruesi për 21 Janarin 2011, kur vetë akuzuesi në atë kohë ishte ministër i Brendshëm dhe kontrollonte çdo veprim të demonstruesve me dylbi nga tarraca e Kryeministrisë?
Janë të shumta të papriturat që mund të rëndisim nga këto 3 muaj zhvillime intensive në PD, duke mos lënë pa përmendur edhe veprimin ndoshta më të turpshëm të L.B. si kryetar me cilësimin e anëtarëve demokratë që mbështesnin foltoren si “llum” të partisë.
Sot zyrtarisht Lulzim Basha me zyrtarizimin e rezultateve përfundimtare të referendumit, ka humbur postin që e mbante me pahir që prej 17 majit 2017, me votat e 43 mijë e 385 demokratëve. Thuajse dyfishi i votave që vetë Basha u rizgjodh në garën false të qershorit të këtij viti.
Basha mos sot, nesër do jetë i detyruar ta lëshojë atë zyrë që mban në kundërshtim me vullnetin e demokratëve. Nuk ka mundur askush deri më sot të dalë fitimtar mbi vullnetin e shumicës së theksuar. Kush e njeh historinë e dështuar të Bashës në këto 8 vite si kryetar i PD, nuk ka dyshime se Lulzimi nuk mund të jetë përjashtimi i aksiomës së mësipërme.
E megjithatë dëmi i shkaktuar nga Lulzim Basha përkundrejt PD-së është tejet i madh, kolosal. I vetmi kryetar opozite në 31 vite që la demokratët pa asnjë pushtet, as në atë lokal e as në atë qëndror, mban emrin Lulzim Basha.
Ishte ai që shiti të gjitha kauzat e shqiptarëve, patjetër dhe të demokratëve,  duke përfituar si pasojë nga lidhjet e fshehura me ato që i akuzon ditën në media si oligarkë e në darkë ndan gotën e verës.
Foltorja rizgjoi demokratët e tulatur nga 8 vite dështimi. Kuvendi i 11 Dhjetorit ishte aktiviteti më demokratik i ndodhur në këto 30 vite demokraci, duke marrë vendime strategjike që synojne rithemelimin e PD dhe rikthimin e saj te vlerat tradicionale konservatore.
Nga tani e ne vazhdim, misioni është padyshim i vështirë, por me rëndësi parësore për rizgjimin e opozitës dhe nisjen e betejës së vërtetë dhe ballore ndaj mazhorancës qeverisëse.
Boll më me “fake opozitë”, shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës.  Koha për të ndalur rrugëtimin e këtij regjimi që mbahej në këmbë deri më sot, me ‘patericën’ e tij në opozitë që kryesohej nga ish-kryetari Basha.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here