President i Republikës Ilir Meta ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtëm të Malit të Zi , Đorđe Radulović.
Nëpërmjet një statusi në ‘Facebook’ Meta shprehet se mes dy vendeve ka një bashkëpunim të mirë dhe se ky bashkëpunim duhet të shtrihet në të gjitha fushat duke pasur objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Statusi:
Prita sot në një takim të përzemërt, Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, z. Đorđe Radulović.
E përgëzova për përparimin, që ka shënuar Mali i Zi, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit europian, aq jetik për të gjitha vendet e rajonit, si dhe shpreha dëshirën që bashkëpunimi i mirë që ekziston midis dy vendeve tona të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke patur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Theksova se partneriteti në NATO duhet të frymëzojë marrëdhënie më të ngushta dhe të afërta ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe se të dy qeveritë i kanë të gjitha mundësitë ta modelojnë këtë bashkëpunim në përçim të vlerave më të mira të Aleancës.
Në veçanti apelova për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi, duke shprehur kënaqësinë që faktori shqiptar vazhdon të kontribuojë pozitivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha proceset demokratizuese dhe zhvillimore, duke qenë faktor kyç për qasjen euro-atlantike dhe europiane të Malit të Zi.
Meta