Teksa Lulzim Basha ka paralajmëruar mbledhjen e Kryesisë ku priten vendime dhe masa në mbrojtje të interesit të Partisë Demokratike, ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se ky forum është jolegjitim.
Në një intervistë për Televizionin Klan, Berisha rendit shkeljet në statut dhe fton anëtarët e Kryesisë të mos shndërrohen në satelitë të atij që e cilëson ‘peng-kryetar’.
‘E ashtuquajtura Kryesi e Partisë Demokratike është jolegjitime. Kjo Kryesi nga 38 anëtarë, vetëm 16 prej tyre të zgjedhur me votën e fshehtë të forumeve të Partisë Demokratike.
22 prej tyre nuk janë zgjedhur siç përcakton statuti me votim të fshehtë, sepse ata janë anëtarë ndaj të cilëve Këshilli Kombëtar s’ka shprehur me votë besimin, praktikisht ata s’janë anëtarë të Partisë Demokratike.
Nuk lejohet kurrë që në anëtarësinë e Partisë Demokratike të ketë maksimumi se 1/5 të emeruar ekzoficion të garantuara këto vende i ka kryetari i organizatës së grave dhe të rinjve. Një Kryesi e emëruar në 60% nga kryetari është turp’.
Por a i druhet Sali Berisha një përjashtimi përfundimtar, tashmë jo vetëm nga grupi parlamentar, por edhe nga partia që themeloi vetë tre dekada më parë?
‘Zero, edhe mbledhja është zero, s’ka kuorum mbledhja. Kjo Kryesi është ilegjitime dhe fake por unë tani po punoj për Kuvendin Kombëtar dhe Foltorja si mrekulli e dytë pas Dhjetorit të ‘90 e bëri atë si rast unik. Kjo është demokracia direkte në Shqipëri’.
Ish-Kryeministri Berisha akuzon Lulzim Bashën se ka devijuar statutin e Partisë Demokratike, duke marrë peng Kryesinë, që sipas tij është emëruar në masën 60% nga kryetari i partisë.