PD akuzoi sot sekretarin e përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri të përfshirë sipas saj në aferën e gazit të Albetprolit me Mirel Mërtirin e inceneratorëve me një dëm ekonomik prej 230 mijë euro.
Zëdhënësja e kësaj force politike Ina Zhupa, tha në një deklaratë për mediat, se një skemë korruptive për shitjen e 3 milionë metër kub gazi industrial nga vendburimet Cakran-Mollaj/Ballsh-Hekal, e cila ka në qendër ish-ministrin e Energjitikës Damian Gjiknuri, ish-drejtorin e Albpetrolit, Endri Puka dhe Mirel Mërtirin e aferave të inceneratorëve.
“Në operacionin e zhvilluar në muajt gusht-tetor 2017, Mirel Mërtiri, nëpërmjet kompanisë CGC, i ka bërë Albpetrolit një ofertë të pakërkuar për blerjen e gazit.” deklaroi Zhupa.
Deklarata e plotë:
Prej ditësh kryeministri flet për një krizë energjitike që ka goditur vendin tonë, sipas të cilës është shtyrë të marrë 200 milionë euro borxh për të mbushur gropat korruptive në llogaritë e KESH dhe OSHEE.
Këto ditë, Partia Demokratike ka treguar me fakte dhe prova se nuk jemi në një krizë të energjisë, por në një krizë korrupsioni, të cilën qeveria kërkon t’ia faturojë qytetarëve.
Kjo krizë korrupsioni u pasurua orët e fundit edhe me një investigim mediatik, të kryer nga portali Hashtag, i cili tregon se si sektori i energjisë është trajtuar si një plaçkë në shërbim të klientëve të qeverisë, në dëm të interesave të qytetarëve.
Një skemë korruptive për shitjen e 3 milionë metër kub gazi industrial nga vendburimet Cakran-Mollaj/Ballsh-Hekal, e cila ka në qendër ish-ministrin e Energjitikës Damian Gjiknuri, ish-drejtorin e Albpetrolit, Endri Puka dhe Mirel Mërtirin e afërave të inceneratorëve.
Në operacionin e zhvilluar në muajt gusht-tetor 2017, Mirel Mërtiri, nëpërmjet kompanisë CGC, i ka bërë Albpetrolit një ofertë të pakërkuar për blerjen e gazit.
Pas marrjes së ofertës, Endri Puka, kreu i Albetrolit, dhe Damian Gjiknuri, ministër i Energjitikës, kanë përzgjedhur një metodologji për shitjen e gazit industrial të ndryshme nga ajo e ERE-s, një metodologji që bazohej në bursën hollandeze dhe që shoqërohej me një koefiçent zbritës, në shërbim të Mirel Mërtirit, jo të interesave të kompanisë publike.
Sipas hulumtimit, edhe pasi kanë aplikuar një formulë të ndryshme nga ajo zyrtarja e ERE-s për llogaritjen e çmimit, treshja Gjknuri-Puka-Mërtiri, nuk e kanë respektuar atë formulë, pasi sipas kësaj formule, çmimi dilte me koston 25.33 lekë/Nm³, ndërsa Mërtiri e siguroi blerjen e gazit me vlerën 15 lekë/Nm³.
Pra, falë bashkëpunimit mes Gjiknurit dhe Pukës, Mirel Mërtiri, dhe vëllain e tij, Ervin Mërtiri, që atë kohë ishte në krye të drejtorisë që mbulonte shitje e sasive të gazit për Albetrolin në drejtorinë e Tranagatit, e ka blerë gazin me një ulje prej 230 mijë e 913 euro nga çmimi që impononte formula e përdorur.
Kjo kontratë e lidhur në fshehtësi të plotë nga treshja Gjiknuri, Puka Mërtiri, rezulton e zhdukur nga protokolli i Albpetrol, nxjerr në pah se si nën drejtimin e Ramës dhe ministrave të tij, shteti është kthyer në një shtet privat që i shërben interesave të klientëve të pushtetit, në dëm të interesave të familjeve shqiptare.
Kjo kontratë korruptive, që prej vitesh i ka shpëtuar shqyrtimit të drejtësisë, meriton një hetim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës, pasi teksa Rama flet për krizë të energjisë, dëmet e bëra nga kjo bandë e babëzitur pikërisht në sektorin e energjisë, nuk mund të paguhen nga qytetarët, por duhet të paguhen nga përgjegjësit e krizës së korrupsionit.