Kryetari në detyrë i PD, Lulzim Basha ashpërson gjuhën, deri edhe në ‘kërcënime’, duke atakuar ‘Foltoren’ dhe lëvizjen e liderit historik të PD, Sali Berisha.
Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ku pa patur debate mes mbështetësve të Berishës dhe Bashës, ky i fundit ka deklaruar se di të sillet edhe ndryshe, pasi rrjedh jo vetëm nga familja Basha, por edhe nga Hotët.
Leksiku i përdorur nga kryedemokrati tregon se jo vetëm po e lënë nervat, por njëherazi po kupton se ka humbur tashmë edhe atë pak terren që arriti të krijojë në PD, gjatë 8 viteve të qëndrimit në opozitë.
Pjesë nga debati
Flutura Açka: E keni devijuar bisedën te z.Berisha. Unë jam me PD dhe s’jam as me Bashën dhe as me Berishën. A është Berishizmi e ardhmja e PD-së?
Lulzim Basha: Nuk i jam përgjigjur Berishës në ‘Foltore’, sepse nuk dua të hedh poshtë mundin e demokratëve. Po vetëpërmbahem për të treguar maturi, sepse po qe për t’ju kundërpërgjigjur, unë rrjedh nga një familje si nga Bashët dhe Hotët, që shquhemi edhe për gjëra të tjera. Plani i Berishës është që të marrë PD-në dhe ta bunkerizojë për interesa personale, për shkak të vendimit të SHBA-ve. Unë jam i vendosur më shumë se kurrë për mos ta lejuar këtë gjë.
***
Ndonëse akuzon Sali Berishën për bunkerizim, në fakt i vetmi që është bunkerizuar në PD dhe nuk guxon të dalë të përballet me bazën është Lulzim Basha.
Foltorja e Berishës kalon në çdo qytet dhe po reflekton mbështetje të gjerë, ndërkohë që Basha nuk guxon të shkojë askund përveçse në zyrën e tij.
Të vetmen dalje që ka bërë Basha, jashtë selisë së PD, ka qenë një kafe e konsumuar me Alfred Rushajn, Jorida Tabakun dhe Grida Dumën.
Ne nuk i dimë trimëritë e Hotëve nga rrjedh Basha, por urojmë që nga ata të mos ketë trashëguar gjumin, pabesinë dhe pazaret.