Lëvizja Socialiste për Integrim ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për vetëqeverisjen vendore, që sipas kësaj force politike bie ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe zhduk transparencën në vendimarrjen e këshillave bashkiakë.
Më konkretisht neni të cilës i referohet LSI ka të bëjë me pikën ku Këshilli Bashkiak “miraton dhënien në përdorim të pronave të tretëve ose dhënien për zhvillim të pronës nëpërmjet bashkëpunimit me subjekte private”.
Kjo pikë sipas LSI kërkon që të tjetërsojë pronat me interes publik, me shumicë të thjeshtë, duke qenë se të gjitha këshillat bashkiakë të vendit janë në dorë të mazhorancës.
Ish-deputetja Silva Caka e cila dorëzoi dhe padinë, tha se LSI ka ndërmend që të ankimojë një sërë ligjesh në Gjykatën Kushtetuese, duke zbuluar në këtë mënyrë dhe formën që ka ndërmend të bëjë opozitë kjo forcë politike.
“Kemi gjykuar një ligj antikushtetues, në mënyrë të përmbledhur doja të bëja një shpjegim.
Ligji synon që të tjetërsojë kompetencat e këshillit bashkiak, synon që kalimin dhe tjetërsimet e pronave ti bëjë në mënyrë jotransparente.
Ishte komisioni i Venecias ai që rekomandonte se çështje me interes publik, duhet të kalonin përmes votimit me shumicë të cilësuar dhe jo me shumicë të thjeshtë, është ky kontroll, zëri ndryshe ai që përcakton se cili është interesi më i madh i qytetarëve.
LSI ka në plan të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese një masë të madhe ligjesh që i kemi punuar gjatë kësaj kohe. Ne duhet të mos mbesim më në rrafshin e denoncimeve, çdo ligj që ne e konsiderojmë që shkel interesin e qytetarëve”, tha Caka.