Ish-nënpresidenti afgan, Amrulah Saleh, i cili pretendon se është një president i ligjshëm në fuqi sipas kushtetutës, gjithashtu i dërgoi një video mesazh BBC-së duke thënë se ishte ende në Panjshir me rezistencën politike-ushtarake si dhe raportet se kishte ikur nga Afganistani ishin “krejtësisht të pabazuara”.
“Situata është padyshim e vështirë. Ne jemi nën pushtimin e talebanëve, aleatëve të tyre nga al-Qaeda, grupeve terroriste nga rajoni dhe më gjerë, si zakonisht, Pakistani po i ndihmon ata”, tha Saleh.
“Ne i kemi mbajtur pozicionet tona. Ne kemi rezistuar. Rezistenca nuk do të dorëzohet, nuk do të përkulet para terrorizmit. Nuk është e lehtë për ne”, shtoi Saleh.
“Talebanët bllokuan hyrjen humanitare në Panjshir, përdorën njerëzit e moshuar në Panjshir si një mjet për pastrimin e minave, duke i detyruar ata të ecin në fushat e minuara, duke fikur telefonat, energjinë elektrike dhe duke mos lejuar mjekim.
Njerëzit mund të mbajnë vetëm një sasi të vogël parash”, pohoi Saleh.
Ndryshe, raporte kontradiktore gjithashtu erdhën nga dy palët kundërshtare të enjten.
Ndërsa talebanët pohuan se kishin pushtuar një hyrje kryesore në luginë dhe pozicionet thelbësore përgjatë rrugës kryesore që lidh këtë krahinë me Badakshanin fqinj, rezistenca afgane u përgjigj se ata kishin zmbrapsur “sulmet e shumta” nga talebanët.