A duhet të hetojë SPAK skandalin e ONM-së?!

0
116
Nga Romir Saraçi 

Komisionerët e vetingut ndjehen nën presion dhe të fyer nga anëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Shkresa konfidenciale e rrjedhur në media demaskoi “korpusin” e ri të drejtësisë së re, por me zakone të vjetra. Kontestimeve se si devijoi Reforma në Drejtësi nga ajo çfarë u miratua me konsensusin e gjerë politik, tek reforma aktuale, i shtohet sot edhe skandali me ndërkombëtarë, ku anëtari i ONM-së, Theo Jakobs i bën presion e fyen gjyqtarët e vetingut në mënyrë që të ndikojë në vendimin që ata do të merrnin për kryeprokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Përtej përligjies së procesit si një mjet presioni, duket se ndërkombëtarët, e futur mes debateve në këtë proces, sot janë shndërruar në kartën e pastër të disa “ustallarëve” të politikës që po e përdorin vetingun për të shantazhuar gjyqtarë e prokurorë me qëllim mbylljen e punëve të tyre të zeza.

Por cili është faktikisht roli i ndërkombëtarëve në ketë proces. A po luajnë ata rolin e tyre apo po e tejkalojnë dhe padashur po bëhen subjekt i Kodit Penal?

Reforma e miratuar me konsensus bashkë me ndryshimet kushtetuese parashikon rol vëzhguesi për ONM, kjo e konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, i cili në opinionin për Reformën theksonte se vendimmarrja duhet të jetë në duar të institucioneve shqiptare.

Por çfarë ndodh sot! Duket se përfaqësuesit e ONM-së nuk kanë mbetur në rolin e vëzhguesit, por në rolin e imponuesit dhe ndikuesit me presione e fyerje për trupat gjyqësore të vetingut.

Por në kuadër të Drejtësisë së Re, ligjvënësit shqiptarë kanë miratuar edhe ndryshimet në Kodin Penal, duke ashpërsuar dënimet për ndikimin e paligjshëm ndaj gjyqtarit. E konkretisht në nenin 245/1 parashikon dënim me 6 muaj deri në 3 vite burg, edhe në rastet kur nuk kanë ardhur pasojat e dëshiruara. Tre gjyqtarët e vetingut shkruajnë:

“Qëndrimi paragjykues, fyerjet e shpeshta na kanë bërë që të ndihemi jo komod dhe nën presion.

Me qëndrimin e tij dhe presionin e ushtruar vëzhguesi në mënyrë të përsëritur ka dashur qartazi të influencojë në vendimmarrje”.

Pra në këtë rast kemi të bëjmë me denoncim për ndikim të palgjshëm nga zyrtarët e ONM, çka është prova më e fortë për një prokurori te pavarur, që përpara ligjit të gjithë i ka të barabartë. E nëse Reforma në Drejtësi po jep frytet e saj, apo siç ambasadorja e SHBA Yuri Kim deklaron: “Askush nuk është mbi ligjin!”, ky është rasti kur SPAK duhet të deshmojë se askush nuk është mbi ligjin e të vërë para drejtësisë ata ndërkombëtarë që nën petkun e reformës janë kthyer në “kamxhik në duart e politikanëve” për të goditur gjyqtarët dhe prokurorët që nuk hyjnë në rresht!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here