Rrëfimi i rrallë Suzana Biçaku Maliqi/ “Fjalët ‘biografi e keqe’ ishin sikur ato shtëpitë e shënuara me kryq të lebrozëve…”  

0
1182

Më poshtë një fragment nga libri “Suzana Biçaku Maliqi: Gjineshtra në vullkanin e kuq”, botim i ISKK-së, me autor Denis Gilën, i konceptuar në formë e një interviste të gjatë me zonjën Suzana Biçaku Maliqi, një nga gratë e persekutuara nga regjimi komunist. Shkaku ishte burgosja politikisht e dy prindërve edhe pse të papërzier me politikë, thjesht për shkak të pasurisë që zotëronin. Prezantimi i librit bëhet sot, në një atmosferë disi të veçantë, duke qenë se përveç studjuesve dhe protagonistes së këtij botimi, do të ketë edhe artistë të njohur, të cilët do të bëhen pjesë e këtij eventi me performancat e tyre muzikore

 

 

Nga Denis Gila

 

Për ato që nuk kanë durim deri në fund

Ditën e parë që kisha takuar Suzanën, kishim rënë dakort që të zhvillonim takime të përjavshme

me qëllimin që të mblidhnim informacion mbi jetën e saj. Qëllimi ishte të sillnim në dritë një jetë të jetuar me plotësi dhe t’ua transmetonim sadopak personave që do të marrin guximin të lexojnë jetën e një njeriu, jo për kuriozitet, por për të kuptuar dinjitetin njerëzor.

Pasi kishin kaluar shumë kohë që takoheshim me Suzanën në takimet tona të përjavshme, mendova se hedhja e këtyre rreshtave meritojnin të cilësoheshin sikur po futemi tani në një minierë jete dhe po mundohemi të nxjerrim ato gurë të çmuar që janë krijuar nga trysnia e viteve, e shqetësimeve, halleve, shpresave, ideve dhe ideologjive dhe gati- gati, mund të themi se nga çmenduria njerëzore mund të dalin edhe gurë të çmuar dhe jetë të jetuara deri në fund me dinjitet. Pavarësisht peshës së madhe që shkaktojnë vuajtjet, njeriut i kthehet ajo që ka bërë në jetë dhe do ta tregojmë gjatë bisedës dhe fjalëve në vijim të shprehura me një thjeshtësi, sa në momente të caktuara lindte dëshira brenda meje, që të lija që Suzana të shprehej dhe të thotë ato përjetime që ka patur pa e ndërprerë. Prandaj, pasi jemi rehatuar dhe kemi marrë pozicionet tona, në tavolinën që kishte në dhomën e ndenjës i drejtohem duke u munduar t’i shpjegoj zonjës atë që do të bënim në vijimësi, dhe i drejtohem: – Unë thjesht do të bëj disa pyetje, avash- avash, pastaj do t’i trajtojmë gjërat sipas mënyrës tonë, në një bisedim dhe udhëtim në kujtimet e jetës..

– Si e kaloni ditën?

Situata mes nesh ishte akoma si në pritje të zbulimit të ndonjë sekreti. Unë mendoja se çfarë po mendonte Suzana në ato momente. Të tregosh jetën tënde, është e vështirë.

Sa herë mundohemi t’i flasim vetes dhe të tregohemi të sinqertë, por i themi atë që duam të dëgjojmë? Megjithatë, besoj se vjen një moshë dhe një moment në të cilën njeriu me çiltërsinë më të madhe tregon atë që ka përjetuar, ndoshta si fitimtar që ia ka dale mbanë, ndoshta ngaqë tashmë askush nuk mund ta ndryshojë rrjedhën e jetës e prandaj Suzana fillon të rrëfehet me një qetësi që i buron nga thellësia, ndoshta nga mosha, ndoshta nga ndjenja, ndoshta përvujtëria dhe thjeshtësia e saj.

– Me thënë të drejtën unë jam mësuar të punoj shumë, nuk rri dot pa punë. Kisha edhe atë kushërirën time që tani ka vdekur, rrinte tek ai vendi.

– Këtë vendin mos ma luaj, se këtë e kam kolltukun tim, – më thoshte gjithmonë kushërira ime.

– Kjo është shtëpi e vjetër dhe ca gjëra duhet t’i ndryshoj, – i përgjigjesha kushërirës.

– Jo aman, këtë mos ma luaj, – thoshte dhe donte atë rehatinë e vet.

Mirëpo unë isha pak ndryshe dhe më kritikonte duke më thënë: – Ti nuk je njeri, më fal, ti je kafshë, do gjithnjë të punosh.

Unë e kam pasur gjithnjë dëshirë që të punoj e të heq mendjen nga të këqijat. Unë i kam vënë detyrë vetes e kam thënë, kjo që më ndodhi mua, nuk dua që ta ketë edhe djali im, domethënë që ta kujtojnë djalin për biografi të keqe dhe ndërkohë mendoja se çfarëdo të bëja, çfarë do të bëj?! Do të punoj. Gjëja më e madhe është që të punoj, që të bëj një biografi që të mos e ketë djali im, sepse të kesh një biografi të keqe (sepse prindërit e mi ishin të pasur), kjo për mua nuk ishte e arsyeshme, sepse të merreshin më politikë, hajde, por kot?! Dhe kështu u mësova, puno, puno, puno… Sot, të rinjtë apo brezi i rritur pas diktaturës nuk arrijnë të kuptojnë idenë e të pasurit një biografi të keqe nga pikëpamja politike. Një ditë, takoj një miken time me të cilën doja të diskutoja një çështje time personale. Gjatë bisedës i thashë që kisha marrë si nismë që të punoja me Suzanën për të përgatitur pak a shumë një libër kujtimesh për periudhën e komunizmit. Përgjigjja e saj më habiti pak, sepse më tha se kujt i duheshin tashmë këto historitë e komunizmit, ku vetëm vuajtje tregojnë dhe nuk ka asgjë të re. Brezi i ri mendon se nuk ka nevojë të dijë mbi të kaluarën e tij. Është gati një mohim i historisë tonë. Por unë kam menduar gjithmonë se duhet të njihet çdo gjë që është e mundur dhe duhet pranuar. Kjo për të vetmen arsye, sepse mund të bie pre e gabimeve të së kaluarës. Njohja, përballja, diskutimi dhe trajtimi I çështjeve është i domosdoshëm për të mirën e brezit të ri. Njerëzit me biografi të keqe ishin ato njerëz që ishin marrë me politikë, me konceptin e politikës në ditët e sotme ku dialogu dhe debati mbi çështje të ndryshme është në thelb të çdo procesi. Quheshin me biografi të keqe sepse mendonin ndryshe, mendonin të lirë, mendonin ashtu siç pretendohet të mendohet sot. Por si pasojë e mendimit të lirë, ato u dënuan me vite burg, me internime dhe ashtu mbetën gjithë jetën, me damkën e biografisë së keqe. Pra, të ishe

njëri i kulturuar, të ishe njeri me mendim ndryshe, nuk ishte alternative.

Po ashtu, në këtë kategori bënin pjesë edhe pasanikët, tregtarët, pronarët e tokave, të fabrikave, ato që besonin në Zot, pra të gjithë ato që nuk brohorisnin ideologjinë e partisë komuniste. Edhe vetë ato që brohorisnin linjën e partisë nuk besonin në të, sepse alternativa ishte burgosja, dënimi me vdekje, internimi dhe masakrimi i të gjithë të afërmve.

Sot gjërat kanë ndryshuar. Fjalët “biografi e keqe” nuk ekzistojnë më. Por, nganjëherë më duket sikur ato shtëpitë e shënuara me kryq të lebrozëve, të cilët ose kanë vdekur ose janë shëruar. Por, edhe pse lebra nuk ekziston më, kryqet në dyert e tyre kanë ngelur.

Disa janë munduar të ndërrojnë derë, disa nuk kanë arritur. Sot, fjalët “biografi e keqe” janë zevendësuar me një parashtesë ish: ish- të përndjekur dhe ish pronar. Parashtesa ish në kohët tona është kryqi në kohët e lebrozëve. Prandaj edhe duhet sjellë në kujtesë vazhdimisht e kaluara: që historia të mos përsëritet.

– Edhe sot? – i drejtohem Suzanës, duke e ndërprerë dhe në fakt u kujtova përtej habisë time,

se Suzana edhe pse i kisha kërkuar të uleshim dhe të flisnim, ndërkohë që filloi rrëfimin, hidhte sytë sa andej- këtej, sikur kërkonte që çdo gjë ishte në rregull.

– Edhe sot që jam 84 vjeçe, po nuk punova, nuk kam derman, rri kot hajt. Ajo më thoshte:

– po mirë moj, s’ke gjë, çfarë po bën? Në fakt shtëpia ime ka qenë si shtëpia e babës, e hapur, domethënë i gjithë farefisi kanë ardhur tek unë, sepse fatmirësisht kam pasur një burrë të

mrekullueshëm, por më vdiq shpejt. Nuk ka qenë asnjëherë as i sëmurë askurrgjë, ikte në fshat vetëm se isha unë gjoja e pasur, e çuan në një fshat tetë orë larg, në Tërbaç të Elbasanit, ku di unë se çfarë dhe vinte një herë në javë, por ishte një burrë që nuk dinte kurrë, jo qo të më ketë thënë ndonjë fjalë ose ndonjë gjë që të mërziste. Edhe unë kam qenë njeri i butë dhe

mendoja, – aman të mos gaboj në ndonjë gjë që t’ía prish qejfin, sepse ai ishte i jashtëzakonshëm: – Pse bën kaq shumë pas meje dhe pas djalit? E pyesja gjithmonë.

Im shoq kishte gjithmonë të njëjtën përgjigje: – Unë ju të dyve ju kam, se vëllezërit e motrat kanë gratë dhe burrat.e tyre.

– Jo, se s’më vjen mirë që t’í lodhesh .- i përgjigjesha. Ai thoshte: – aman se do të vdesësh në biçikletë, sepse unë ik këtej, atje, hajde këtej pas punës, punë të mirë nuk na jepnin.

Kur unë isha e vogël, më kanë përjashtuar nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, kot, 7 vetë nga Shqipëria vetëm se ishim të pasur. Pasi nuk kisha mundësi të frekuentoja asnjë shkollë, burri i tezes Nedehat, inxhinier Çefo Fico, ka qenë shumë i mirë, mirëpo babanë e donte shumë, se edhe babai e ndihmonte shumë e pasi babanë e futën në burg tha:  – Do të bëjmë këtë, ti nuk ke për të ndenjur në Elbasan. Çfarë do të bësh në Elbasan kur të kanë përjashtuar nga të gjitha shkollat e Shqipërisë?! Ne do të bëjmë të pamundurën që t’i gjejmë anën që Suzin ta rregullojmë. Një natë na erdhi policia dhe duhet të iknim. Nga njëra anë vëreja dëshirën e Suzanës për të thënë të gjitha gjërat, nga ana tjetër duke hedhur sytë nga dritarja, vëreja motin e vrenjtur që shoqëronte bisedën tonë. Ndjesia që kisha ishte se më dukej sikur ashtu e zymtë, ishte ajo kohë, si qielli që na shoqëronte në dritaren e dhomës së Suzanës. Rrëfimi i shpejtë, fjalët që rridhnin lirshëm dhe moti, sikur përfshiheshin me njëri- tjetrin, kurse zëri i Suzanës i qetë dhe i ngrohtë, herë me një buzëqeshje, kur vinte ndërmend babain, herë me sy të hidhëruar kur mendonte ditët në të cilat e tërë jeta ishte shkërmoqur, përzihej dhe ndillnin emocione. Po ashtu si ajri i ngrohtë i asaj dhome që të mbështjell dhe njeriu do të sillet nga të gjitha anët për t’u ngrohur. Suzana edhe në atë që tregonte e bënte me dashuri.

Atë natë kur burgosën babain, po atë atë natë më thanë: – ose do ikësh nga Tirana, ose nuk ka derman! Po prit, unë s’di ku të shkoj, ku të ki unë në Tiranë?! Atëherë që ishte me polici dhe me ashtu, kam ndenjur në kombinat te një shoqja ime natën, që ika pastaj dhe do të mendoja se ku do vete?! Edhe këto të sportit, se, në fakt kam qenë sportiste e mirë…

– Me çfarë jeni marrë? E pyes Suzanën me kuriozitetin që po më rrëmbente, minutë pas minute.

Doja të dija të gjithën menjëherë.

– Me volejboll, – m’u përgjigj Suzana vetëtimthi dhe vazhdoi, basketboll, atletikë, ping- pong, me të gjitha, se përpara nuk kishte vajza që luanin. Ne ishim ato të parat, mirëpo babai i shkretë në atë kohë ishte në burg dhe i vetmi që mund të fliste me të ishte Vasif Biçaku, kushëriri im, dhe që mund të ishte bindës. Kur e mori vesh babai, nuk pranoi, sepse në atë kohë konsiderohej turp dhe më thoshte: – Ti do të ikësh në sport?! Je në vete?! Sporti nuk ka nam të mirë, por

kushëriri im Vasifi, i thoshte: – Mos u bëj merak, sa të jem unë gjallë, Suzin nuk e prek as miza. Edhe Vasifin e donin dhe e respektonin. Kurse bashkëshorti im Naimi, nuk e kishte problem. Kur u martova, isha një sportiste e njohur tashmë. Ne kemi qenë dy tipa që vinim nga familje të persekutuara dhe po ashtu ishim dhe neve, por na donin, se nuk u ngatërronim as unë, as im shoq me punët e politikës. Edhe kur lindi djali, i thosha tim shoqi: – Nuk duhet t’i themi çunit se çfarë vuajmë e çfarë nuk vuajmë, që t’i marrë vesh ai kaq i vogël, prandaj nuk do të flasim hiç në shtëpi se çfarë bëhet dhe çfarë nuk bëhet.

Ndërsa diskutonim çështjen e pjesëmarrjes time në sport, Vasifi i thoshte tim shoqi:  – Ç’ke ti Naim, mos u bëj merak, Suzin do ta kem unë nën kujdesin tim, dhe në të vërtetë, që të gjithë më donin jashtë mase edhe atje. Pastaj thoja, çfarëdo lloj pune të jetë, edhe pastruese, vetëm doja të hyja njëherë në punë, që të merrja një rrugë se çfarë do të bëja. Pa shkollë si bëhesh?! Më falni, por vetëm kategoria shoqërore më e ulët kanë bërë pa shkollë. Isha mërzitur kaq shumë, kaq shumë sa nuk bëhet. Mirëpo erdha në Tiranë, burri i tezes tha që do të vish këtu tek ne. Spiro Kolekën ai e kishte shok, se ishte Ministër i Ndërtimit.

– Kur pak a shumë? Në çfarë vitesh, pak a shumë?

– Në ‘48 apo ‘49 më kanë hequr nga shkolla.

– E në çfarë shkolle?

– Të mesmen.

– Në shkollën e mesme Elbasan?!

– Në Elbasan. Mirëpo atje, Elbasani ishte shumë shumë i keq, megjithëse babain e donin kaq shumë sa nuk bëhet, se ndihmonte kaq shumë. Ai nuk dinte të thoshte që ky është komunist apo ky është reaksionar, ai thoshte mua më vjen keq që njerëzit nuk kanë bukë të hanë dhe duhet patjetër t’í ndihmojë dikush, kështu që unë kam dhe duhet t’í ndihmoj. Mamaja ka qenë e fortë dhe ka qenë krejt ndryshe. Gjithmonë i thoshte babait: – Po mos ore, se këto do të të hanë kokën”. – Mos thuaj kështu, se është gjynah, – përgjigjej ai dhe i ndihmonte me radhë. Unë ngaqë e doja shumë, se isha gocë e vetme atëherë, sepse motra ka lindur pas tetë vitesh dhe babai më adhuronte, e gjëmoja babanë ngado që shkonte, vetëm që të shihja nga shkon, nga nuk shkon, dhe ngaqë ndiqja babanë shihja që vinin edhe ushtarë aty, italianë, gjermanë, aty ishte hoteli në Elbasan.

– Si e kishte emrin? – e pyeta Suzanën.

– Hotel Modern, – përgjigjet Suzana me një shpejtësi të jashtëzakonshme, sikur të ishte pranë në

kohë e në hapësirë me atë Hotel, i cili nuk ishte vetëm një hotel, por investimi i një jete të tërë.

Ato do të vinin aty patjetër dhe babai ishte i detyruar të mbante ekuilibrat, me këta ta kishte mirë, por nuk donte që ta merrnin vesh se ky ndihmon ato, se e fluturonin. Kështu që kemi patur një tmerr. Pastaj çfarë bëmë?! Filloi me një Petrit Hakani, ka qenë i sigurimit ai, i tha: – Xhavit Bej, a do të na ndihmosh që të të ndihmojmë, se kjo punë, – tha, nuk i dihet

pavarsisht se ty të duan shumë… Xhavit Bej, edhe tani që ka vdekur, të gjithë Xhavit Bej e kujtojnë. I thoshin do të na ndihmosh, që të të ndihmojmë. – Unë ju ndihmoj, – përgjigjej babai

– vetëm gjejuni anën juve, se po më panë ata që po ju ndihmoj ju, më fluturuan. Kështu që i shkreti bënte atë që mundej dhe nuk e kanë e futur në burg. Nga ’44 deri në ’47 babai nuk ka qenë në burg, se nuk kishin çfarë i thonin, pastaj në ’47 e morën dhe e akuzuan kot, që ti ke pasur një… – këtij ia harroj emrin, por një që babai nuk e njihte fare, ti ke bashkëpunuar dhe ke

ndihmu filanin. Suzana gati nuk donte as t’ia kujtonte emrin. Duke menduar përgjigjen për Hotel Modernon dhe për sportin që u përgjigj aq shpejt, më bëri përshtypje kjo ndarje kategorike. Kur u mundua të thoshte emrin, hodhi vështrimin nga dritarja dhe e humbi, gati sikur donte ta linte të lirë atë emër, të ikte e mos të kthehej. Ata kishin të drejtë, – vazhdoi Suzana, por babai nuk thoshte se kishin të drejtë dhe e shtyu sa e shtyu. Kur e futën në burg pastaj, pushoi pak së foluri. Ai kishte edhe këtë, që tek ai kishin kaq besim, se ishte tepër i ndershëm, i dhanë edhe kryqin e kuq të Elbasanit, – meqë ti je shumë shumë i ndershëm. Sepse ai me të vërtetë ishte i ndershëm. Ai nuk linte as mamanë të prekte ndihmat për të varfrit. Ajo i thoshte: – Ore po t’i shohim çfarë ka për kuriozitet, se nuk po të afrohem atje lart.

– Jo,- i thotë, se janë të fukarenjve, mos i prek me dorë. Dhe ia dhanë kryqin e kuq. E prunë te shtëpia jonë, aty përpara ne kishim një shtëpi të vogël, shtëpia e madhe kishte 8- 9 dhoma dhe e bëri vetëm për ato. Ato ishin të kënaqur, se me korrektësi vinin, i merrnin rrobat, babai i thoshte: – Do të vini t’i ndani vetë, jo unë. Unë kam borxh që këtë që më kanë sjellë, të jeni

të sigurt që nuk do të mungojë asgjë. Ndihmat për të varfrit vinin nga jashtë shtetit nëpërmjet Kryqit të Kuq. Të gjitha silleshin në shtëpinë tonë, sepse babai kishte besimin e të gjithëve. E donin shumë. Babai nuk e mendonte kurrë se do të vinte një ditë që ato që kishte ndihmuar do ta fusnin në burg. Kurrë nuk e mendonte një gjë të tillë.  Në fakt Fedro, fabulisti romak, i cili solli fabulat e Esopit në versionin latin, na kujton në fabulën e tij Gjarpri mosmirënjohës një situatë të tillë. Duke menduar se rrëfimi po ecte me një shpejtësi të madhe dhe nuk po arrija ta ndiqja, vendosa të ndërhyj herë pas here për të kuptuar pak se si do ta orientoja bisedën në të ardhmen. Kisha nevojë të dija se sa kujtime kishte dhe kështu e pyes:

– A e kujtoni shtëpinë?

– Shtëpinë time? Po,- përgjigjet Suzana.

– Si ishte?

– Nuk ishte e re, se ishte e gjyshit.

– Kush ishte gjyshi juaj?

– Fuat Biçaku. Ja ta tregoj se e kam aty. Ka qenë edhe nëpër këto që firmoste pavarësitë e…

Në muret, në tavolinat, gjithandej Suzana ishte e rrethuar me fotot e njerëzve të dashur. Fotot me njerëzit e familjes ishin marrë nga momente të bukura të jetës.

– Nënshkruesi i pavarësisë, firmëtari i pavarësisë? – e pyes.

Suzana i kthehet rrëfimit me një dëshirë që pak njerëz e kanë. Më dukej sikur për të kishte ardhur momenti të tregonte gjithçka kishte qenë. Suzana kishte nxitim. Donte të rrefente

– Se edhe i harroj, – vazhdoi Suzana. Erdhi dita… te shtëpia, ishte babai, por gjyshi ka qenë shumë i mirë. Gjyshi, para se të vdiste bëri aktin e trashëgimisë, kishte një vajzë e një djalë. Mori nja tetë noterë, avokatë dhe të gjithë pasurinë e vet e la të bardhë, pa asnjë lloj shënimi dhe thotë: – Këtë, këtë, këtë ia kam lënë vajzës dhe një sekretar që ta ketë kjo, sepse halla ime, domethënë motra e babait, ishte martuar po te Biçakët, jo të afërt, por… dhe thotë:

– Duhet të ketë patjetër sekretarin që të dijë se… ajo kishte vetëm dy vajza dhe e mori nga shtëpia e vet, e mori dhe e solli në shtëpinë tonë, se ne kishim shtëpi të madhe, kishim dy shtëpi të mëdha, por me lekët më vete. Ndërsa djalit do i lë këtë, këtë dhe vetes së vet ia la të bardhë. Për atë ishte shumë mirë që të ndante pasurinë midis fëmijëve të tij, sepse sikur e parandjente fundin e jetës së tij. Dhe në fakt, pas 3 muajve vdiq. Mirëpo, këto tek halla kanë qenë, Faruk

Sejdini, në qoftë se e njef? Suzana uli gati totalisht zërin, sikur kishte frikë se mos dëgjohej dhe nuk po arrija të dëgjoj atë çfarë po thoshte.

– Faruk? – e ndërpres.

– Faruk Sejdini ka qenë me Dinamon.

– Jo, nuk e njoh.

– Shumë njeri i keq, që babai i mori, i futi në shtëpi, interesohej për çdo gjë për ato, megjithatë, çfarë do të bëjmë…I rikthehet kujtimeve dhe momenteve sikur t’i kishte të pranishme në ato momente. Qamil Biçaku, burri i hallës, e kishte detyrë të thoshte: – Sa të jem gjallë unë, do interesohem unë për këtë”. Ai u sëmur e shkoi në Gjenevë, jo në Gjenevë, por në një qytet të Zvicrës, që ishte për tuberkulozin. Nuk e mbaj mend emrin, të them të drejtën. Aty ka

qenë edhe një kushëri i mamasë, të dy kanë qenë atje. U shkrinë nga lekët, sepse të shkosh në Zvicër e të kurohesh për vite të tëra, filloi edhe pasuria të… Megjithatë, hajde më, babai e ndihmonte. Kështu që ia mori fëmijët, të dy gocat me gjithë të ëmën dhe i solli në një bahçe të madhe; kishim një bahçe të madhe. Kjo shtëpia që i dha hallës ishte me 5 dhoma, një oborr të

madh të bukur me lule, se halla ishte qejflije dhe i tha: – Ti do të rrish këtu, mos u bëj merak, sekretarin e ke për të gjitha, dhe nuk është se interesohej apo kuptonte nga administrimi i parasë. Pastaj babai hyri në burg dhe mbaroi kjo punë, nuk kishte si të ndihmonte as atë, as ne. Neve na kanë lënë në mes të katër rrugëve. Llogarit ti, mamaja dhe ne shkuam te një shtëpi aty afër ku jetonte një grua e moshuar. Në oborrin e shtëpisë kishte një dhomë këtu dhe

një kopsht që mbillte misra e produkte të tjera për mbijetesë. Mamaja mori një mushama nga këto plastiket, dhe aty flija unë, flinim ne, pa derë, pa penxhere, pa askurrgjë, shiu binte i gjithi brenda, ne të dy fëmijët me gjithë mamanë jetonim aty. Mamaja revoltohej shumë, ajo kishte të drejtë, por s’duhej bërë ashtu, se e mori edhe mamaja burgun pastaj.

*Titulli është redaksional

 

 

Persekutimi i gruas në komunizëm

 

Libri “Suzana Biçaku Maliqi: Gjineshtra në vullkanin e kuq”, botim i ISKK-së, me autor Denis Gilën, i konceptuar në formë e një interviste të gjatë me zonjën Suzana Biçaku Maliqi, një nga gratë e persekutuara nga regjimi komunist. Në formën e dëshmive, zonja Maliqi, e lindur në një familje patriotike, pjesë e parisë së kombit shqiptar dhe të njohur për ndjenjat e forta filantropike, që në fëmijëri i takon të kthehet në viktimë të luftës së klasave, të ndeshet me sfida të papërballueshme mbijetese. Shkaku, siç edhe zbulon kjo intervistë, ishte burgosja politikisht e dy prindërve edhe pse të papërzier me politikë, thjesht për shkak të pasurisë që zotëronin. Historia frymëzuese e kësaj gruaje, e cila falë forcës së karakterit arriti të mbijetojë mbi rrethanat e destinuara për klasën e saj në Shqipërinë Komuniste, paraqet interes jo vetëm në aspektin historik, por edhe atë sociologjik dhe psikologjik, sidomos për brezat e rinj.

Prezantimi zhvillohet, sot, në një atmosferë disi të veçantë, duke qenë se përveç studjuesve dhe protagonistes së këtij botimi, do të ketë edhe artistë të njohur, të cilët do të bëhen pjesë e këtij eventi me performancat e tyre muzikore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here