Nënkryetarja e LSI, Kejdi Mehmetaj, ka reaguar lidhur mbi protestën e mbajtur nga maturantët ditën e sotme. Mehmetaj shkruan se e vetmja cilësi që ka mundur të arrijë qeveria Rama është zëvendësimi i ‘Turit’ me ‘Sindin’
Mbi protestën e maturantëve
Në 12 vitet e angazhimit tim aktiv në politikë, gjithmonë prioritet kam patur arsimin, pasi gjykoj që vetëm nëpërmjet arsimit cilësor do të kemi mundësi të ndërtojmë një shtet të së drejtës, demokratik, me institucione të forta e ekonomi të zhvilluar.
Pasi vetëm nëpërmjet arsimit cilësor ne mund të ndërtojmë një shoqëri të emancipuar, që merr përsipër ndryshimin e mbi të gjitha rrit profesionistë të vërtetë.
Fatkeqsisht përgjatë këtyre viteve, ajo që kemi dëshmuar është në fakt shkatërrimi i mëtejshëm i sistemit tonë arsimor; Abuzim me dijen, abuzim me mësimdhënien, abuzim me mësuesin e patjetër abuzim me nxënësit.
Fjalën time të parë në parlament e kam mbajtur për Maturën Shtetërore dhe nese i kthehem sot nuk kam asgjë për ti ndryshuar, veçse do i shtoja faktin se që pas tërmetit e pandemisë, maturantët e sotëm, në tre vitet e gjimnazit, pothuaj nuk kanë zhvilluar as 9 muaj të plotë mësimi në bankat e shkollës.
Me gjithë dështimet e vazhdueshme të mësimit online dhe paaftësinë e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit për të menaxhuar situatën, e njëkohësisht duke kujtuar protestat për “Turin” vitin e kaluar, pata shpresuar që provimet e maturës këtë vit do i përshtateshin nivelit të dijeve të maturantëve për ti dhënë atyre shansin të ndiqnin shkollën e lartë të ëndrrave. Por jo!
Edhe këtë vit tezat u publikuan në media pa filluar mirë provimet e po njësoj “Turi” u zëvendësua me “Sindin” për të shkatërruar ëndrrat e një tjetër brezi.
Në këtë pikë jam e pazonja të vendos se kush prevalon në këtë qeverisje: Dashakeqësia apo Paaftësia?
Cilado qoftë edhe këtij brezi ju prenë shpresat, ju shkatërrua e ardhmja e ju bë gati rruga drejt emigrimit.
Ministria duhet sa më parë të plotësojë kërkesat e arsyeshme të maturantëve, ky do të ishte i vetmi vendim që do lehtësonte sado pak rrugën e tyre drejt dijes në vazhdim.
Ndërkohë, kjo qeveri, klasa politike, e gjithë shoqëria kemi një borxh të madh ndaj rinisë së këtij vendi. Është koha seriozisht të reflektojmë! Të ndalojmë abuzimet, prerjet e shiritave të fasadave, lojën politike me mësuesit, korrupsionin me tekstet shkollore!
Është koha të bëjmë bashkë një ekip ekspertësh të paanshëm e të pavarur, për ti kthyer dinjitetin arsimit shqiptarë.