Turqia po futet në një ekspansion të vrullshëm në Shqipëri duke arritur deri aty sa të ofrojë për qeverinë tonë, sistemin e kontrollit të territorit të vendit me dronë superinteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik.
Në pamje të parë, një zhvillim ambicioz, nga ana tjetër nuk është e qartë nëse gjithë këto të dhëna kombëtare të vendit, do të jenë të aksesueshme edhe nga qeveria turke.
Kryeministri Edi Rama ndodhet me disa ministra të tij në Ankara, nga ku njoftoi këto zhvillime të fundit që shihen si marrje në patronazh të Shqipërisë nga Turqia e kryeministrit Erdogan.
Qeveria turke nuk ndalet, po ashtu ka ofruar që të përfshihet në “Programin e Mandatit të Tretë për infrastrukturën kombëtare”.
Ndërkohë edhe privatët do të mësyjnë në vendin tonë. Me lehtësirat e shumta që ka ofruar bujarisht Edi Rama, ata duan të bëjnë ndërtimin e fabrikës së 7 llojeve të vaksinave, si zemra e një qendre të klasit të parë të prodhimit farmaceutik.
Ka edhe më. Teknopark Albania, një qendër e teknologjisë së lartë do të ngrihet në periferi të kryeqytetit tonë për kompanitë HighTech, Start Up-et e kërkimin shkencor, siç deklaron Rama, “sipas modelit të suksesshëm të jetësuar në Turqi, si katalizator i transformimit ekonomik e social dhe krijimit të vendeve cilësore të punës për të rinjtë:.
E sikurse paralajmëron Rama, “ka edhe shumë gjëra të tjera” që do të bëhen me Turqinë. /noa.al/