Ekzibicioni i kryeministrit shqiptar, Edi Ramës para akademikëve të sotëm që janë një hap pranë rishkrimit të historisë me milionat të hedhura nga qeveria. Ç’punë ka Rama në fjalën e tij të përmendë honorare, dieta e botime në një institucion akademik? A e di Rama se cili është funksioni Akademisë së Shkencave, cilat janë praktikisht detyrat e një akademiku? Pse një kryeministër e ul veten në një rrang aq të ulët sa numëron paratë e borderosë së akademikëve? Në një vend normal të gjitha këto as do dilnin nga halja, e jo më nga një sallë akademikësh. Dhe ja ku del pas kësaj ligjerate tek paratë dhe rishkrimi i historisë. Me ç’qëllim shkon një kryeministër dhe ndërhyn në punët e akademikëve për historinë?!
Ka qenë, mirfilli ekzibicion prezenca e kryeministrit shqiptar, Edi Ramës para akademikëve të cilët janë një hap pranë rishkrimit të historisë me milionat të hedhura nga qeveria.
Një tufë personalitetesh, dhe një tufë akademikësh të lodhur janë përulur para kryeministrit, edhe pse ai ka bërë një gjest irritues; duke zhgarravitur në librin e Albanologjisë një “shqiponjë”, një shpend simbolik që shënon tatunë e shqiptarëve. Pavarësisht se në rrjetet sociale shpërthyen ironi, e stigma ndaj këtij vizatimit, shpërndarja e fotove nga Akademia e shkencave është një ironi e radhës, bashkë me panegjerizmin e pashoq të fjalës së Ramës para servilëve dhe hipokritëve “shkencorë”, akademikë.
Një tjetër fotot me flokët me thinja, pothuaj të bërë dysh nga mosha janë shfaqur Skënder Gjinushi, kreu më i anatemuar i akademisë për kompromentimin e tij moral me të shkuarën si pjesë e qeverisë diktatoriale. Fjalimi dhe komentimi, paraqitur si alibi, ishte se “17 personalitet i bashkohen Akademisë së reformuar të shkencave”, që në fakt nënkupto korruptimin e këtij institucioni që kishte pushuar së marri frymë, nga politika, e sidomos kjo qeveri duke hedhur miliona për rishkrimin e historisë, nga një grup njerëzish të kontestuar, dhe se e kanë të dëshmuar se shohin vetëm një anë të historisë. Si duket ky takim i befasishëm i Ramës me akademikët dhe nderimin e tyre si personalitete, që do mbahen mend për uljen e zverkut para “pashait” të këtij vendi, që po e çon në zgrip me gjithë kuptimet, në shkatërrimin ekonomik, politik e kulturor të vendit.
Po e konkretizojmë, me paraqitjen e një pjese të mirë të fjalimit të Ramës, që nis: “I dashur Skënder, modestisht më lejo të të komplimentoj për këtë takim që sipas meje, është dhe një ngjarje, më në fund, për t’u shënuar në jetën e gjatë dhe me plot të tatëpjeta dhe të përpjeta të kësaj Akademie, në një habitat që të rri më së miri pas trupi, si një kostum i qepur me merak, jo si kostumi i politikës që herë të shtrëngonte, herë të zhubrosej e herë të lëshonte. Të jam mirënjohës, sinqerisht, për faktin se në një kohë relativisht të shkurtër arrite të më shpëtosh edhe mua nga alergjia për Akademinë e Shkencave. Shumë të nderuar akademikë, dekanë, rektorë! Ju e dini që nuk është sekret që Akademia e Shkencave dhe unë nuk kem i pasur një dashuri me shikim të parë, madje as në shikim të dytë dhe të tretë. Më vjen jashtëzakonisht mirë që sot të rikthehem në sallën e të paharrueshmit Aleks Buda, pa sfidën që të përcjell fjalë që i përvidhen thelbit dhe as me petkat e një rrufjani nga Tabir Saraji i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Por më lejoni gjithashtu t’ju kujtoj këtu, se kolegu juaj shumë i nderuar Rexhep Qosja, në një moment shumë frymëzues që nuk venitet, diku ka shkruar se vetëm budallenjve nuk iu dhemb asgjë, ndaj është mirë që njeriut t’i dhëmbë gjithmonë diçka. Fjalët e mia shpeshherë kanë dhembur për shumëkënd që e ka dashur pa kushte Akademinë e Shkencave, por dua të më besoni shumë sinqerisht se edhe mua më ka dhembur shumë gjendja në të cilën e kam gjetur Akademinë e Shkencave kur kam marrë këtë detyrë. Sot e them me bindje që reforma e mishëruar me ligjin e vitit 2019 bën që të ndodhemi në një kapërcim real mes dy epokash, për më të lartin e institucioneve shkencore shqiptare. Kur them kapërcim nuk nënkuptoj që kemi kaluar në anën tjetër, por gati-gati, po ta fotografojmë këtë çast shkëputjeje, jemi mes një hapi të shqitur përfundimisht nga bataku dhe një këmbe që është duke prekur ngadalë, në mënyrë bindëse, një breg të sigurt, nga ku patjetër mund të nisë një turravrap i ri për Akademinë e Shkencave.
Unë kam pasur dyshime të forta, nëse ky institucion i përçudnuar aq gjatë do mund të dilte ndonjë ditë nga agonia 30-vjeçare, prandaj jam shumë i gëzuar sot të jem këtu, pa asnjë ekzagjerim. Po ashtu jam i kënaqur që, nëse do rikthehesha në kohë, sot nuk do e gjeja më aktual një konstatim të bërë jo shumë larg, por në vitin 2017, përpara se të merrte udhë procesi i reformës, për një inerci që ishte inercia e kalbëzimit të vazhdueshëm të një institucioni që u krijua si xhevahiri më rrezatues i kurorës së dijes shqiptare dhe që ishte shndërruar në burim pezmatimi permanent, për të mos thënë në brengë, për të gjithë themeluesit e tij.
Patjetër, Akademia e Shkencave nuk është ende aty ku duhet të jetë, por sot është një institucion të paktën i zakonshëm, i cili më në fund nuk shquhet për keq, edhe pse nuk shquhet akoma për mirë në listën e 120 Akademive Shkencore anembanë botës.
Të jesh i zakonshëm, megjithëse sjell mërzi, besoj se është shumë më mirë se të jesh bujshëm i padëshiruar si të qenit i pari nga fundi. Më në fund, Akademia e Shkencave nuk është një karabina e zhveshur në degradim të vazhdueshëm, siç ndodhi qysh nga reforma famëkeqe e vitit 2008 ku çdo institucion varësie u asgjësua dhe ku për Akademinë mbetën në total 5 kompetenca honorifike.” – Siç duket, pra nga fjalimi përçudnimin e Akademisë kryeministri e lidh, me “historinë e tij”, pasi vënia si kryetar e një njeriu si Gjinushi e shemb çdo iluzion se aty ka reformë, dhe vetë Rama është koshient për këtë, duke e bërë çorbë gjithë rrugëtimin e tij të fjalimit për të goditur, e njëkohësisht për të bërë kompromise të panatyrshme si kryetar shteti, e politikan.
Dhe është e qartë pse kjo Akademi ka mbetur në epokën e gurit, duke fshehur në sirtarët e saj, plagjatiura dhe histori të deformuar, më shumë se çfarëdo institucioni tjetër, duke heshtur përballë çdo “stuhie” në Shqipëri, duke shprehur haptaz se është e pazonja të ketë ndikim në ekonomi, në industri apo çfarëdo fenomeni shkencor në vend.
Kështu vajtja e Ramës në Akademi në prag të akordimit të milionave për rishkrimin e historisë dhe përmendia prej tij e ligjit që “parashikon 20 kompetenca direkte për këtë institucion, si dhe një rol të posaçëm në lëvrimin e kërkimit shkencor e madje liri të plotë në tërheqjen e financimeve shtesë, si përshembull, financimet e Bashkimit Europian për kërkimin”, tregon se gjuha rreh të shkojë gjetkë. Ç’punë ka Rama në fjalën e tij të përmendë honorare, dieta e botime në një institucion akademik? A e di Rama se cili është funksioni Akademisë së Shkencave, cilat janë praktikisht detyrat e një akademiku? Pse një kryeministër e ul veten në një rrang aq të ulët sa numëron paratë e borderosë së akademikëve? Në një vend normal të gjitha këto as do dilnin nga halja, e jo më nga një sallë akademikësh. Ja ç’tha Rama, më shkoqur pse dje ishte në podiumin e akademikëve: “Nuk kemi më një institucion qëllimi i vetëm i ekzistencës së të cilit u katandis ndarja e honorarëve, dietave e pensioneve të veçanta e asnjë institucion pa asnjë rol në jetën shkencore. Nuk kemi më as një institucion, 85% e publikimeve të të cilit të jenë ribotime apo thjesht përkthime, ndonjëherë jo dhe të denja të institucioneve të huaja shkencore, që më pas shpërndahen në treg si studime shqiptare, për të ushqyer një grup të ngushtë individësh.
Janë 3 projekte të mëdha albanologjike që lëvrohen pas një boshllëku shumë të trishtë dhe të gjatë në këtë fushë, falë një financimi nga qeveria; Fjalori i madh i Shqipes, Enciklopedia Shqiptare dhe Historia e Shqiptarëve.”
Pasi Rama ka përmendur miqtë e tij të “korruptuar”, dhe do fjali për t’u bërë lajmë nëpër portale, mbi “depolitizimin” e Gjinushit, përformanca e tij merr fund, ndoshta për t’ja hedhur tufës së mufatur të akademisë, por jo ndërgjegjes së një populli: Rama u ka treguar të gjithë se tashmë i ka në dorë, në katër vitet e ardhshme, duke paralajmëruar tufën e pleqve se duhet ta kenë parasysh në shkrimin e historisë kur thotë: “në katër vitet e ardhshme, kjo Akademi do ta ketë qeverinë e Republikës së Shqipërisë më pranë se në të gjithë historinë e pluralizmit”. Rama duket se ua kërkon, me detyrim, me forcën e pushtetit gjithë akademikëve që ta shkruajnë historinë si do ai, ashtu siç e mendon ai, dhe jo ndershmëria intelektuale, kur thotë: “Nuk po guxoj akoma të them në gjithë historinë e saj se do bëja një sfidë mbase të pamundur për rrethanat, për kontekstin, për mundësitë, por në gjithë historinë e pluralizmit.”. Përdorimi i pushtetit deri në këtë pikë, ka vetëm një të ngjashëm; diktatorin.