Meta takon kryeministrin slloven: Reformat e brendshme do ta përshpejtojnë procesin e integrimit të Shqipërisë!

0
62

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit sot në Lubjanë në një takim zyrtar nga Kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša.

Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, të qëndrueshme dhe me ecuri pozitive ndër vite, në fushat politike, diplomatike, në sektorët e sigurisë e të mbrojtjes, veçanërisht në kuadrin e nismave rajonale.

Presidenti Meta falënderoi Kryeministrin e Sllovenisë Janša për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe shprehu besimin, që edhe gjatë Presidencës së ardhshme sllovene të Bashkimit Europian, ajo do të mbetet një avokate e integrimit të Shqipërisë dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Sllovenia, në të gjitha rastet është rreshtuar ndër ato vende që kanë insistuar për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, – vuri në dukje Kryeministri Janša gjatë bashkëbisedimit me Presidentin Meta.

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan se përparësi e vendeve të Ballkanit Perëndimor është bashkëpunimi i ngushtë rajonal dhe thellimi i reformave të brendshme me qëllim final integrimin në Bashkimin Europian.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme reciprokisht nga të dyja palët dhe kërkoi që liberalizimi i vizave të Kosovës me Bashkimin Europian të bëhet sa më shpejt, si një vendim që ndihmon jo vetëm Kosovën, por edhe bashkëpunimin rajonal.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here