Intervista në Turcomoney, zv.Presidenti i BALFIN: Ja si e shohim të ardhmen në Ballkan…

0
82

Në një intervistë të dhënë për revistën e mirënjohur ekonomike turke, Turcomoney, në specialen e saj kushtuar rajonit të Ballkanit Perëndimor, Zv. Presidenti i BALFIN Group, Steven Grunerud, ka bërë një bilanc të vitit të fundit dhe të impaktit që pandemia ka patur në sipërmarrje, ndërkohë që ka zbuluar edhe detaje të rëndësishme mbi investimet e ardhshme të Grupit si dhe mbi zhvillimet e tij të brendshme.

Më poshtë, intervista e tij e plotë:

Grunerud, kur u themelua Balfin? Në cilin sektor dhe në cilin shtet Grupi filloi i pari aktivitetet e tij të biznesit? Selia e Grupit tuaj ndodhet në Shqipëri. Në cilat shtete keni kryer investime, përveç Shqipërisë? Në cilët sektorë vazhdoni aktivitetet tuaja?

Samir Mane e themeloi BALFIN Group në vitin 1993 në Vjenë, Austri dhe aktiviteti i tij i parë i biznesit ishte në sektorin me shumicë të pajisjeve shtëpiake dhe elektronike. Aktualisht Grupi është duke operuar dhe ndodhet në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Holandën dhe është i pranishëm në disa industri, si pasuri të paluajtshme, retail, industrinë minerare dhe shkrirjes së mineraleve, industrinë bankare, turizëm, energjetikë, logjistikës, etj.

Cilat janë qëllimet afatgjata dhe afatmesme të grupit të kompanive tuaja në tregun e Ballkanit? Çfarë dëshironi të thoni për misionin dhe vizionin tuaj?

Balfin po kërkon të zgjerohet në sektorët e tij ekzistues në rajon dhe në zona të tjera gjeografike. Misioni ynë është të sjellim koncepte të reja dhe moderne në Shqipëri dhe në rajon dhe të investojmë në fusha premtuese. Për shembull, Balfin nisi shitjen e parë të organizuar me pakicë (retail) në Shqipëri, në pajisje elektronike dhe ushqimore dhe zhvilloi qendrat e para tregtare në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Vizioni ynë është të shtojmë vlerë për komunitetet në të cilat operojmë dhe të zhvillojmë biznesin tonë sipas praktikave më të mira të biznesit në dispozicion.

Cila është xhiroja vjetore dhe shuma e fitimit e Grupit tuaj? A mund të bëni një krahasim të shifrave të viteve 2019 dhe 2020?

Xhiroja e audituar e vitit 2019 ishte afërsisht 480 milion Euro ndërsa xhiroja e vlerësuar në vitin 2020 ishte 388 milion Euro. Rënia e xhiros vjen kryesisht si pasojë e bllokimit nga pandemia që ndikoi në sektorin e shitjes me pakicë (retail) dhe në rënien e çmimeve në tregjet ndërkombëtare për industrinë minerare.

Çfarë stimujsh dhe avantazhesh të tjera ofron qeveria shqiptare për investitorët dhe sipërmarrësit e huaj? Si një prej bizneseve kryesore në Shqipëri, cilat janë rekomandimet tuaja për kompanitë që duan të investojnë në vend?

Shqipëria ofron shumë mundësi duke filluar me vendndodhjen optimale gjeografike, të pozicionuar midis lindjes dhe perëndimit dhe afërsisë me tregjet evropiane, fqinje me Greqinë dhe Italinë. Shqipëria ka një kosto konkurruese të krahut të punës me një popullsi të re dhe të arsimuar. Vendi ka potenciale të mëdha për t’u rritur në bujqësi dhe turizëm duke reflektuar një rritje të konsiderueshme. Qeveria shqiptare ka planifikuar të investojë në rinovimin e infrastrukturës aktuale të transportit, duke përfshirë portet e reja, segmentet e reja të rrugëve dhe aeroportet e reja. Kjo do t’i japë vendit një nxitje në transportin e mallrave dhe njerëzve dhe rritje të mëtejshme të bizneseve.

Kur shikoni linjën aktuale social-ekonomike dhe politike të Shqipërisë, çfarë lloj parashikimi mund të bëni për të ardhmen në lidhje me Grupin tuaj?

Megjithëse selia jonë është në Tiranë, Shqipëri, BALFIN Group është një grup ndërkombëtar investimesh. Ne jemi shumë optimistë për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ne besojmë në potencialin e njerëzve në këtë rajon, prandaj jemi optimistë për investimet tona këtu.

A ka grupi juaj partneritete dhe bashkëpunime lokale dhe ndërkombëtare? Nëse po, a mund të na jepni informacione rreth tyre?

Grupi operon në industri të ndryshme, duke zbatuar parimet më të larta globale të biznesit dhe duke folur në gjuhën vendase. Si pasojë, Grupi BALFIN është një partner i vlerësuar dhe i duartrokitur për një numër të madh kompanish të rëndësishme ndërkombëtare dhe institucionesh financiare. Si shembull për lexuesit tuaj, ne kemi një bashkëpunim shumë pozitiv me Arcelik Group. Neptun, pjesë e Grupit BALFIN, është partneri ekskluziv i Beko. Ne kemi partneritet shumë të mirë me institucione financiare të tilla si EBRD (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), Raiffeisen Bank, Societe Generale, Banka Intesa San Paolo dhe institucione të tjera financiare të huaja.

A ka grupi juaj një strategji për t’u rritur duke blerë kompani?

Ne jemi një grup ambicioz investimesh që duam të rritemi më tej. Ne jemi zgjeruar si duke u rritur natyrshëm në zhvillimin e sektorit tonë retail, të cilin e kemi nisur që nga fillimi i saj, por gjithashtu edhe duke blerë kompani të tilla si në sektorin e minerareve dhe shkrirjes së mineraleve dhe në sektorin bankar. Ne analizojmë me kujdes të gjitha mundësitë që na paraqiten.

Investimet janë ngadalësuar në botën e biznesit dhe fitimet janë ulur për shkak të pandemisë. Çfarë masash paraprake keni marrë në këtë drejtim? A keni anuluar apo pezulluar ndonjë investim? Nëse po, a do të jenë këto investime përsëri në axhendën tuaj në të ardhmen?

Pandemia e Covid-19 krijoi një realitet të ri mjaft sfidues për të gjithë dhe për të gjitha aktivitetet sociale, politike dhe ekonomike. Shumë biznese vendosën të shkurtojnë investimet për shkak të pasigurisë së krijuar nga kjo situatë. Ne kemi ndërmarrë të kundërtën. Ne vendosëm të ecim përpara me investimet tona. Rrjeti retail vazhdoi zgjerimin e tij duke hapur dyqane të reja në qytete të reja. Sektori i pasurive të patundshme vazhdoi të njëjtën gjë me projektet e tyre. Muajin e fundit, Grupi BALFIN nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme për ndërtimin e një hoteli të ri në bregdetin e Jonit, një nga detet më të bukur në Mesdhe, me Accor, gjigandin e turizmit francez. Ne vazhduam investimet tona aktuale në minerale dhe shkrirje mineralesh për të rritur prodhimin dhe cilësinë, pavarësisht faktit se çmimet në tregjet ndërkombëtare nuk janë aq pozitive.

Sa punonjës ka Balfin në të gjitha kompanitë? Çfarë lloj modeli pune aplikoni gjatë periudhës së pandemisë? A ju është dashur të merrni vendime të tilla si zvogëlim ose shkurtim të stafit?

Grupi BALFIN ka punësuar drejtpërdrejt rreth 6,000 persona dhe rreth 3,000 të tjerë janë indirekt të punësuar nga partnerët tanë, funksioni dhe puna e të cilëve është e lidhur kryesisht me aktivitetin e kompanive të Grupit tonë.

Që prej fillimit të pandemisë, fokusi ynë ishte shëndeti dhe siguria e punonjësve, klientëve dhe partnerëve tanë. Kompanitë e ndryshme të Grupit kanë ndjekur politika dhe protokolle të ndryshme, duke zbatuar rekomandimet e vendeve përkatëse ku operojnë. Në përgjithësi, ne jemi akoma duke u rritur dhe asnjë punonjës nuk e ka humbur vendin e punës për shkak të pandemisë.

Cilat janë synimet tuaja për vitin 2021? A keni plane të reja investimi?

Të gjitha kompanitë e Grupit BALFIN operojnë në tregje dhe industri shumë konkurruese. Kjo krijoi kushtet për përmirësim dhe rritje të mëtejshme për Grupin, duke vënë në zbatim ide të reja, duke investuar në inovacion dhe duke përmirësuar standardet.

Në vitin 2021, BALFIN Group do të investojë afërsisht 86 milion Euro në zhvillimin e pasurive të patundshme. Në vjeshtën e këtij viti, në Shkup, Maqedoni e Veriut, do të përurohet një nga investimet më të rëndësishme të Grupit, East Gate. Kjo qendër tregtare do të jetë e treta e këtij lloji në pronësi të BALFIN Group, pas historisë së suksesit të TEG dhe QTU në Tiranë, Shqipëri. Tani, Grupi BALFIN është pozicionuar si një nga investitorët më të mëdhenj të huaj në Maqedoninë e Veriut.

Qendra tregtare TEG, në 10-vjetorin e saj, do të zgjerohet dhe do të ofrojë më shumë mundësi blerjeje.

Në bashkëpunim me Accor Group, një nga grupet më të rëndësishme në mbarë botën në industrinë e hotelerisë, BALFIN Group do të fillojë ndërtimin e hotelit të parë Boutique MGallery në një nga plazhet më mahnitëse të Detit Mesdhe, në Palasën e rivierës shqiptare.

Pas investimeve në zhvillimin e pasurive të patundshme, një tjetër moment historik i rëndësishëm është investimi më i fundit në rezidencat në Vienë, Austri. Ky është investimi i dytë në zhvillimin e pasurive të patundshme në Austri për BALFIN Group.

Në industrinë retail, të gjitha Kompanitë e Grupit kanë projekte konkrete për të zgjeruar zinxhirët e tyre të dyqaneve duke rritur numrin e markave dhe partnerëve dhe për të përmirësuar më tej cilësinë e shërbimit për konsumatorët. Ky do të jetë një investim prej rreth 6 milion Eurosh në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në sektorin bankar, Tirana Bank, pjesë e BALFIN Group që prej vitit 2019, do të vazhdojë të zgjerojë numrin e degëve, por edhe të përmirësojë shërbimet dhe zgjidhjet online. Përveç investimit për të ofruar më shumë shërbime e-banking, Tirana Bank brenda vitit 2021 do të jetë e pranishme edhe në Kosovë.

Pavarësisht viteve shumë të vështira për industrinë minerare dhe shkrirjes së mineraleve, BALFIN Group asnjëherë nuk i ka ndalur investimet në të dy kompanitë e tij, AlbChrome në Shqipëri dhe Newco Ferronikeli LLC në Kosovë. Këtë vit do të investohen afërsisht 19 milion Euro për të rritur prodhimin dhe standardet, përveç ofrimit të më shumë vendeve pune për komunitetet vendase.

Në total, gjatë vitit 2021 kompanitë e Grupit BALFIN do të realizojnë mbi 108 milion Euro investime.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here