Krijimi i një grupi të fuqishëm, (Tani edhe parlamentar) pas zgjedhjeve të 25 prillit brenda Partisë Socialiste i cili udhëhiqet nga Erion Veliaj, tashmë është realitet.
Kryetari i bashkisë më të madhe në vend i cili nuk e fsheh më që ka si synim të ndjekë rrugën e Ramës, duke kaluar nga zyra më e rëndësishme e kryeqytetit në atë të kryetarit të partisë, arriti që të eliminojë Ervin Bushatin (kryetari i PS për Tiranën) nga zgjedhja në parlament, edhe pse ishte brenda zonës së sigurt, dhe të fusë në vend të tij Fatmir Xhafajn, i cili pritet që të jetë një delfin kundër kryeministrit nëse në qeverinë e re ai dhe një sërë emrash të “grupit Veliaj”, nuk vendosen në poste ministrash.
Nga ana tjetër zërat se ndërkombëtarët do ti njohin përfundimisht zgjedhjet e vjedhura, me kusht që Edi Rama të krijojë një lloj “bashkëqevrisje” me Partinë Demokratike sa vijnë dhe shtohen. Pikërisht në këtë situatë, ndërkohë që Edi Rama edhe pse “ka fituar”, çdo ditë e më shumë shfaqet i trembur dhe i traumatizuar në publik dhe dërgon mesazhe “bashkëqeverisje”, sfiduesi i tij i fshehtë Erion Veliaj, njofton se ka nisur një vizitë në SHBA.
Nga Uashingtoni ai ka dërguar një mesazh “sekret”, jo vetëm për kryeministrin: Unë jam i përzgjedhuri i amerikanëve!
Në faqen e tij në FB, Veliaj njofton vizitën e tij në SHBA dhe ka shpërndarë një fotografi të një takimi në Uashington DC, me ish-ambasadorin e SHBA në Tiranë, Alexander Arvizu.
“Është gjithmonë kënaqësi të takohesh me një mik të vjetër, si ish ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, në Ëashington DC, në ditën e parë pa maska në SHBA”, shkruan Veliaj në Facebook.