Nga auditori i universitetit në foltoren e Kuvendit, Andia Ulliri do të jetë deputetja më e re e parlamentit të ardhshëm.
Është vetëm 22 vjeç dhe në 25 prill ja doli të lërë pas për nga numri i votave emra të njohur të Partisë Demokratike.
Në politikë nuk ka hyrë rastësisht, pasi shtysë e fortë për këtë vendimmarrje tregon se ishin vështirësitë që ndeshin të rinjtë shqiptarë, për të cilët premton se do të jetë zëri i tyre në parlament.
“Duke parë se si studentët kanë pasur vështirësi në vijimësinë e studimeve të tyre në Shqipëri, se si rritet emigrimi i të rinjve dhe se si shohim që rritet edhe papunësia. Disa këto nga shkaqet që të jem pjesë e politikës, të jem pjesë e një formati më të madh se vetja ime, një pjesë e një grupi që do të bëjë ndryshimin,” tha Ulliri.
Rezultatin prej më shumë se 5 mijë votash në qarkun e Durrësit e përkthen jo vetëm në vlerësim por edhe përgjegjësi, ndaj synimet i ka të qarta.
“Target grupi im kryesor është rinia shqiptare, duke qenë se jam pjesë e kësaj grupmoshe. Këto potenciale që kemi t’i vëmë në punë për shqiptarët dhe që të ndryshojmë dhe politikën për të rinjtë shqiptarë që sot mendojnë se nuk kanë një të ardhme në Shqipëri,” tha Ulliri.
Në 4 vitet e ardhshme do të shkelë në rrugë të panjohura të politikës aspak të lehtë shqiptare por thotë se kjo gjë nuk e step dhe as e frikëson.
“Përgjegjësia që unë kam marrë sot tregon vetëm reflektimin e atyre, besimi që pata nga votuesit e zonës dhe jo vetëm, nga çdo votues i ri që sot mendon që Shqipëria ka mundësi të ndryshojë, “ tha Ulliri.
Studentja e arkitekturës tregon se dëshiron ta mbaj gjatë kostumin e deputetes teksa kërkon nga të rinjtë që të mos e braktisin Shqipërinë, por të kenë guxim për të ndryshuar vendin e tyre.