Kukësi rigjen fitoren ndaj Vllaznisë, kuqeblutë i japin “lamtumirën” titullit

0
122

Java e 32-të e Kategorisë Superiore ka nisur me surpriza. Pas 4 ndeshjesh, më në fund Kukësi është rikthyer në rrugën e fitoreve, duke marrë një sukses shumë të rëndësishëm 3-1 kundër Vllaznisë. Skuadra shkodrane në këtë mënyrë i jep një goditje të fortë ëndrrës për të luftuar për titullin kampion. Ndeshja nisi mjaft mirë për verilindorët, që gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 5-të.

Pas një krosimi të bukur të Kotobellit nga krahu i majtë, Eze arrin që të godasë me kokë, ndërkohë që topi i përplasur fillimisht në shtyllë do të shtyhej prej tij për në kuadratin e portës. Vetëm 3 minutë më pas Vllaznia reagoi mjaft mirë duke goditur shtyllën me Da Silvën, ndërkohë që më pas Kalaja nuk përfitoi në vijimin e aksionit. Kur pritej reagimi i kuqebluve, do të vinte edhe goli i dytë nga Kukësi. Eze fiton një penallti pasi pëson një ndërhyrje të gabuar brenda zonës. Nga pika e bardhë Taipi u tregua i saktë në minutën e 35-të. Brdaric është shumë i pakënaqur me lojtarët e tij, teksa në fillimin e pjesës së dytë bën menjëherë 3 zëvendësime të shpejta.

Goli nuk do të vononte shumë, teksa Vllaznia fiton një penallti që do të kthehej në minutën e 51-të në gol nga Ardit Hoxhaj. Minutat e fundit të sfidës ishin shumë delikate për Kukësin, që rrezikoi disa herë të pësonte golin e barazimit. Hoxhaj pretendoi për një penallti në fundin e takimit pas një kontakti që pati me portierin Xhika. Në shtesën e ndeshjes, skuadra verilindore gjeti edhe golin e tretë që vulosi fitoren. Gavazaj realizoi golin që ka shumë vlera për mbijetesën. Tashmë Kukësi gjendet në vendin e 6-të me 39 pikë, ndërkohë që Vllaznia mbetet në vendin e tretë me 54 pikë, 3 më pak se Partizani kryesues. /R.Lika-Koha Jone/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here