Kritiku i artit: Guliem Radoja ishte pa dredha, iku burrërisht, pabujë, por plot emër e famë

0
68

Studiuesi dhe kritiku i artit Josif Papagjoni shkruan se Guliem Radoja iku nga kjo botë burrërisht, siç ishte, i hijshëm, i thjeshtë dhe pabujë, por plot emër e famë. Papagjoni thotë se aktori i shumë roleve ishte i njohur për shpengimin dhe humorin e tij, por mbi të gjitha “për atë cilësi që ai kishte për ta thënë troç të vërtetën. I drejtpërdrejt, pa dredha. I vetëmjaftueshëm”. Aktori i njohur u nda sot nga jeta si pasojë e COVID-19.

Postimi i plotë i Josif Papagjonit

Guliem Radoja iku nga kjo jetë, siç ikën kësaj pandemie emra të njohur me ndihmesa të jashtëzakonshme në artin e aktrimit. Iku burrërisht, siç ishte. Iku i hijshëm, siç ishte. Iku i thjeshtë, siç ishte. I pabujë, por plot emër e famë. Shpesh i tërhequr dhe vetëm në miqësitë e tij, por përherë e gjithkund i respektuar. Një shkodran që u bë durrsak, tiranas, shqiptar. I njohur për shpengimin e tij, për humorin e tij, për atë cilësi që ai kishte për ta thënë troç të vërtetën. I drejtëpërdrejtë, pa dredha. I vetëmjaftueshëm.

Lamtumirë, artist. Për miqtë e mi po përcjell shkrimin për të, pjesë e Enciklopedisë së Arteve Shqiptare.

RADOJA, Guljem (1945-2021). Aktor i teatrit dhe i kinematografisë. Lindi në Shkodër, më 2 korrik. Pas studimeve të larta për aktor në ShLAAM më 1967, punoi një vit në Librazhd dhe tre vjet si regjisor në Estradën Profesioniste të Fierit*. Në vitin 1971 u emërua aktor në Teatrin “Aleksandër Moisiu”* të Durrësit deri në vitin 1996; nga ky vit e në vazhdim është aktor në Teatrin Kombetar si dhe pedagog i aktrimit në Akademine e Arteve. Në teatër, si nga dramaturgjia shqipe, ashtu dhe nga dramaturgjia botërore, ka luajtur personazhe të kahut pozitiv, rëndom të natyrës heroiko-romantike, duke krijuar një model të tijin, të pëlqyer prej publikut, si Viktori në dramën “Vranësirë e shkurtër” e Teodor Laços* në teatrin e Durrësit si dhe teledramën “Dorina”.

Në vitin 1988 luajti Shiku Mangën në dramën “Përshpirtje në shtëpinë e Matildës”, ku përdori gjerazi dhe me sens planet e dyta, tjetërsimet e njëpasnjëshme, kurse në vitin 1994 interpretoi rolin e Estragonit në dramën “Në pritje të Godosë” të S. Beketit dhe së bashku me Agim Qirjaqin* si Vladimiri, krijuan një dyshe plot hijeshi, e stilit beketjan, ku dalluan bashkëshoqërimet dhe kontrapunktet inteligjente të veprimeve e sjelljeve të personazheve të tyre si dhe prerjet e endshme aktoriale, përputhur teatrit absurd. Më pas luajti në dramën “Rinoceronti” e E. Joneskos, në komedinë lirike “Ylli pa emër” e M. Sebastjan, në komedinë “Cilindri” e Eduardo de Filipos, në dramën “Streha e të harruarve” e Ruzhdi Pulahës* etj.

G.R. është bërë i dashur për publikun veçanërisht në kinematografi, ku ka krijuar 35 role. Spikati me rolin e fotografit në filmin “Shtigje lufte”, 1974, për të shkuar më i qartë drejt një karriere të sigurt me rolin e Tenente Gurabardhit tefilmi “Në fillim të verës”, 1975. Plazmoi me mjeshtëri dhe një aktrim elegant të tipit të kinemasë neorealiste figurën dinake prej ideologu dhe tinzari të sipërmarësit fashist te “Gjeneral gramafoni”, 1978; një vit më vonë i dha frymë njërit prej personazheve më sublimë e më të ngrohtë, atij të atdhetarit me penë e pushkë, Stefan Bardhit, në filmin “Mësonjtorja”, 1979, me të cilin u nderua me çmim.

Figura e Petro Nini Luarasit te “Kush vdes në këmbë”, 1984 (me të cilin u nderua me medaljonin e Festivalit të Filmit Shqiptar 1984), erdhi në frymimin e tij aktorial si martiri i vetëdijshëm i gjuhës dhe kombit, njeriu i paepur, burri, prindi, shoku dhe mësuesi i dashur, e gjitha përmes një loje të përmbajtur, në tone dramatike sa edhe tragjike, gjithherit me një vërtetësi dhe natyrshmëri të dukshme. Nivele të merituara arriti edhe me rolin e priftit te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1989; e Luçianos te “Vendimi”, 1984; e Markut te “Flutura në kabinën time”, 1988 si dhe filmat “Vdekja e burrit”, “Dashuria e fundit”, “Era e ngrohtë e thellësive” etj.

Këto figura janë krijuar përmes një loje rëndom psikologjike, jo rrallë me mbartje tragjike, sikurse janë përshkruar po ashtu nga vërtetësia e detajeve dhe natyrshmëria e të sjellurit. G.R. është aktor me hir, i ëmbël, i përmbajtur në fjalë e gjeste; ka një portret tërheqës që ngjall simpati dhe u shkon për shtat roleve të njerëzve fisnikë; dallon për logjikën e fjalës, e cila gërshetohet rëndom me një vështrim herë të çiltër, herë plot nënkuptime, ku spikat qartësia e mendimit dhe qetësia e brendëshme. Ka fituar titullin Artist i Merituar.

Bibl.: Papagjoni, Josif. Aktorët, SHBLSH, Tiranë, 1999, f. 136-139, 153-154.

Josif Papagjoni

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here