‘Dosja e zezë e 25 prillit’/ Si u blenë mijëra vota me paratë e buxhetit…

0
98

Gazetari Klodian Tomorri në ditët e para pas votimeve të  25 prillit ndërkohë që Edi Rama dhe të tijtë vazhdonin festën e 77 mandateve, zbuloi një skandal që nëse kalon me seriozitet në sitën e drejtësisë rrëzon komplet procesin zgjedhor dhe çon në qeli zyrtarë të lartë nga kryebashkiakë deri në ministra.

Gjithandej flitet me prova e dyshime, për miliona euro të hedhura në favor të votës për Rilindjen nga ana e krimit të organizuar, oligarkëve që kanë 50- fishuar pasurinë gjatë këtyre 8 viteve të fundit dhe bizneseve që pastrojnë para jo vetëm në ndërtim.

Këto ishin të pritshme pasi dihej që do të rivinte në punë skemën e zgjedhjeve të vitit 2017, por që Edi Rama do të blinte votat e qytetarëve me vetë paratë e tyre, kjo ishte surprizë. Dhe nuk bëhet fjalë thjesht për vënien e burimeve shtetërore në fushatë, si asfalti elektoral, apo përdorimi i mjeteve dhe resurseve të administratës, por për dhjetëra milion euro kesh.

Nga data 19 prill deri në datën 22, vetëm 3 ditë përpara paraqitjes te kutitë e votimit, në telefonin mijëra qytetarëve në qarkun e Durrësit mbërriti një mesazh nga banka. Aty shkruhej: “Llogaria juaj u kreditua me x mijë dollarë”

Dërguesi i parave ishte vetë buxheti i shtetit, që edhe me mbushet nga taksat e po të njëjtëve qytetarë. Ose  më saktë, programi i granteve të rindërtimit nga tërmeti që drejtohet nga ish-ministri i Financave e sot i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Atë ditë ose të nesërmen këta qytetarë u paraqitën në bankë për të tërhequr çekun e dërguar nga qeveria, ndërsa pas dy ditësh shkuan që të votojnë.

Rroftë Edi Rama, rroftë Arben Ahmetaj, rrofshin kandidatët e PS-së në Durrës, ata punojnë dhe mendojnë për ne!

Por çfarë ka ndodhur?

Paratë kesh të derdhura nga buxheti në llogari të familjeve të Durrësit në javën e fundit para zgjedhjeve, ishin finalizimi i një operacioni të mirë-koordinuar me bashkinë e këtij qyteti. Në datën 4 shkurt, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako dhe këshilli bashkiak i këtij qyteti miratuan me urgjencë listën e parë me 806 familje, të cilat do të përfitonin mbi 2 milionë euro transferta kesh nga qeveria si kompensim për dëmet e tërmetit.

Në 14 prill, Bashkia miratoi dhe një tjetër listë akoma më të madhe me 1351 familje të tjera, të cilave në ditët e fundit para zgjedhjeve iu derdhën 4 milionë euro kesh në llogaritë e tyre.

Madje jo vetëm kaq, por përmes disa vendimeve të javëve të fundit, Bashkia e Durrësit ka ndryshuar kategorinë e dëmtimit për qindra familje durrsake, duke i ngjitur nga DS1 në DS2 apo nga DS2 në DS3, ç’ka rrit automatikisht dhe vlerën e parave që ato përfitojnë nga qeveria.

Por megjithëse Durrësi ishte epiqendra e transfertave cash të rindërtimit, ky ishte një operacion në shkallë kombëtare, që përfshinte disa qarqe të vendit dhe që koordinohej nga qeveria në Tiranë. Përmes më shumë se 20 vendimeve të miratuara në periudhën nga 3 shkurti deri në 14 prill, Këshilli i Ministrave, i hapi rrugën ligjore vetes të derdhë miliona euro në prag të zgjedhjeve në llogaritë bankare të familjeve që ishin prekur nga tërmeti i ndodhur një vit e gjysmë më parë.

Këto dokumente konfidenciale të siguruar nga MCN dhe gazetari Klodian Tomorri, tregojnë se përmes programit të granteve të rindërtimit, në muajt mars dhe prill qeveria transferoi plot 40 milionë euro kesh në llogaritë e mijëra familjeve në Durrës, Shijak, Kamzë, Vorë, Rrogozhinë, Kavajë, Mirditë, Lezhë dhe në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti.

Fenomeni ka qenë aq masiv, sa që mund të jetë operacioni më i madh i ndikimit të votës në shkallë të gjerë i regjistruar ndonjëherë në Shqipëri. Jo me para informale, por drejtpërdrejtë me paratë e buxhetit të shtetit, pra me paratë e taksave të qytetarëve. Gjithçka në rrugë ligjore dhe gjithçka nën hundën e opozitës. Kjo e fundit madje, shëtiste nëpër Shqipëri autokolonat e militantëve.

Por ndërsa opozita jetonte me shpresën dhe mundësinë për të fituar zgjedhjet me votë të lirë dhe frymë ndryshimi, qeveria përveç masave të tjera, ishte duke realizuar në heshtje operacionin më të madh të ndikimit të votës, rezultati i të cilit u pa në 25 prill me 77 mandate.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here