Nga përmbledhja e pamfleteve titulluar “Havadan me havadan”, të Mitrush Kutelit kemi shkëputur një tufë pamfletesh nga kapitulli “Shtetnore”: “ Ndërrimi i qeverisë është një rast i madh gëzimesh. Herën e parë se jep mundësi të kritikohen ministrat e vjetër, (nga armiqtë e më fort nga miqtë – sepse kujt iu dha më shumë e kujt më pak nga thesi i buxhetit e nga trajstat jashtë buxhetit). Pastaj, që t’u bëhet qefi ministrave të rinj “shpëtimtarë të atmes kombëtare”. Nisin për një javë plot vizitat, urimet, lëvdatat e sa e sa të tjera. Tamam Bajram e Pashkë bashkë!…”
Mitrush Kuteli
Ndërrimi i qeverisë është një rast i madh gëzimesh. Herën e parë se jep mundësi të kritikohen ministrat e vjetër, (nga armiqtë e më fort nga miqtë – sepse kujt iu dha më shumë e kujt më pak nga thesi i buxhetit e nga trajstat jashtë buxhetit). Pastaj, që t’u bëhet qefi ministrave të rinj “shpëtimtarë të atmes kombëtare”.
Nisin për një javë plot vizitat, urimet, lëvdatat e sa e sa të tjera. Tamam Bajram e Pashkë bashkë! Turma e urimxhinjve hyn e del, bën temena, pi duhan edhe përkëdhel shpresa kreshnike.
Kush nuk hyn në bylyk i heq provizorisht një tel urimesh për të patur derën e çelur.
Ky Bajram e Pashkë shtetnore kombëtare mban gati një javë.
Pa fjalë se telegramet e dërguara – nga 200 ose 300 për Ministër, janë kryevepra stilistike, të cilat meritojnë të hyjnë në anthologjitë shkollore. Me shpresë se dikush ka për t’u përkujdesur “me i rrasë” në anthologji, po japim më poshtë disa prej tyre:
Telegrami i parë
Shkëlqesës së Shkëlqyeshme… Tue pritun rasën me Ju shprehun gojarisht urimet e mija ma të plota për emnimin e Shkëlqesës s’Uej si Ministër, lejohen me Ju çue sa ma pari ndjesinat e shpnesat patriotike kombëtare stop. Jam kryekëput sigurt se me Shkëlqesën Juej asht sigurue ardhmënija kombit mbarë sidomos qytetit linduer stop Kryenalt me u quejt kryekëput miku Shkëlqesës Juej siguroj besnikin amshueshme stop
Rrnoft Shqypnija (shej çuditse)
Rrnoft mbar Kombi Shqiptar (shej çuditse)
Rrnoft flamuri dykrenor i ngritun mbas pesqind vjet robnije (shej çuditse)
Rrnoft 28 Nanduri (shej çuditse)
Rrnoft 9 Prilli prejse 28 Tetueri prejse e gjith festat kombëtare mbarë (shej çuditse)
Top Topi dora vet
Telegrami i dytë
Shkëlqesës Tijë Ekselencës… Rrethanat kombëtare nuk lejojn paraqitjen gojarisht urime gradimin Shkëlqesës Juej Ministër pikë Zoti mbarë plotsimin misionit ‘naltë kombëtar për shpëtimin et naltsimin popullit mbretnuer atdhetar et patriotik nacional në qellën misionit historik pikë Tue vumun personin em kryekëput dispozicjon urdhnavet eprore Shkëlqesës Juej mbetem
Telegrami i tretë
Shkëlqesës naltë
Ministrit
Titullarit Dikasterit Mbretnuer
Bashkangjitun parashtroj Asaj P.T. Shkëlqese shkëlqyeshme urime nxehta për emnimin meritueshmë dhe lutem denjoni me pranue fisnikisht stop Rasë parë nisem kryeqytet me shërbye vullnetarisht kryekëput pse Atdheja pret tanë bijt shqypes me punue e veprue naltsimin kombit fisit arbnuer kreshnik e flamurit kuqzi Skënderbegut komtar stop Siguroj bashkëpunim zelshëm sidomos me flrmue mandatin rrogës paradhanje trimujsh
Dop Dopi una veta
(vijojnë të tjerat 297 telegrame)
TRADITA
Jam adhuronjës pa rezerva i traditave të vendit. Arësyet janë të shumta. E para se tradita na shquan nga popujt e tjerë. Të dytën dhe të tretën i harrova, po mjafton e para.
Pra jam adhuronjës i traditave të vendit që na shquajnë nga vendet e popujt e tjerë, të cilët, me do e mos, janë të poshtër e barbarë.
Tradita e vendit e do që kur bëhet dikush ministër të vejë gjithë populli në dikasterin përkatës, për urimet e rastit. E do, s’e do; e quan të mënçmë a budalla; e quan të ndershmë ose jo – për të uruar duhet të vesh ta urosh. Kjo që të kesh nesër derën çelur për do-një favor personal ose të do-një miku ose të do-një miku të mikut – si e do tradita e vendit. Po të jesh i afërmi i ministrit shtrohesh në kolltuk të butë edhe bën muhabet, dyke pirë kafe e duhan (se punët e Dikasterit venë vetë…) kurse po të jesh vetëm “turmë” kënaqesh me një cigare e me një shkëmbim buzëqeshje të ëmbël si hallva e si kadaifi bashkë. Fund i fundit, mor zotni, ti nuk vete për cigare, po që
ta dijë Ministri se je në jetë, se e urove, se i the “Shkëlqesë” dhe dora dorës, kaqë mjafton.
Më anë tjatër tradita e do që vendi të ketë buxhet – qoftë edhe se arka s’ka një metelik.
Dhe tradita s’ka si të shkelet!
Gjith tradita e do që në buxhet të jenë shkruar shpenzimet për një vit. Po për fat të keq viti është i gjatë fort dhe durimi ynë i shkurtër fort. Pra ministri, në është ministër me zile, e jo frikacak i nderçmë, lipset të bëjë dy gjëra: a) t’i marrë fondet e një viti qe’ në muajin eparë; b) t’i prishë sapo i përlau.
Këtë e lejon tradita edhe tradita nuk shkelet.
S’prish punë në mbeten 11 muajt e tjerë pa fonde. Qëllimi i buxhetit dhe i qeverimit u prek, si e do tradita kombëtare.
Pikat e më sipërme duhen vënë në zbatim aq më fort se mund të bjerë qeverija, dhe, kuptohet, një qeveri që ik nuk lipset t’i lerë qeverisë që vjen as një lek në arkë.
Tradita e do që bosh e mora, bosh e lashë – e ç’nxora, i prisha! Fund i fundit, mor zotni, vetë i mblodha vetë i harxhova!
Pra në se një qeveri ha fondet e një viti në një muaj a dy, tradita e do që qeverija tjatër të krijojë fonde të tjera gjith për një vit e t’i marrë që në fillim në xhep, ose në arkat dikasteriale-private për t’i shpenzuar brenda një muaji.
Kur në një vit kemi katër a pesë qeveri, kjo do të thotë katër a pesë lumturi buxhetore!
Kuptohet se shtesat edhe bartjet e fondeve janë bashka!
S’ka lumtëri më të madhe se atëhere kur ndërrohen qeveritë!
Pasurohen kaqë njerëz – vetë edhe miqtë -mbuiohen kaqë halle, boshatiset arka e madhe edhe mbushen arkat e vogla.
Sepse tradita e do që kur vjen një ministër i ri të fillojë me favore dhe kur ik ta mbyllë gjestionin gjith me favore. Veçanërisht kur ik duhet të jetë dorë-hapur “per buon uscita” e më fort që ministri-trashëgimtar të trashëgojë arkën bosh.
Kështu e do tradita edhe tradita nuk duhet shkelur!
Sepse, e para: tradita na shquan nga vendet e popujt e tjerë, që janë me do e mos barbarë edhe të poshtër dhe sepse, e dyta, e treta…
Ishallah kemi çdo muaj një qeveri, që kësilloj kombi të jetë i lumtëruar më çdo muaj.
Ishallah…
Ishallah…
Box gri
Pamflete
Përmbledhja e pamfleteve titulluar “Havadan me havadan”, ribotim në 2010, nga të bijat, më parë është botuar nga vetë Kuteli si një libërth më vete në vitin 1944 me pseudonimin Lugati. Në këtë përmbledhje, një zhanër i humbur në shtypin e sotëm, një natyrë tekstesh që mungon krejtësisht. Ironia, përplasja e një mendësie me një realitet ideal që vetë shkrimtari ka brenda botës së tij shkaktojnë fatalitetin – se sa në thelb të pangjashëm jemi me qytetërimin. Injoranca e papohuar e shqiptarëve e politikës për të cilën vetë Kuteli dihet se mbante një distancë të qëllimshme, nisur nga fakti që vepra iu ndalua apo ishte gjysmë e ndaluar të paktën deri në vitet ‘90, ku kuptojmë mospërshtatje të shkrimtarit me dy sistemet në Shqipëri, monarkinë dhe komunizmin. Kemi shkëputur nga kjo tufë pamfletesh dy prej tyre, nga kapitulli “Shtetnore”