1921/ Zgjedhjet e para në Shqipëri, si ndikoi agjentura jugosllave në skenën politike shqiptare

0
1095

Ky vit shënoi dy përvjetorë të rëndësishëm të zgjedhjeve parlamentare: 100 vjetori i zgjedhjeve të para të prillit 1921, dhe 30 vjetori i zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991. Një histori e shkurtër e parlamentit shqiptar nga kuvendi kombëtar I Vlorës 1912, deri në zgjedhjet e 1991; por duke iu referuar zgjedhjeve të 1921, historiani Hasan Bello jep argumentin se si ndikoi agjentura jugosllave në skenën politike shqiptare

 

 

Në prill të vitit 1921 janë mbyllur zgjedhjet e para politike në Shqipëri dhe është mbledhur parlamenti i parë (Këshilli Kombëtar). Historianët kanë vërejtur se në 100 vjet, proceset zgjedhore janë zhvilluar në forma të ndryshme: konkurruese (1921-1923 dhe midis 1991-2019), si dhe formale/fiktive midis 1925-1990 me përjashtime të vogla në disa elementë në proceset parlamentare, e sidomos lokale (1925-1939) apo në zgjedhjet e para (1945). Lidhur me sistemin elektoral janë eksperimentuar sistemet me natyrë mazhoritare/proporcionale me dy shkallë (vitet ‘20-‘30), sistemi i pastër mazhoritar 1945-1991, sistemet miks 1992-2007 dhe sistemet me natyrë proporcionale 2008-2019, ashtu siç e drejta e votës apo administrimi i zgjedhjeve ka ndryshuar në secilën periudhë. “Zgjedhjet tradicionalisht kanë qenë burim legjitimiteti ose delegjitimiteti, duke pasur ndikim direkt në stabilitetin e vendit dhe sistemin politik e qeverisës. Raporti qytetar me zgjedhjet, me votën dhe me konkurrencën politike qëndron në krye të listës së faktorëve që tipizojnë sistemet qeverisëse, nivelin e kulturës politike, të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës.- është ky një prezantim bërë nga Akademia e Studimeve Albanoligjike duke promovuar të parën kronologji faktesh të këtij peisazhi historik.

 

***

Zgjedhjet e para të vitit 1921 duket se për shqiptarët nuk ka qenë një histori e pastër demokracie. Historiani Hasan Bello para pak ditësh ka shkruar se skena politike shqiptare ka qenë mjaft e ndikuar nga jugosllavët, duke pasur një ndikim të nëndheshëm për kandidaturat e tyre. Bello shpjegon kontekstin e kësaj situate, raportet me vendet fqinjë, dhe si po lëvizte gjeopolitika në Evropë, sidomos pas Konferencës së Paqes…Po japim shënimin e plotë të Bellos, për anën e errët të kësaj historie:

“Në mars të vitit 1921 në Shqipëri u organizuan zgjedhjet e para parlamentare. Ndërsa Këshilli Kombëtar (siç quhej parlamenti në këtë periudhë), me 78 deputetë u mblodh më 21 prill 1921. Këto zgjedhje kishin një rëndësi të madhe për shqiptarët. Ato konfirmonin aspiratat kombëtare dhe tregonin se populli ynë kishte fituar pjekuri politike për të ndërtuar institucione demokratike. Por krahas grupimeve të brendshme që ishin në kristalizim e sipër, një ndikim të nëndheshëm do të ushtrojë edhe agjentura jugosllave. Kjo për shkak se rivaliteti italo-jugosllav për të dominuar skenën politike shqiptare kishte arritur kulmin. Në Konferencën e Paqes, që ishte mbajtur menjëherë pas luftës në Paris, në vitin 1919, delegacionet e të dyja shteteve ishin përpjekur të shkëpusnin sa më shumë koncensione nga shteti shqiptar. Prandaj, si për Italinë ashtu dhe për Jugosllavinë kishte një interes jetik elita parlamentare që do të drejtonte Shqipërinë. Sipas një raporti të hartuar nga një oficer i shërbimit sekret jugosllav lidhur me zgjedhjet e vitit 1921: “Ato zgjedhje kushtuan shumë dhe një pjesë i ka financuar shërbimi ynë, mirëpo jo drejtpërsëdrejti përmes tij, por përmes njerëzve tanë në Shqipërinë e Veriut. Luftën kryesisht e kemi zhvilluar kundër Iliaz Vrionit dhe përkrahësve të tij”. Kjo për shkak se Iliaz Vrioni, i cili do të zgjidhej kryeministër, konsiderohej si mbështetës i politikës italiane. Megjithëse ai do të ndërmarrë hapa për normalizimin e raporteve me Beogradin dhe Athinën, theksin do ta vinte tek çështjet kontestuese dhe në largimin e trupave ushtarake jugosllave nga kufiri shqiptar.

Por a pasqyrohej ndikimi jugosllav tek deputetët shqiptar? Kjo nuk është e lehtë të konfirmohet. Më tepër ajo duket tek qëndrimet që ndonjëri prej tyre mbante në raport me çështjen e Kosovës. Kështu, edhe sot e kësaj dite mbetet e njohur deklarata e deputetit Stavro Vinjau: “Ne nuk kërkojmë nga Serbia Kosovën, atë dhe shqiptarët e saj ja kemi falun…Vetëm kërkojmë t`i respektojë si njerëz e jo t`i therin si berra”. Në një replikë që Hasan Prishtina do të zhvilloi në parlament më 18 korrik 1921 me deputetin Spiro Koleka do të deklaroi: “Zoti Koleka tha se Kosovasit (deputetët kosovarë), lipset të marrin parasysh interesin e Shqypnies e jo vetëm të Kosovës. E siguroj zontinë e tij që e marrim parasysh interesin e Shqypnies. Zotni e tij thotë që kosovasit të rrinë urtë…, por Zontia Juaj nuk e din shka do me thanë serb”.

Sidoqoftë, ndërhyrja jugosllave për mbështetjen e kandidaturave për deputetë në zgjedhjet e vitit 1921 konfirmohet dhe nga raportet e oficerëve të shërbimit sekret, që merreshin me Shqipërinë. Prandaj, nuk është çudi që ashtu si jugosllavët në çdo zgjedhje të kenë vepruar edhe italianët, grekët apo shtete të interesuar politikisht për Shqipërinë.”

Kur ka zënë fill parlamentarizmi në Shqipëri

“Këtë vit janë dy përvjetorë të rëndësishëm zgjedhjesh parlamentare: 100 vjetori i zgjedhjeve të para të prillit 1921 dhe 30 vjetori i zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991.

Gjatë këtyre viteve kam koleksionuar materiale të partive të ndryshme të përdorura në fushata. Bashkëlidhur është një fletë e shpërndarë nga Partia Demokratike në zgjedhjet e vitit 1991.” – është ky shënimi, nga arkivisit Kastriot Dervishi një kujtesë e rëndësishme, në këtë përvjetor për të kuptuar pse e kemi aq të vështirë rapotin me lirinë, dhe demokracinë.

Parlamentarizmi në Shqipëri ka histori relativisht të shkurtër dhe të lidhur ngushtë me evolucionin e shtetit shqiptar. Gjatë kësaj periudhe ai ka pësuar ndryshime të vazhdueshme duke iu përgjigjur sistemeve të qeverisjes apo dinamikës së kohës. Ai tashmë ka krijuar përvojën e tij në mënyrën e organizimit dhe funksionimit, duke u kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës (1912)

Institucioni i parlamentarizmit në Shqipëri i ka fillimet e tij prej ditës së pavarësisë, me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Si organi i parë përfaqësues i popullit, ai mori përsipër realizimin e detyrës së rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Ai zgjodhi Qeverinë e Përkohshme, të kryesuar nga Ismail Qemali.

Shteti shqiptar nën Princ Vidin dhe Statuti Organik i Shqipërisë (1914)

Pas Kuvendit Kombëtar të Vlorës, parlamentarizmi si institucion u sanksionua në të gjitha statutet që pasuan konsolidimin e shtetit shqiptar. Për herë të parë ai parashikohet në Statutin Organik të Shqipërisë, të hartuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, më 1914, megjithëse, fillimi i Luftës së Parë Botërore e bëri të pamundur krijimin e një organi të tillë. Sipas statutit, Asambleja Kombëtare, si organ legjislativ, përbëhej nga anëtarë të zgjedhur prej popullit, anëtarë të emëruar nga princi dhe anëtarë ex officio (gjithsej 36 anëtarë).Pas shpalljes së pavarësisë vite të tjera të vështira do të vinin për Shqipërinë. Megjithëse Traktati i Londrës kishte përcaktuar kufijtë e Shqipërisë, dëshirat ekspansioniste të shteteve që donin të përfitonin më shumë territore ishin ende aktive duke ëndërruar përsëri ndarjen e saj. Në këto rrethana më 27 mars 1920 u mblodh Kongresi i Lushnjes.

Këshilli Kombëtar i Lushnjës (Senati)(27 mars 1920 – 20 dhjetor 1920)

Kongresi i Lushnjes krijoi Senatin, Parlamentin e parë shqiptar (më vonë Këshilli Kombëtar), si organ legjislativ, i cili përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit. Kongresi shprehu në formë të organizuar politike vullnetin e shqiptarëvge për të marrë fatin e vendit në duart e veta. Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme. Akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjes që përbënte një ligj kushtetues. Veprimtaria legjislative e Këshillit Kombëtar mori fund në dhjetor të vitit 1920, kur Këshilli u shpërnda për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të para në Shqipëri (mars 1921).

Këshilli Kombëtar (21 prill 1921 – 30 shtator 1923) Statuti i Zgjeruar i Lushnjës

Nga zgjedhjet që u zhvilluan në mars të vitit 1921, vendi u përfaqësua me 78 deputetë. Që prej kësaj periudhe, parlamenti filloi të shfaqej rregullisht si një organ i dalë nga populli, me detyra të përcaktuara qartë në statutin e kohës. Zgjerimi që iu bë Statutit të Lushnjës, i cili në histori njihet si statuti i shtetit shqiptar i vitit 1922, e shndërroi këtë akt në një kushtetutë të mirëfilltë me fuqinë më të lartë në shtet dhe sanksionoi plotfuqinë parlamentare. Organi më i rëndësishëm që ushtronte pushtetin legjislativ, i quajtur Këshill Kombëtar mori emrin Parlament. Si organ i vetëm legjislativ ai përbëhej nga një dhomë deputetësh të cilët zgjidheshin nga populli në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme (votim i tërthortë). Në këtë të periudhë dalloheshin qartë dy grupime politike: Partia Popullore e kryesuar nga Fan Noli dhe Partia Përparimtare e kryesuar nga Hoxhë Kadriu. Në fushën legjislative, veprimtaria e Këshillit Kombëtar u përqëndrua në nxjerrjen e ligjit për organizimin gjyqësor, në plotësimin e rregullores ekzistuese me elemente të reja për transparencën e veprimtarisë parlamentare, betimin e deputetëve përpara Këshillit, etj. Në shtator të vitit 1923, Këshilli Kombëtar i mbylli punimet e tij në përfundim të legjislaturës 2 vjeçare për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të reja për Kuvendin Kushtetues, të cilat u mbajtën në dhjetor të po këtij viti.

Kuvendi Kushtetues 21 janar 1924 – 2 mars 1925

Kuvendi Kushtetues, i përbërë nga 100 deputetë, ushtroi veprimtarinë e tij në dy periudha (21 janar – 2 qershor 1924 dhe dhjetor 1924 – 2 mars 1925). Detyra kryesore e tij ishte hartimi dhe miratimi i një kushtetute të shkruar (prej së cilës mori dhe emrin) ku të sanksionohej forma e qeverisjes. Objektivi nuk u arrit në periudhën e parë të veprimtarisë së tij për shkak të acarimit të situatës politike në vend me vrasjen e Avni Rustemit dhe atentatit që iu bë kryeministrit të asaj kohe Ahmet Zogu. Më 2 qershor të vitit 1924 Kuvendi mbylli punimet e periudhës së parë. Pas shpërbërjes së Qeverisë, Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria, duke mbetur në ilegalitet deri në dhjetor të vitit 1924. Gjatë kësaj periudhe erdhi në pushtet Qeveria e Fan Nolit, e cila pati një jetë të shkurtër (qershor-dhjetor 1924). Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, moment që shënoi në histori të ashtëquajturin triumf të legalitetit , rifilloi punimet Kuvendi Kushtetues. Ai arriti të përmbushte detyrën për të cilën ishte krijuar: miratimin e Statutit Themeltar të Shtetit dhe përcaktimin e formës së tij.

Periudha e Republikës Shqiptare 1925 – 1928

Statuti afirmonte formën e qeverisjes duke e përcaktuar Shqipërinë si Republikë Parlamentare e kryesueme prej një kryetari sovraniteti i së cilës buronte prej popullit . Me një vendim të posaçëm të Kuvendit Kushtetues, Ahmet Zogu u zgjodh në krye të shtetit. Parlamenti, për herë të parë dhe të fundit në historinë parlamentare të Shqipërisë, paraqitet i përbërë nga dy dhoma: Senati dhe Dhoma e Deputetëve. Sistemi dydhomësh pati një jetë të shkurtër parlamentare dhe përbënte eksperiencën e vetme në historinë parlamentare të Shqipërisë. Dhoma e Deputetëve (Dhoma e Ulët) përbëhej nga 57 deputetë të zgjedhur nga populli ndërkohë që Senati (Dhoma e Lartë) përbëhej nga 18 senatorë, 2/3 e të cilëve zgjidheshin nga populli, ndërsa 1/3 nga Kryetari i Republikës. Statuti afirmonte një sistem dydhomësh perfekt, por që në raste të caktuara i jepte përparësi Senatit, duke e vënë Dhomën në pozita inferioriteti. Një organ tjetër i Parlamentit ishte ai i mbledhjes së dy dhomave në një seancë të përbashkët, të quajtur Asamble Legjislative, që paraqitej në statut si organ më vehte. Gjatë kësaj kohe parlamenti miratoi një sërë ligjesh me rëndësi ndër të cilat mund të përmenden: ligjin mbi bankën kombëtare, ligjin e pensioneve civile, etj. Ai u karakterizua nga mungesa e pluralizmit dhe për shkak të problemeve të mëdha të sistemit zgjedhor, ruajti një karakter përfaqësues fiktiv. Mungesa e partive politike karakterizoi të gjithë periudhën e sundimit të Ahmet Zogut si Kryetar Republike e më pas si Mbret i Shqiptarëve. Shpërndarja e Parlamentit të Republikës erdhi pas debateve për ndryshimin e formës së qeverisjes, duke i lënë vendin zgjedhjeve të reja për Asamblenë Kushtetuese.

Periudha e Mbretërisë Shqiptare 1928 – 1939

Asambleja Kushtetuese, e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928 me 58 deputetë, sanksionoi në statut formën monarkike të qeverisjes, dhe parashikoi sistemin njëdhomësh parlamentar. Shqipëria shpallej mbretëri demokratike, parlamentare, dhe e trashëgueshme , ndërkohë që Mbret i shqiptarëve sanksionohej LartMadhëria e tij Zogu I, nga familja e famshme shqiptare Zogu . Ajo i dha fund punimeve më 1 dhjetor 1928, duke u transformuar në parlament. Në këtë periudhë u miratuan akte të rëndësishme si kodi civil, kodi tregtar, kodi penal, apo kodi i procedurës civile të cilët shënuan shkëputjen drastike nga legjislacioni i periudhës osmane. Për këtë arsye, parlamenti i kësaj kohe u quajt nga Zogu I si parlament konstruktiv e parlament reformator . Pas pushtimit Italian të Shqipërisë në prill të vitit 1937, Mbreti Ahmet Zogu I u largua nga Shqipëria. Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III, iu ofrua kurora e Shqipërisë.

Parlamenti në periudhën e luftës

Sipas statutit themeltar të mbretërisë shqiptare të akorduar nga mbreti, Viktor Emanueli III, shteti shqiptar ishte monarki kushtetuese. Pushteti legjislativ ushtrohej nga mbreti në bashkëpunim me Këshillin e Epërm Fashist Koorporativ. Më vonë, më 16 tetor 1943 me ardhjen e pushtuesve nazistë u mblodh Kuvendi Kombëtar me 247 anëtarë, i cili rivendosi krijimin e Këshillit të Lartë si kryetar shteti. Ai u kthye në parlament, duke ushtruar pushtetin legjislativ së bashku me këtë organ. Kjo periudhë karakterizohet nga mohimi i parimeve të parlamentarizmit.

Parlamenti në periudhën e pasluftës

Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të pasluftës u zhvilluan më 2 dhjetor 1945. Për herë të parë në votim morën pjesë edhe gratë. Në këtë periudhë u miratua kushtetuta e 14 marsit 1946, ku Asambleja Kushtetuese u kthye në Kuvend Popullor. Në kushtet e mungesës së pluralizimit politik në vend, Kuvendi Popullor ishte një organ formal i cili mblidhej në sesione vetëm dy herë në vit. Në vitin 1976 Kuvendi Popullor miratoi Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e cila ruajti më tepër tiparet e një programi politik plotësisht të ideologjizuar me ideologjinë e kohës. Roli i parlamentit mbetej fiktiv, sa kohë që nuk sanksionoheshin zgjedhje të lira dhe as që mund të flitej për pluralizëm.

Rilindja e parlamentarizmit (1991)

Pas 5 dekadash në Shqipëri shfaqen shenjat e para të rilindjes së parlamentarizmit. Pas një periudhe 67 vjeçare mblidhet parlamenti i parë pluralist i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 (250 deputetë). Ligji Për dispozitat kryesore kushtetuese , i miratuar në këtë vit solli ndryshime në kuadrin e organizimit demokratik të shtetit. Ai u plotësua gradualisht nga një sërë ligjesh të tjera kushtetuese, deri në miratimin e një kushtetute të re tërësore. Më 21 tetor 1998 Kuvendi Popullor miratoi Kushtetutën e re, të hartuar edhe me ndihmën e organizmave ndërkombëtarë. Kushtetuta e re krijoi mundësinë për të kuptuar më mirë sistemin politik në Shqipëri dhe rolin e aktorëve të tij. Emërtimi Kuvend Popullor ndryshohet në Kuvend i Shqipërisë (njëdhomësh, 140 deputetë). Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kuvendi, si organi më i lartë i Pushtetit ligjvënës, vazhdoi procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve. Gjatë këtyre viteve roli i Kuvendit është rritur ndjeshëm në krijimin e një kuadri kushtetues e ligjor, si premisë për vendosjen e shtetit juridik. Ai është kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend. Veprimtaria legjislative është bërë një nga instrumentët më aktivë në konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe të integrimit euroatlantik.

 

 

 

Zgjedhjet e 1921

Këshilli Kombëtar i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e datës 5 mars 1921 i filloi punimet më 21 prill 1921. Këshilli Kombëtar përbëhej 78 deputetë. Që prej kësaj periudhe, parlamenti filloi të shfaqej rregullisht si një organ i dalë nga populli, me detyra të përcaktuara qartë në statutin e kohës. Zgjerimi që iu bë Statutit të Lushnjës, i cili në histori njihet si statuti i shtetit shqiptar i vitit 1922, e shndërroi këtë akt në një kushtetutë të mirëfilltë me fuqinë më të lartë në shtet dhe sanksionoi plotfuqinë parlamentare. Organi më i rëndësishëm që ushtronte pushtetin legjislativ, i quajtur “Këshill Kombëtar” mori emrin “Parlament”. Si organ i vetëm legjislativ ai përbëhej nga një dhomë deputetësh të cilët zgjidheshin nga populli në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme (votim i tërthortë). Kryetar i Këshillit Kombëtar u zgjodh me votim të fshehtë Pandeli Evangjeli dhe në vitin 1922 u zgjodh Eshref Frashëri.

Në këtë të periudhë dalloheshin qartë dy grupime politike: Partia Popullore e kryesuar nga Fan Noli dhe Partia Përparimtare e kryesuar nga Hoxhë Kadriu. Në fushën legjislative, veprimtaria e Këshillit Kombëtar u përqëndrua në nxjerrjen e ligjit për organizimin gjyqësor, në plotësimin e rregullores ekzistuese me elemente të reja për transparencën e veprimtarisë parlamentare, betimin e deputetëve përpara Këshillit, etj. Më 30 shtator të vitit 1923, Këshilli Kombëtar i mbylli punimet e tij në përfundim të legjislaturës 2 vjeçare për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të reja për Kuvendin Kushtetues, të cilat u mbajtën në dhjetor të po këtij viti.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here